E Shtunë, 31 Tetor 2026

Edi Rama ve dhëmbë dhe mbjell pemë

Kryetari i PS-së, ka zgjedhur të demonstrojë ndjenja pendese, duke mbjellë disa pemë nga kodrat e Liqenit. Duke shfrytëzuar me këtë rast edhe funksionin e tij “parte-time”, si kryebashkiak i Tiranës, Edi Rama, përpiqet më kotë, ndërsa ai është masakruesi dhe ndotësi më i madh i mjedisit. Duke zhdukur nga harta e kryeqytetit hapësira të mëdha të gjelbra, në këmbim të pallateve të Dash Pezës, Valentina Leskajt e të tjerë miqve të tij, ai ka organizuar edhe “polici private” me deputetët e tij, në mbrojtje të masakrave të tij të hapësirave të gjelbra e publike... Viti 2009 po numëron ditët e fundit dhe e sigurt është se për Tiranën dhe opozitën ai do të na lerë një shije pasigurie dhe shqetësimi. Opozita shqiptare dhe kryetari i saj Edi Rama, kanë vendosur që të tentojnë shpëtimin e shpirtit të tyre duke mbjellë ca pemë mes parkut të Tiranës e në këtë mënyrë të fshijnë prapësitë e tyre nëpër Tiranë e Shqipëri. Paralelisht me këtë, Edvin Rama ka vënë dhëmbët e rinj që i ekspozon në cdo moment të volitshëm. Mirëpo rënia dhe vënia e dhëmbëve personifikon kalimin nga mosha e pubertetit në atë të pleqërisë, duke anashkaluar atë të burrërisë. Kryetari i socialistëve klientelistë është vënë në rolin e gjoja të penduarit që ditë për ditë i duket sikur bisedon me zotin dhe në monologun e tij të trishtë tenton të fshehë e të ringjallë shpirtin e tij dhe opozitës. Për këtë mendon se mbjellja e disa pemëve është përgjigja e duhur duke bërë sikur harron se ata drurë të mjerë që janë prekur nga dora e lebrozës politike të kohës nuk mund të fshijnë kaosin dhe të keqen që ka shkaktuar brenda shoqërisë shqiptare. Ato pak pemë nuk mund të jenë pasaporta e çlirimit shpirtëror të Ramës dhe opozitës dhe as që bëhet fjalë që ndokush të besojë vërtet se problemet mbyllen duke hapur gropat për pemët e reja. Mbjellja e pemëve nga Edi Rama nuk mund të zhbëjë mesazhin se ai me gjithë mbështetësit e vet janë “të fortët” e vendit, janë ata që ia hedhin gjithmonë ligjit. Pemët e Edvinit nuk ndryshojnë dot faktin se “të fortët” e ndërtimeve në Tiranë çirren se gjoja janë më të zgjuar se të tjerët që nuk pyesin e nuk do të dënohen kurrë. Pemët e Edvin Ramës nuk i heqin dot njollën këtij nxënësi të keq që me kopje kalon klasën dhe përfitojnë nga rrethanat që të ngjitet në shoqëri. Tashmë asnjë nuk e toleron këtë kapadai, nostalgjik të Stalinit, të cilit ndërkombëtarët ia kanë ndaluar të kopjojë sërish. Opozita shqiptare dhe kryetari i saj Edi Rama duket të shkërmoqet në disa fusha duke dhënë idenë se po na le shëndenë sic thotë rëndom populli. Për më tepër mjegulla e dyshimit se çfarë do të ndodhë me opozitën shqiptare mbetet e pashpërndarë dhe skena politike e pasigurtë për të majtën. Pavarësisht të gjitha këtyre, pas zgjedhjeve të qershorit 2009 Edi Rama në rolin e kreut të PS-së dhe bashkisë së Tiranës po i mëson njerëzit dhe mbështetësit e vet me një mënyrë të jetuari dhe perceptuari të realiteti që as nuk mund të justifikohet as mund të mbijetojë me mundësitë reale. Me qëndrimin e tij ai po trondit institucionet dhe besimin tek to duke shkërmoqur çdo kuptim të piramidës dhe respektit të hierarkisë së administratës dhe ligjit. Kjo sjellje ka kaluar tashmë si një thirrje ogurzezë dhe tek universitetet apo shkollat e mesme që edhe në këtë fund viti të administruara nga bashkia e Tiranës nuk po ngrohen dot. Modeli i Edi Ramës që mbështet çdo personazh “të fortë” në një rrjet prej jo më së se dhjetëra personash të cilët mund të bëjnë gjithçka, të dalin mbi ligjin, të zënë lulishte, zemrën e Tiranës, të bllokojnë rrugët për kalimtarët e të bëjnë çfarëdo që të jetë. Kjo kulturë katastrofike e Edi Ramës po kalon dhe vadit mendjet e gjithë shqiptarëve duke e kthyer populizmin në vetveten e dytë të shqiptarëve. Asnjëherë ai gjatë kësaj kohe nuk pranoi të ulej e të diskutonte mbi mundësitë më të mira të rehabilitimit të Tiranës, të realizimit të planit rregullues, të ndalonte marrjen në punë vetëm me kritere edviniste e puniste. Në vend të këtyre ai ka zgjedhur të mbjellë ca pemë që të lehtësojë shpirtin e tij. Mirëpo mbjellja e tyre sërish nuk rregullon dot marrëdhëniet brenda familjes dhe Kryeministri shqiptar ka obligimin që të verë rregull brenda vendit që e ka mandatar të qeverisë, i pëlqen apo jo Ramës. Për opozitën shqiptare zgjidhjet nuk janë të lehta, por ja që vjen një ditë e duhet të japësh llogari. Dhe llogarinë që ka për të dhënë Edi Rama nuk e mbyllin dot pemët e reja. Zgjidhjet duhet të jenë të shoqëruara me masa serioze e të mos marrin parasysh koston politike. Duhet që shoqëria shqiptare, shoqatat joqeveritare, qeveria dhe vetë opozita të përballet me sistemin e sëmurë që ka ushqyer Edi Rama. Modeli i Edi Ramës që nuk ndihmon as rininë, as bujqit, as punonjësit e gjelbërimit, as inspektorët e tij të tatimeve dhe as shoqërinë duhet të zhbëhet. Shpërbërja e këtij sistemi do të sjellë përmbysjen e mesatares dhe dakortësisë me të keqen. Historia e Shqipërisë ka treguar se në momente të caktuara dalin edhe udhëheqës të rinj....

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›