Libra & puseta
Edmond Tupja Para një muaji e ca, tek vërtitesha rrugëve të Tiranës, me biçikletë natyrisht, pata ndjesinë e çuditshme që diçka i mungonte kryeqytetit tim të lindjes (dhe, me shumë gjasë, të vdekjes) përveç kapakëve të hekurt të pusetave ku, netëve të errëta, kalimtari i pavëmendshëm mund të krisë apo të thyejë ndonjë gjymtyrë jo të tepërt, duke rënë thjesht brenda. Në fakt, nuk po bridhja për të inventarizuar pusetat pa kapakë, detyrë kjo e autoriteteve kompetente të Bashkisë, e cila, me sa duket, nuk ka as kohën, as talentin dhe as dëshirën e duhur për ta kryer një mision të tillë, që të shmangen të paktën krisjet apo thyerjet e gjymtyrëve të lartpërmendura. ç’është e vërteta, isha nisur në kërkim të një libri të rrallë që, siç më kishin sugjeruar, mund ta gjeja vetëm në katër a pesë libraritë më serioze e më me emër të kryeqytetit shqiptar. Vetëm pasi hyra në këto të fundit, e dola prej së pestës me librin e lakmuar në dorë, e kuptova se çfarë i mungonte Tiranës: këto katër a pesë librari i mbaja mend, nuk e di prej sa kohësh, me nga një vitrinë librash në hyrje të tyre, njëfarë hapësire publicitare, ku ekspozoheshin botimet e fundit; edhe kur s’kisha në plan të blija ndonjë libër, këto vitrina më tërhiqnin e unë kundroja librat e rinj që ma bënin me sy dhe, jo rrallëherë, futesha në librari për ta blerë librin magjepsës. E blija dhe ndihesha mirë, shumë mirë, më i plotë, më i rritur, më i bukur përbrenda. Po përse vallë të ishin zhdukur këto vitrina, këto hapësira modeste ku i bëhej publicitet jo artikujve të rëndomtë si këpucë, veshmbathje të brendshme e të jashtme, enë kuzhine, hidrosanitare, mobilje, vezë, rrush, fiq, salcë, mish, peshk e vezë etj., etj., por vlerave të tilla shpirtërore si kultura dhe dija të përcjella te publiku falë librave pikërisht? Të vërtetën lidhur me këtë çështje do ta mësoja pas disa ditësh:Me vendim qeverie në përfitim të bashkisë së kryeqytetit, hapësira publicitare që, për çdo biznes apo objekt tregtues, deri më 1 tetor 2009 tatohej, në vit e për metër katror, me 10 000 lekë (të rinj, sigurisht), pas kësaj date tatohen 4,5 herë më shumë. E pabesueshme! Në këtë mënyrë, libri trajtohet barabar me mallrat e konsumit të përditshëm si çorape, brekë, të mbathura, tanga, poture, benevrekë, sutjena, oturakë, pumpers, kruarëse veshësh e dhëmbësh, letër higjienike etj., etj. Ende sot e kësaj dite, nuk gjej dot fjalë për të cilësuar shtangien time! Në vend që katër a pesë libraritë serioze në fjalë, të vetmet në Tiranë me vitrina modeste librash të rinj në hyrje të tyre, të përfitonin një status të veçantë për hir të misionit të tyre si përhapëse të dijes e të kulturës, qoftë edhe me anë të një përjashtimi nga e përgjithshmja, ato konsiderohen si dyqane të rëndomta prodhimesh konsumi të përditshëm, a thua se çdo libër, d.m.th. çdo artikull i tyre prej letre, ka po aq vlerë sa një top letre higjienike! E kuptoj, pra, fare mirë zhgënjimin e librarëve, të cilët nuk mund e nuk kanë pse të paguajnë një taksë të tillë që i ul ata rrafsh me tregtarët e rëndomtë të artikujve më të rëndomtë të një konsumi edhe më të rëndomtë!“Po ç’lidhje paskan librat me pusetat?” – mund të pyesë lexuesi i vëmendshëm e i paanshëm i rubrikës sime të së dielës. Sinqerisht, unë mendoj se e kanë një lidhje: në një pusetë mund të hedhësh një kartopecetë të përdorur, po ashtu një prezervativ po aq të përdorur, një koçan lakre apo forblat e një fruti, një kruarëse veshësh apo dhëmbësh, një çamçakëz të stërpërtypur etj. etj., por jo një libër. Gjithsesi, sipas mendimit tim, mospajisja me kapakë e pusetave tregon, paralelisht me katërfishimin e taksës për vitrinat e librave në hyrje të librarive të lartpërmendura, se autoritetet kompetente të Bashkisë së Tiranës mendojnë që një libër mund të flaket pa problem madhor në një pusetë mike vertik(h)ale të librit dhe, pse jo, bashkë me të, me raste, edhe librarët e lexuesit! Ndoshta, së shpejti, shqiptarët mund të tatohen edhe për librat që lexojnë e për radiot që dëgjojnë, ashtu siç tatohen në mënyrë absurde për televizionin që shohin ose nuk shohin, kanë ose nuk kanë në shtëpitë e tyre.Së fundi, por jo më së paku, me zhdukjen e vitrinave publicitare para librarive më serioze dhe më me emër të kryeqytetit tim të lindjes (dhe, me shumë gjasë, të vdekjes), ky i fundit privohet, sipas meje, nga ato sinjale apo mesazhe pamore që i thonë vizitorit, qoftë ky vendës apo i huaj, që tiranasit ende e duan librin dhe kulturën e tij, që ata besojnë te vlerat e tij informuese, edukuese dhe shëndetshëm argëtuese.