Edvinit i dridhen gjunjtë, fillon bredhjet nëpër fshatra

Me sindromin e Gruas nga Berati dhe i tmerruar se me dështimin e grevës, po i plas kriza në shtëpi, Edvinit ka hartuar planin e udhëtimeve nëpër rrethe, duke i ftuar të pakënaqurit për një bashkim të ri, pasi herët a vonë, suksesi edhe mund të vijë. Berati është nga rrethet më problematike, por përplasje të mëdha priten edhe në Durrës, Shkodër, Korçë, Shkodër e Elbasan
Rrëke zërash kundër në Partinë Socialiste, për mënyrën se si kryesocialisti në detyrë Edi Rama, ka menduar drejtimin e partisë, e cila ka njohur jo vetëm dështim, por rrezikon edhe shpërbërjen. Baza ylberiste ka ngritur zërin ditët e fundit, duke i kërkuar Ramës, mbylljen njëherë e përgjithmonë të kapitullit të “kutive” dhe të reformohet partia, e cila thuajse nuk ekziston, që prej qershorit të vitit të kaluar. Në këtë pikë ekzistence të partisë, Edvini jo vetëm që s’ka ndërmend të hedhë hapin e diskutimit me bazën socialiste për strukturat e reja dhe përcaktimin e kandidatëve për zgjedhjet vendore, por më keq akoma lëshon nga Tirana deklarata “inkurajuese” se me zgjidhjen e “ngërçit”, punët do marrin për mirë për PS-në. Por, i zgjedhuri i socialistëve dhe humbësi i tyre, e di mirë se nuk ka asnjë fije shprese më, për zgjidhje favorizuese dhe është detyruar të udhëtojë dje, për në drejtim të Beratit, ku është munduar të qetësojë tonet e alarmuara të degës lokale.
Edvini ka deklaruar se nuk është i interesuar për zgjedhjet vendore, përsa kohë në fizionominë e tij të aktualitetit politik ka një “ngërç të pazgjidhur” dhe se ky do na u investoka tërthorazi në stabilitetin politik të Shqipërisë...
Megjithatë, është gjithçka e qartë, sepse me devijimin e debatit nga politik në atë ekonomik dhe për më keq akoma, kur nuk ka asnjë informacion për indekset e progresit apo të regresit ekonomik, ku lakuriqi i socialistëve bën deklarata tendencioze dhe jashtë realitetit, tregon një “betejë” të humbur dhe ç’maskimin e një gangrene të rrezikshme, që veç interesa kombëtare nuk kishte.
Por, në kushtet kur Ramës i ka “plasur në shtëpi” dhe të gjithë duan kokën e tij, për të gjitha ato mashtrime të sajuara për muaj të tërë, thjesht e vetëm mbajtjen e elektoratit të majtë në këmbë në kërkim të kauzës së PS-së, pritet që zallamahia në ngrehinën ylberiste të ketë pasoja edhe më të paprincipta. Injorimi i zërit të socialistëve, të cilët tashmë kanë kuptuar se duhet të hidhet një erë e re në marrëdhëniet politike brenda PS-së, ndërtimin e një mekanizmi të hapur, transparent dhe demokratik, në mënyrë që opozita të presë e rinovuar zgjedhjet vendore, do ketë për Ramën një përgjigje po aq cinike. Argumenti i “Gruas nga Berati”, se “ne nuk duhet të merreni me problemet e brendshme të partisë, se për momentin e kemi mendjen te kutitë”, është sa i paqëndrueshëm aq edhe absurd, duke ditur se “kauza e zgjedhjeve të padrejta”, nuk ekziston më dhe ai tension artificial i shkaktuar në radhët e politikës, është tashmë i vdekur.
Rikthimi në Berat, atje ku udhëheqësi rajonal, Erjon Braçe i ka qëndisur mjaft mirë punët, duke armiqësuar bazën socialiste, është jo vetëm një hap pas për Edvinin, por edhe një parandjenjë se nuk pritet diçka e mirë për mbijetesën e tij politike. Endja për 11 muaj me radhë pas një beteje të humbur, duke e shpallur kundërshtarin politik si armik kombëtar, i faturoi Edi Ramës kosto të rënda politike, teksa po vihet në pikëpyetje qëndrimi i tij në krye të PS-së deri në zgjedhjet e ardhshme. Pa asnjë hezitim, votuesit socialistë kërkojnë tashmë “kokën e Ramës”, pasi për muaj me radhë i mbajti me shpresën e “madhe”, të zhvillimit të zgjedhjeve të parakohshme, pavarësisht se të gjithë shqiptarët ishin të vetëdijshëm se Edvini ishte i humburi i procesit të vitit të kaluar. Ai dje mbërriti në Berat, atje ku si gjithmonë baza socialiste pëson komplikacionet e para sipasojë e frakturave të shkaktuara nga përplasja e klaneve socialiste. Në një kohë kur mendja e socialistëve të thjeshtë është tek zgjedhjet e ardhshme lokale, për ngritjen e marrëdhënieve me bazën në një nivel të ri, Edvini do të ende edhe për disa kohë pas kutive të mbyllura deri sa të kuptojë se ia kanë marrë kalanë nga brenda, duke shënuar kështu fundin e kësaj lakuriqësie kasnece të padenjë.