E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shtatzëna, me kamion për në maternitet

 SHKODER/ RITVAN DIBRAEmergjenca shëndetësore në zonat e përmbytura. Një shtatzënë, në prag të lindjes, ka kaluar peripeci për të përfunduar deri në maternitetin e Shkodrës. Po ashtu dhe një fëmijë nga Dajçi, të cilit i është dashur ndërhyrja mjekësore për shkak të një infeksioni të rëndë. Dy rastet janë të parat që kanë kërkuar ndihmë urgjente në këtë situatë katastrofe, në të cilën ndodhet rajoni i Shkodrës. Gruaja nga Velipoja është transportuar me mjete të ndryshme me të cilat ka udhëtuar gjatë natës, për të nxjerrë në jetë fëmijën e saj në orët e para të ditës. Nga burime të shtabit të emergjencës mësohet se ndihma për gruan është kërkuar me urgjencë të premten në mbrëmje. Sapo i kanë nisur dhimbjet e lindjes është dhënë alarmi, pasi në atë orë të vonë dhe në kushtet e përmbytjes së rrugëve lidhëse të komunës me qytetin e Shkodrës, ka qenë tepër e vështirë mbërritja në kohë në spital. Fillimisht ka qenë mjeku i zonës, i cili me ndihmën e kryetarit të Komunës kanë bërë dërgimin e të sëmurës me autoambulancë deri në afërsi të urës së Gjo Lulit. Më pas shtatzëna është hipur mbi mjetet e ushtrisë dhe është përcjellë deri në rrugën e Malit të Jushit. Udhëtimi nuk ka përfunduar këtu. Pasi në këtë zonë priste një autoambulancë nga Shkodra, e cila e ka transportuar më në fund në maternitet, ku dhe lindi një vajzë në orët e para të së shtunës. Mjekët kanë pohuar se gjendja e nënës dhe e foshnjës është e mirë. Rasti i dytë ka qenë një fëmijë i fshatit Dajç. Ai është transportuar nga Dajçi për në Obot e më pas për tek rruga e Muriqanit me anë të një motobarke të ushtrisë. Aty me anë të një autoambulancë, fëmija, i dyshuar se është prekur nga një infeksion në rrugët urinare, u dërgua në spitalin e Shkodrës. E njëjta rrugë është ndjekur dhe për dy të sëmurë nga fshati Obot, të transportuar për në spitalin e Shkodrës me anë të varkave. Ndërkohë, nga inspektimi i personelit shëndetësor në konviktin e shkollës industriale, ku janë të strehuar 226 vetë, të larguar nga komuna Gur i Zi dhe fshati Kuç janë konstatuar dhe katër raste me probleme: një fëmijë me bronkit akut, një rast me gastrit akuti dhe dy raste me gjendje hipertensive. Kontrolli ka vazhduar dhe në komuna e fshatra të tjera, si dhe në hotel “Rozafa” dhe konviktet e shkollave ku qëndrojnë prej ditësh të larguarit nga zona e përmbytjes. Mësohet se nga Ministria e Shëndetësisë është siguruar një rezervë medikamentesh, të cilat u janë shpërndarë të gjitha qendrave shëndetësore si për qytetin dhe për fshatin. Nga ana e organizatës MALTEZER është marrë përsipër ofrimi i shërbimit shëndetësor të qendrës ku janë të akomoduar personat e komuniteti rom në repartin Ushtarak Rrenc. Aty janë vaksinuar 41 fëmijë, deri në 10 vjeç. Sipas burimeve nga shtabi i emergjencës në Shkodrës, nga strukturat e Drejtorisë së Shëndetit Publik dhe asaj të Spitaleve po bëhet monitorimi i zonave të mbuluara nga uji dhe ambienteve ku ndodhen personat e evakuuar. Ministri i Brendshëm, Lulëzim Basha, në një prononcim u shpreh se pavarësisht situatës nuk ka rrezik për një epidemi, pasi të gjitha ambientet janë nën kontroll të vazhdueshëm. Gjatë ditëve të fundit, në zonat e përmbytura janë transportuar ndihma ushqimore, mes tyre dhe ujë të ambalazhuar, pasi tubacionet janë përmbytur.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›