E Shtunë, 31 Tetor 2026

Edi, zgjohu…

Besjan Pesha Edi, dje një miku im nga  Shkodra më merr në telefon rreth orës 12:00 dhe më thotë se kishte marrë një telefonatë nga dikush që quhej “Komiteti i Shpëtimit të Shkodrës” dhe që e kishte njoftuar se Diga e Hidrocentralit ishte gati duke u shembur dhe se rezervat e bukës në qytet ishin në limite prandaj duhej të nxitonte për të shpëtuar veten dhe të afërmit dhe të akumulonte sa më shumë rezerva ushqimore që të kishte mundësi Ndërkohë mësoj se edhe shumë qytetarë të Shkodrës kishin marrë telefonata të ngjashme në shtëpitë e tyre, telefonata të cilat kishin për qëllim vetën dhe vetëm përhapjen e panikut dhe krijimin e kushteve për një situatë anarkike në atë qytet.Edi, nuk të kam shkruar kurrë seriozisht, sepse nuk të kam marrë asnjëherë seriozisht, por sot situata është ndryshe, sot mungesa jote e seriozitetit mund të na kushtojë edhe jetë njerëzish prandaj po të drejtohem me këtë letër, duke qenë i sigurt se në një farë mënyre do të arrijë tek ty e ndoshta diçka e ndërron në mendjen tënde të brishtë, ndoshta arrin të zgjohesh e të përmendesh nga ëndrra jote e fundit. Edi, gjatë ditëve të fundit i ke dhënë një urdhër makabër brigadës tënde virtuale. Të ngrenë receptorët dhe të shpërndajnë panik sa të munden në çdo shtëpi shkodrane, kështu që ndoshta revolucioni yt portokalli, i kadifejtë apo ngjyrë pink, të mund të fillojë aty ku Berisha është më i fortë, bash në bastionin e Partisë Demokratike. Mendja jote e brishtë gjithnjë ka qenë e aftë për kalkulime djallëzore, por të ikën nga vëmendja përherë kalkulimi kryesor, ai njerëzor. çdokush që është marrë me organizim fushatash elektorale në Shqipëri arrin të dallojë firmën tënde mbi këto telefonata dhe është shumë e qartë si për mua dhe të tjerë se plani yt i radhës, për të ardhur në pushtet, kalon rishtazi mbi jetën e qytetarëve shqiptarë. Ti në dëlirin tënd narkotik ëndërrove se mbas mijëra telefonatash, njerëzit të dëshpëruar do të dilnin në rrugë dhe do të mësynin fillimisht dyqanet e ushqimeve duke i thyer e bastisur ato si rrjedhojë e dëshpërimit, më pas kontingjenti kriminal i qytetit të Shkodrës i drejtuar nga njerëzit e krimit që t’i mban afër do t’i drejtohej bankave dhe dyqaneve me vlerë duke bastisur dhe vjedhur ato, më pas disa militantë të tutë do t’i vinin flakën makinave dhe si përfundim mbasi ta kishe shkatërruar qytetin, pasi të kishe vrarë qindra qytetarë të pafajshëm,  t’i do të dilje dhe do t’ju bëje thirrje për qetësi duke marrë rolin e papës e duke i bërë thirrje qeverisë që të dorëhiqej e të krijonte një qeveri të shpëtimit kombëtar, sepse me shumë gjasa kjo situatë do të shpërthente në miniaturë edhe në qytete të tjera të Shqipërisë, sigurisht që eksperienca e Gramozit në këtë fushë do të të ishte shumë e vyer. Më pas do të shpalleshin zgjedhjet e jashtëzakonshme dhe ti më në fund e askush tjetër do të mund të bëheshe ai,  Neroni i Shqipërisë.Edi, Zgjohu!Edhe kësaj radhe ashtu si në zgjedhjet e fundit shqiptarët të dhanë të njëjtën përgjigje, atë që meriton, të injoruan. Qytetarët e Shkodrës nuk ju përgjigjën thirrjes tënde për panik. Askush nuk të morri seriozisht ty dhe telefonatat e tua. Situata në atë qytet është duke u përmirësuar jo vetëm sepse natyra dalëngadalë po e zbut zemërimin e saj por mbi të gjitha sepse mijëra punonjës të përkushtuar të institucioneve shtetërore përkatëse luftuan dhe janë duke luftuar ditë e natë me kapricot e saj krah për krah me qytetarët. Nivelet e prurjeve në kaskadat e liqeneve janë duke rënë, po ashtu edhe ndërtimi dhe forcimi i argjinaturave është duke ecur përpara e kështu gradualisht po i vihet fre vërshimit të ujit përmbytës. Brenda dhjetë ditëve situata do të normalizohet, uji do të tërhiqet, dëmet do të kalkulohen dhe do të fillojë puna për riparimin. Brenda këtij viti do të fillojnë investimet për marrjen e masave ekstreme kështu që situata të tilla të mos përsëriten dhe të gjithë banorët e dëmtuar do të dëmshpërblehen. Jeta do t’i kthehet normalitetit dhe Shkodra do të jetë rishtazi qyteti i traditës dhe qytetarisë. Qeveria do të vazhdojë punën e saj dhe në qershor do të liberalizohen vizat. Shqipëria do të marrë statusin e kandidatit ndërsa ti do të hysh në parlament ose përndryshe do të humbasësh grupin parlamentar dhe më pas do të humbasësh zgjedhjet vendore, nuk do të jesh më kryetar i Bashkisë së Tiranës e së fundmi aty nga viti tjetër do të lësh edhe postin si kryetar partie. Pastaj do të hysh në depresion…Edi, ky është realiteti që do të përjetosh me sy hapur. Nuk e kam stisur unë, as është kjo ëndrra ime. Ky është realiteti që ke ndërtuar vetë, ditë mbas dite. Nëse do që qytetarët e këtij vendi të të respektojnë e ndoshta edhe të të votojnë, nëse do ta ndryshosh të ardhmen që po i rezervon vetes atëherë çoje grupin parlamentar në parlament e aty kritiko çfarë nuk shkon mirë e propozo të bëhet më mirë, mos nis më fletërrufe në Bruksel por lufto përkrah qeverisë që vizat të liberalizohen edhe vish çizmet e shko në Shkodër ashtu siç po bëjmë të gjithë. Mos dëgjo Takun, as Kënon e as Erin, ata nuk kanë çfarë të humbasin sepse tashmë kanë humbur gjithçka edhe dinjitetin njerëzor, por ti je ndryshe, ti je ende kryetar edhe për pak kohë, sillu si i tillë e mos ëndërro sepse askush në këtë vend përveç të dëshpëruarve që ke mbledhur rreth vetes nuk do të të ndjekin në marrëzi. Shqiptarët tashmë janë qytetarë evropianë. 

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›