E Diel, 1 Nëntor 2026

Promovohet fjalori i parë arabisht-shqip



Sot, datë 22 maj 2010, në sallën “Aleks Buda” të Akademisë së Shkencave u promovua fjalori i parë arabisht-shqip, i botuar në Shqipëri. Ky fjalor, me autor Sulejman Tomçini dhe botim i Institutit Shqiptar të Mendimit dhe të Qytetërimit Islam, përmban 70.000 fjalë e shprehje të gjuhës arabe. Nevoja për këtë fjalor ndihej prej kohësh në Shqipëri dhe i përgjigjet më së miri arabo-folësve shqiptarë. Njëherazi fjalori vendos urat e bashkëpunimit në shumë fusha midis vendit tonë me vendet e botës arabe.
Në këtë eveniment pati një pjesëmarrje të madhe intelektualësh, studiuesish dhe njohësish të gjuhës arabe. Të pranishëm ndodheshin ambasadorët e vendeve të Lindjes: Egjiptit, Arabisë Saudite, Libisë, Palestinës etj, si dhe titullarë të institucioneve të rëndësishme të kryeqytetit, titullarë të shoqatave kulturore.
Veprimtarinë e hapi drejtori i AIITC, Dr. Ramiz Zekaj, i cili theksoi faktin se ky fjalor i shumëpritur në Shqipëri shënon një moment cilësor në përvetësimin e gjuhës arabe prej shqiptarëve.
Akademiklu Myzafer Korkuti, nënkryetar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, falënderoi autorin Sulejman Tomçini dhe Institutin Shqiptar të Mendimit dhe të Qytetërimit Islam për këtë dhuratë të bukur që pasuron me një prurje të re korpusin e fjalorëve në gjuhën shqipe. Referuesi nga Maqedonia, prof. dr. Ismail Ahmeti, Prorektori i Universitetit Shtetëror të Tetovës dhe njohës i mirë i gjuhës arabe, vuri në dukje vlerat e larta gjuhësore të këtij fjalori, duke e renditur atë ndër më të mirët në llojin e vet.
Referuesi prof. dr. Enver Hysa, njëherazi redaktor gjuhësor i këtij fjalori, theksoi punën e kujdesshme të autorit në përzgjedhjen e fjalëve e shprehjeve më të përditësuara në gjuhën arabe. Referuesi theksoi vlerat përdoruese të këtij fjalori për këdo që kërkon të thellojë njohuritë në gjuhën e pasur arabe.
Në fjalën e tij, autori Sulejman Tomçini falënderoi organizatorët: Institutin Shqiptar të Mendimit dhe të Qytetërimit Islam, Akademinë e Shkencave të Shqipërisë, Qendrën e Studimeve Albanologjike në Tiranë për mirëorganizimin e këtij fjalori. Falënderoi gjithashtu pjesëmarrësit e shumtë në veprimtari, gjë që shpreh interesimin gjithnjë e në rritje të shqiptarëve për gjuhën arabe.
Veprimtaria u mbyll me një kokteil, ku vazhduan më tej diskutimet në grupe rreth përvojës së shqiptarëve në përvetësimin e gjuhës arabe. Me këtë fjalor nis një etapë e re dhe më e lartë drejt përvetësimit dhe përdorimit të kësaj gjuhe.

24 Maj 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›