Ministrat e financave të BE-së, sanksione për vendet që thyejnë rregullat fiskale
Ministrat e financave të Bashkimit Europian kanë mbështetur idenë për marrjen e masave ndaj vendeve të cilat nuk respektojnë rregullat fiskale të unionit, por kanë hedhur poshtë kërkesat gjermane për ristrukturimin e borxhit si dhe ndryshime në traktatet e BE-së. Sipas tyre, masat do të çojnë në stabilizimin e situatës të vendeve të euros. “Le të jemi të qartë, nuk është euroja në rrezik, por politika fiskale e disa vendeve që e përdorin atë, tha presidenti i Bankës Qendrore Europiane, Zhan Klod Triket. Vërejtjet e tij erdhën dy ditë pasi kancelarja gjermane Angela Merkel bëri që ankthi të përfshinte tregjet financiare, me deklaratën se monedha e vetme ishte e rrezikuar nga një "krizë ekzistenciale". Qëllimi i ministrave ishte të miratonin masa për shmangien e çdo përsëritjeje të krizës së borxhit grek, gjë që ka bërë presion të jashtëzakonshëm në euro dhe vendet e dobëta të tilla si Spanja dhe Portugalia.
Presidenti i Këshillit të BE-së, Herman Van Rompuy tha në Bruksel se në këtë moment është vendosur se duhet të vihen sanksione për kursime ndaj përgjegjësve të shpërdorimit të buxheteve. Vendet që nuk do të respektojnë rregullat e vendosura rrezikojnë të humbasin ndihmën e ofruar nga BE-ja ose të drejtën e votimit. Presidenti Van Rompuy, i cili ishte edhe organizatori i këtij takimi, tha se ishte shumë i qartë kufiri se kur për një vend do të zbatoheshin sanksionet financiare dhe kur jo. Kryesisht vendet që duhet të tregohen më të kujdesshme në të ardhmen janë Greqia, Spanja dhe Portugalia. Van Rompuy tha se forca e posaçme e ministrave të financave do të përqendrohet në gjetjen e mënyrave, për të reduktuar divergjenca në konkurrencën në mes të ekonomive individuale europiane, duke punuar për një zgjidhje efektive. Takimi u zhvillua në të njëjtën ditë që parlamenti gjerman miratoi pjesën e saj të një pakete shpëtimi 750 miliard euro të zonës euro. Grupi i punës për stabilizimin e monedhës së njësuar ka planifikuar që deri në tetor të paraqesë një program reforme. Ndërkohë ministri gjerman i financave Volfgang Schauble propozoi që shtetet e zhytura thellë një borxhe të kaloheshin në një gjendje paaftësie, çka u lejonte atyre lehtësira nga ana financiare, por ky propozim u hodh menjëherë poshtë nga anëtarët e tjerë të këtij komisioni. Grupi i punës do të mblidhet sërish pas dy javësh dhe do të paraqesë një raport paraprak para samitit të BE-së më 17 qershor.
SHBA, angazhohet komision i pavarur për hetimin e katastrofës së naftës
Një muaj pas fillimit të derdhjes së naftës në Gjirin e Meksikës, presidenti amerikan Barak Obama ka angazhuar një komision të pavarur për hetimin e katastrofës natyrore. Shtatë anëtarët e komisionit duhet që brenda gjashtë muajsh të përpilojnë një raport për shkaqet e fatkeqësisë dhe të propozojnë masat që duhet ndërmarrë në të ardhmen. Nga ana tjetër koncerni britanik i naftës BP sa vjen e vihet në trysni më të madhe për arsye të katastrofës së naftës në Gjirin e Meksikës. Qeveria amerikane kërkoi me shkrim prej shefit të koncernit Toni Hajuard, që të publikojë menjëherë të gjitha të dhënat dhe informacionet mbi fatkeqësinë. Më parë u shprehën dyshime të konsiderueshme për të dhënat e BP-së mbi sasinë e naftës që po derdhet. Sipërmarrja nisej deri tani nga shifra 5.000 fuçi naftë në ditë që derdhen në det, por ekspertët llogarisin që të jenë deri në 70.000 fuçi në ditë. Ndërkohë nafta ka mbërritur në bregdetin e shtetit amerikan Louisiana, duke ndotur atje pothuajse 40 kilometra të ekologjisë së ndjeshme të tokës moçalore dhe kënetore.
24 Maj 2010