Shtohet numri i të evakuuarve, lënë shtëpitë 4748 persona
Kanë lënë shtëpitë e tyre të tjerë banorë të zonave të përmbytura nga uji ose ato që rrezikojnë të pësojnë të njëjtin fat. Një pjesë e familjeve, kryesisht kryefamiljarë, kanë vazhduar të qëndrojnë në shtëpitë e tyre, duke u strehuar në katet e larta. Por, kur kanë parë se gjatë këtyre ditëve uji nuk është tërhequr kanë kërkuar ndihmën e emergjencave. Një pjesë tjetër janë detyruar që të ikin, pasi u kanë mbaruar rezervat ose nuk kanë marrë ndihmat e shpërndara. Deri tani janë larguar 4748 vetë, të strehuar tek të afërm, një pjesë te hotel “Rozafa” e të tjerë në konviktet e shkollave. Megjithatë, ka akoma nga ata banorë, të cilët nuk duan të lënë shtëpitë, siç janë në zonën e Daragjatit apo Shirqit. Fatime Xhaferi, një nga banoret e strehuar në hotel tregon se është larguar nga banesa e saj në fshatin Samrish të Dajçit. “E gjithë shtëpia është përmbytur prej 2 ditësh. Lartësia e ujit ka arritur 1.3 metër. Fillimisht menduam se mund ta kalonim si herët e tjera e nuk kishim kujt t’ia linim shtëpinë e bagëtitë se mos na vidhnin. Por, kur uji hyri në shtëpi atëherë kërkuam ndihmë. Erdhën forcat e ushtrisë për të na marrë me mjetet e tyre të transportit. Deri tani nuk ankohemi. Të paktën jemi të gjithë bashkë: unë, burri dhe 3 fëmijët. Ushqimin dhe fjetjen e paguan shteti, por po mendojmë se kur të kthehemi si do t’ia bëjmë për bagëtitë, pasi ato janë jeta jonë”.