A është për shtetin ligjor opozita e Ramës?
Problemi, juridikisht, është i thjeshtë. Le të shohim një rast të hamendësuar. Unë të jap ty me qira, për 5 vjet një shtëpi. Ti je qiramarrësi, pra. Nënshkruajmë një kontratë noteriale, në të cilën përcaktohen vërtetësia e pronësisë, identitet tona, taksa që i detyrohet shtetit dhe vlera e qirasë mujore supozojmë: 30 mijë l (të reja) në muaj. Kontrata përmban edhe modalitetet e pagesës mujore, që tërhiqen në filan Bankë, si edhe intervalet brenda të cilit do të paguhet qiraja, për çdo muaj. Nëse nuk paguhet qiraja brenda këtij intervali, parashikohen sanksione kundërvajtjeje. Për të qenë kontrata plotësisht e zbatueshme, përmbahen në kontratë edhe klauzola garancie, sipas të cilave qiramarrësi është në gjendje ekonomike për ta përballuar pagesën për çdo muaj për 5 vite, kur kontrata skadon dhe mund të përsëritet, me pranimin e të dy palëve. Zakonisht noterët janë të kujdesshëm dhe vënë edhe këtë paragraf: „Kontrata nuk mund të prishet në mënyrë të njëanshme“.
Mund të dalë kjo pyetje: E zëmë se qiramarrësi, pasi ka qenë i rregullt për disa muaj, i shkon qiradhënësit dhe i thotë se qiraja prej 30 000 l /muaj i duket e lartë dhe kërkon që qiranë ta paguajë, tashmë, me 20 000 l /muaj! ç’bëhet në këtë rast? Duhet bërë një kontratë e re? Sa kontrata të reja të tilla u dashka të bëhen nëse, për „pishmanllëqe“ të tilla, qiramarrësit, i teket përsëri të ulë çmimin? A ka kontrata të tilla, që të jenë fakultative? Ai që thotë “po“”, le të na tregojë se në cilin shtet demokratik ekzistojnë kontrata të tilla?
Tani vijmë te Kodi Zgjedhor, që është juridikisht institucional, domethënë një akt ndërmjet dy palëve me bindje ligjore rigoroze. Akti, pra, është i detyrueshëm për zbatim nga të dyja palët firmuese. A e kanë firmosur të dyja palët Kodin Zgjedhor? A është firma e E. Ramës në këtë kod? Dhe, a përmban ky kod edhe klauzolat se kur digjen fletët e votimit?
Atëherë përse ky tërbim nga ana e E. Ramës dhe ky inskenim turmash populiste, me britma antiligjore gjer në absurditet [„Djegia e fletëve të votimit do të sjellë djegien e qeverisë“, „Berisha të ikë“ (…)]. Se Edvini kërkon të mos respektojë firmën e vet në këtë kod? Sa pa u shpallur përfundimi zgjedhor, KQZ-ja i kishte kompetencat që, në kohën e duhur, ta bënte një rishqyrtim. Por edhe ky institucion mbështetet në ligje. Rishqyrtimi ka afate. Dhe, për më tepër, jo si në rastin konkret kur Komisionet Vendore kanë miratuar dhe KQZ-ja e dha verdiktin e saj me votim të plotë (7:0). Tani ajo, nga pikëpamja ligjore, e ka të pamundur të mohojë vetveten, domethënë nuk mundet të shkelë ligjin (konkretisht: Kodin Zgjedhor), për t’ia plotësuar dëshirën Edvin Ramës, që kishte deklaruar publikisht se nuk ka pasur asnjë pretendim për të shndërruar rezultatet zgjedhore. Kjo do të thotë se pakica e tij parlamentare jo vetëm de facto pranon se është në opozitë, por edhe de jure. Kjo do të thotë, po ashtu, se e njeh përbërjen e parlamentit. Atëherë bojkotimi i këtij institucioni është i pamotivuar ose, më troç, në shpërfillje të ligjit.
Nëse në këtë vijë mendimi nuk ka ndonjë nonsens, atëherë E. Rama duhet të përgënjeshtrojë publikisht anarkistin Spartak Ngjela dhe rrëmujaxhinjtë e tjerë, - bashkiakë të majtë, që bëjnë zallamahí me autobusë gratis dhe me lekë në dorë (që i kanë parë në ekran shikuesit e televizorit) dhe të mos lozë lojën e tij të dyfishtë sipas “Refleksioneve” të tij të një komunizmi alla-Bakunin, për të cilin ai nuk orvatet të japë asnjë shpjegim. Gjersa lejtënanti i tij, Gramozi, tregon urrejtjen e tij atavike ndaj perëndimorëve, me shprehje përbuzëse, si „të shohin punën e tyre dhe të mos na vërtiten nëpër këmbë!” - atëherë Rama duhet ta përgënjeshtrojë edhe këtë thënie; sepse del, pastaj, i pabesueshëm, kur ia do puna të thotë sesa “i do” perëndimorët dhe u thotë atyre që të mos ndikohen nga gjendja jonë politike (e ngritur, në fakt, në kazuse të paqena), por të shohin „teknikisht“ se “i kemi“ përmbushur kushtet!
***
Ajo thënia se përveç hapjes së kutive të materialeve zgjedhore (e mundshme) duhet të pasohet me hapjen e fletëve të votimit (e pamundshme, joligjore), i ka shkaktuar popullit shqiptar pengesa të padyshimta, në udhën e progresit. Fjala “djegie” ka zgjuar kundërveprime me një kosto të pallogaritshme, nga shpërfillësit e ligjshmërisë shqiptare, gjer në absurditete. Kjo fjalë për populizmin fanatik të E. Ramës, nuk është një origjinalitet. Sepse përmbahet në shumë e shumë kode zgjedhore të legjislacionit zgjedhor europian. Anì. Ramës tani nuk i intereson. Por përse i interesonte, kur firmosi Kodin Zgjedhor? Tanimë Kodi është legalizuar. Por ai vetë kërkon të vërë kondicione në trajtë ultimatumesh! Edhe kushtëzimet e tij i janë bërë të qarta nga kreu i qeverisjes, se mund të merren parasysh për hir të një konsensusi. Por jo, ama, që të bien ndesh me ligjin. Kërkon të na paraqesë edhe si një shtet joligjor? Mund t’i dilnim shumë gjatë problemit për t’iu vënë zbërthimit të domosdoshmërisë së kësaj fjale, (paligjshmërisë së cenimit të Kodit. Gjasat për zgjedhje të parakohshme janë një dëshirë zhurmuese e së majtës ekstreme të Ramës, për shembull. Por a mund të bëhen këto zgjedhje të parakohshme, - duke supozuar që ëndrrat bëhen realitet, - pa qenë në gatishmëri kutitë bosh për zgjedhje të tilla?. Por ajo përseja e mprehtë domethënëse qëndron në një fakt tepër të thjeshtë. Kur kjo djegie, ky asgjësim, na qenka një veprim i tmerrshëm, përse Rama e firmosi në fillim dhe pastaj u bë pishman? Me këtë firmë, si edhe me firmën e Berishës, Kontrata (le ta quajmë edhe kështu) , ka marrë një status ligjor. Tani na u dashka të thyet ligji me mjete antiligjore!
Askush nga “analistët” e Edvinit në panelet e debateve, nuk ka hyrë në themel të çështjes, që ka të bëjë se me veprime të tilla, që do të na mbartnin njollën e pashmangshme se nuk dimë të respektojmë ligjet! Do të merrnim damkën se jemi një shtet joligjor! Dhe këtë nam të keq nuk do të na e hiqte dot as Spartaku, që nuk e kupton dot këtë kundërthënie ligjore, as Nardi, që është tallur nga socialistët, në kohën kur Berisha e bëri ministër të Shëndetësisë. Apo nuk i kujtohet N. Ndokës se ish-aleatët e sotëm s’lanë gjë pa thënë kundër tij, duke e quajtur gjysmanalfabet që nuk kishte as njohuritë fillestare të një infermieri të gradës së fundit! Tani Nardi, si edhe ai “Soloni” anarkist antiligjor, domethënë si ai tjetri që gënjen specien më të zvetënuar populiste se pushteti po u shndrit në horizont, që të dy së bashku, përbëjnë një duet të tërhequr për kapistalli prej Ramës . Nuk kanë shkruar edhe të tjerë më kot, si Balzaku, për iluzionet e humbura!
Sa për justifikimin infantil se po të shqyrtoheshin fletët e votuesve, si me një shkop magjik, do të bëheshin zgjedhjet e ardhshme të paqortueshme, ai nuk është veçse një mashtrim i radhës. Kërkohen “ngecje të tjera” për t’i paraqitur zgjedhjet e 28 qershorit si të pavlefshme! Që t’u jepnin kredibilitet gjurulldive të mëtejshme. Madje, për ta zhvatur pushtetin si në 1997-n, me zgjedhjet e 19 qershorit të atij viti, zgjedhje nën kërcënim kallashësh, zgjedhje - farsë, të pakrahasueshme edhe me zgjedhjet e kontestuara nga opozita e 1994-s. Këto, sidoqoftë, ishin me rezultante kah fitorja, prandaj opozita e atëhershme nisi piruetat e braktisjes së zgjedhjeve!
A do të pranonte populli ynë që të pësonim një tetëvjeçar tjetër si ai që vetë Rama e përcaktoi me fjalët më poshtëruese, si tetëvjeçar me një qeverisjeje të përdhosur e të korruptuar gjer në palcë? Ata të tre, me të tjerët që janë joshur me grada e pasurira (si paraardhësit e ’97-s), janë në kor për të quajtur tradhtarë edhe të 20 000 komisionerët e PS-së. Gjithë këta tradhtarë! Po provat? Të hapën kutitë që t’i gjejmë provat! Kërkohen provat nga të pandehurit!
Prepotenca e grevës me turne para kryeministrisë provoi aktin e fundit të dështimit të kazusve të fabrikuar. Durimi gjer në stoicizëm i dr. Berishës, u shpërblye përfundimisht. Tani po vazhdojnë t’i bien klarinetës në një vrimë, me tinguj monotonë gjer në shuarje. Nuk u ka mbetur veçse të shpikin djallëzira të tjera, sipas të cilave liberalizimi i vizave përmban edhe veprën e tyre “të madhërishme” , antiligjore!