E Shtunë, 31 Tetor 2026

Edi Rama zbulon “armiqtë” e partisë, nis “fshesën” ndaj tradhtarëve

03-07-2011 / Gazeta 55

Kronika/Humbja e zgjedhjeve

Partia Socialiste vendos të përndjekë drejtuesit lokalë të saj, të cilët tashmë etiketohen me pa të drejtë si përgjegjësit e humbjes së zgjedhjeve të 8 majit. Asambleja kombëtare e mbledhur dje gjatë paradites, ka afirmuar politikën e shantazhit dhe fshesës në bazën socialiste, për të “shpëtuar” përgjegjësitë e mëdha të Edi Ramës, ndaj sforcos elektorale që pësoi e majta politike, duke humbur edhe bashkinë më të madhe të vendit, atë të Tiranës. Përmes implementimit të politikës së eunukut dhe vandalizmit, Edvini shpalli edhe njëherë kushtëzimin e marrëdhënieve me parlamentin, si shenjë dëshpërimi për humbjen e zgjedhjeve në Tiranë. “Bojkoti parlamentar, e ka kryer misionin e vet, ndërsa strategjia dhe beteja dyvjeçare e opozitës për mbrojtjen e votës së lirë e ka dhënë rezultatin e vet të shkëlqyer. Në 8 maj, kur një votë masive u derdh dhe ne fituam bindshëm”, tha Rama, ndërsa shtoi se gjithsesi nevojitet rifreskimi i strukturave të PS.
Të vetë-shpallesh fitues dhe të paralajmërosh përndjekjen e drejtuesve lokalë, janë dy kontradikta të mëdha që s’përputhen me njëra-tjetrën, por ajo që e nxjerr blof kryetarin e opozitës, është përpjekja meskine e tij, për të larguar çdo detyrim ndaj lidershipit të tij dhe vendimmarrjes së gabuar të PS-së gjatë 2 viteve me radhë. “Duhet të përgatitemi për jetën parlamentare dhe sezoni i ri duhet të jetë sezoni i nismave të reja ligjore”, tha kryesocialisti, duke kujtuar reformimin e strukturave lokale. Për këtë ai paralajmëroi një hetim të gjatë deri më 5 nëntor kur edhe mblidhet Kongresi Zgjedhor socialist. “Analiza politike e detajuar në bazë do të vazhdojë deri në fillim të shtatorit dhe do mbyllet më 5 nëntor me Kongresin Zgjedhor”, tha ai.
Megjithatë, Rama shtoi se pavarësisht se cili do të jetë vendimi i Kolegjit më 6 Korrik, puna e kësaj force politike do të vazhdojë, dhe vuri theksin te krijimi i aleancave të reja, duke dhënë siguri se nuk do të ketë asnjëherë bashkim me “politikën e vjetër”. Kryesocialisti bëri apel për solidaritet dhe fokusimin e vëmendjes tek beteja e Tiranës, duke deklaruar se “shpërqendrimi është qëllim i shpallur në pasqyrat mediatike të Saliut”. Gjatë fjalës së tij, kryetari socialist përsëriti akuzat ndaj kryeministrit Berisha se po çon vendin drejt rrënimit ekonomik. “Ky vend po rrokulliset çdo ditë prej pafuqisë ekonomike dhe mungesës së rendit ligjor. Makina shtetërore ka ngecur në batakun e nepotizmit”, tha Rama.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›