Sajmir Tahiri: Kriza humanitare nga babëzia e qeverisë
Partia Socialiste akuzoi dje qeverinë si përgjegjëse për katastrofën në zonën e Shkodrës. Deputeti Socialist Sajmir Tahiri i kërkoi prokurorisë të nisë hetimet. “Kjo katastrofë nuk ishte natyrore dhe për këtë duhet të mbajnë përgjegjësi të gjithë ata që me veprimet ose mosveprimet e tyre, shkaktuan këto pasoja. Duke filluar me Dritan Priftin i cili duhet të largohet nga detyra jo vetëm se është përgjegjës për këtë që ka ndodhur, por edhe për t’i dhënë siguri banorëve të përmbytur, edhe të gjithë shqiptarëve se katastrofa të tilla nuk do të përsëriten në të ardhmen.” Deputeti socialist tha se “Prokuroria duhet të hetojë rigorozisht që për mediokritet, paaftësi, gabim apo më keq akoma me dashje ka shkelur ligjin dhe rregulloren teknike”. PS ka akuzuar për këtë situatë qeverinë, e cila sipas deklaratës së deputetit socialist Sajmir Tahiri, e la të ndodhte kjo katastrofë për arsye korruptive, për të fituar nga eksporti i energjisë duke shkaktuar përmbytje të mëdha në veri të vendit dhe këtë emergjencë humanitare që po pason për të shpëtuar jetët, për të shpëtuar pasurinë e asaj zone. “Babëzia e qeverisë përfiton me çdo kusht nga eksporti i energjisë, duke mbushur digat edhe përtej limitit të lejuar e shtyn atë përtej limitit të mundshëm në përmbytje të këtyre përmasave të jashtëzakonshme. Kjo katastrofë nuk është natyrore dhe për këtë duhet të mbajnë përgjegjësitë të gjithë ata që më veprimet dhe mosveprimet e tyre shkaktuan këto pasoja” u shpreh Tahiri. Deputeti i PS-së deklaroi më tej se për këtë katastrofë të ndodhur askush nuk ka marrë përgjegjësitë dhe kjo është e pafalshme në kushtet kur kjo katastrofë nuk erdhi për shkaqe natyrore.