Gratë në biznes, 17 për qind e tyre drejtohen nga gratë
Zonat urbane kanë numrin më të madh të drejtueseve femra. Xheka: "Punësimi i gruas, i favorshëm në sektorin e administratës publike"
Emanuela Sako
Festa e gruas ka bërë që institucionet të bëjnë një bilanc për përfaqësimin e grave në pozicionet drejtuese të bizneseve. Kështu, rreth 17 për qind e drejtuesve të biznesit privat janë gra. Numri më i madh i bizneseve të regjistruara, që drejtohen nga gratë, ka një përqendrim të madh në zonat urbane, ku edhe mundësitë për biznese janë më të mëdha. Rreth 85 për qind e këtyre bizneseve të drejtuara nga gratë ndodhen në zonat urbane dhe 15 për qind në zonat rurale. Vendin e parë e zë Tirana, me përqendrim 31 për qin, Durrësi me 8.7 për qind dhe Elbasani me 6.2 për qind. Statistikat janë kryer nëpërmjet Drejtorisë së Politikave të Shanseve të Barabarta në Ministrinë e Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta. Punësimi te gratë shqiptare kufizohet nga një sërë faktorësh: detyrimi dhe përgjegjësia për rritjen e fëmijëve, kryerja e punëve të shtëpisë, niveli arsimor, aksesi i kufizuar në formimin profesional, pronësia dhe mundësia për të përfituar kredi, etj.
Bizneset me drejtuese gra
Vitet e fundit gratë janë angazhuar më tepër në bizneset private, duke drejtuar biznese të ndryshme sipas mundësive të kushtëzuara nga faktorët ekonomikë apo arsimorë. Gratë kanë ngritur bizneset e tyre kryesisht në aktivitete ekonomike të tilla si tregti, shitje me shumicë, dyqane, shërbime të ndryshme si dentist, noteri, avokati, parukeri, agro-biznes, industri, në prodhimin e bulmetit, tekstil, botime librash, rrobaqepësi dhe punime artizanale.
Sipas statistikave të Ministrisë së Punës, aksesi i gruas në arsimim është i barabartë me burrat, por kjo nuk u siguron atyre të njëjtat mundësi në tregun e punës. “Situata e punësimit të gruas është më e favorshme në sektorin e administratës publike, ku gruaja zë 56 për qind të të punësuarve, ndërsa burrat 44 për qind. Pabarazia është shumë e dukshme në sektorin privat, ku një numër shumë i vogël i grave, vetëm 17 për qind, arrin në nivelin e menaxhereve”, - theksoi Xheka.
Ligji i punësimit të grave
Drejtuesja e Drejtorisë së Politikave të Shanseve të Barabarta në Ministrinë e Punës, Ana Xheka, shpjegoi se aktualisht femrat e punësuara zënë 40 për qind të totalit të punësimeve. Analiza e nivelit të punësimeve në vite evidenton se gjatë gjithë periudhës 1993-2007 niveli i punësimit të femrave ka qenë dukshëm më i ulët se ai i meshkujve. Në ligjin “Për nxitjen e punësimit” janë përfshirë disa programe, midis të cilëve programi i nxitjes së punësimit të punëkërkuesve të papunë nëpërmjet formimit në punë. Në Programin e nxitjes së punësimit të punëkërkuesve të papunë femra kanë prioritet femrat e grupeve të veçanta. Në këtë kategori përfshihen ato që janë mbi 35 vjeç, viktimat e trafikut apo gratë në risk, të komunitetit rom etj. Sipas statistikave në fund të vitit 2007 niveli i papunësisë u ul në 13,3 për qind nga 13,8 që ishte në vitin 2006. Ndërsa për vitin 2008 në funksion të programeve të nxitjes së punësimit janë parashikuar nga buxheti i shtetit 200 milion lekë nga 120 milionë që ishte një vit më parë. Nga ky fond do të përfitojnë 10500 ndërmjetësime, pra punësime të reja, nga të cilët 1350 nga skema e mbështetjes me të ardhura, pra nga ndihma ekonomike dhe pagesa e papunësisë.
Nxitja e punësimit të grave, hiqen disa përfitime për biznesin
Dita e 8 Marsit është përkujtuar nga e gjithë politika duke thënë edhe mesazhe sensibilizuese. Politikanët kanë kërkuar një angazhim më të madh të femrës në vendimmarrje dhe ka pasur propozime të tilla si ai i kryeministrit Sali Berisha që duhet të ketë 30 për qind gra në Kuvend. Gruaja në Shqipëri ka një status të veçantë dhe kjo ndihet kur ato punësohen në biznes privat. Qeveria aktuale kur erdhi në pushtet ka përcaktuar disa benefite për biznesin që punëson gra, por disa prej këtyre përfitimeve janë shkurtuar. Kështu, në një vendim të datës 20 mars 2006, qeveria “Berisha” hartoi disa udhëzime që mbështesin biznesin që punëson gra. Por në datën 7 shkurt të këtij viti ka hyrë në fuqi një udhëzim i qeverisë, i cili shkurton disa përfitime për granë që punësohen. Kështu, në vendimin e vitit 2006 përcaktohen se kur punësimi bëhet sipas pikës 3 të vendimit të sipërpërmendur, përveç financimit sipas këtij udhëzimi përfitojnë 8 paga minimale në shkallë vendi. Gjithashtu 7 paga jepen në 7 muajt e parë të zbatimit të kontratës dhe 1 pagë jepet në muajin e fundit të zbatimit të kontratës. Kjo pikë ka ndryshuar dhe nga 8 paga minimale që përfitohej në shkallë vendi u bë në 4 paga dhe tashmë 3 paga do të jepen për tre muajt e parë të zbatimit të kontratës dhe jo 7 paga siç ishte parashikuar në vendimin e parë si dhe 1 pagë jepet në muajin e fundit të zbatimit të kontratës. Çdo biznes ka të drejtë të aplikojë në programin e nxitjes së punësimit të punëkërkueseve të papuna femra çdo punëdhënës, i cili është person juridik ose fizik. Punëdhënësit që aplikojnë duhet të plotësojnë disa kushte. Për të përfituar nga ky program, punëdhënësi duhet të paraqesë dokumentet pranë zyrës kompetente të punësimit të rrethit ku ai zhvillon aktivitetin.
Simbolika e festës së 8 Marsit
Festa e 8 Marsit është dita ndërkombëtare e grave anembanë botës. Kjo ditë festohet në shumë vende të botës me po të njëjtin përkushtim. Dita ndërkombëtare e grave është historia e grave të zakonshme që kanë bërë histori. Kjo ditë është rrënjosur si luftë shekullore e grave për të marrë pjesë në shoqëri në nivel të barabartë me burrat. Ideja e ditës ndërkombëtare të grave erdhi në fillim të shekullit të 20-të në botën e industrializuar si pjesë e zgjerimit, rritjes së popullsisë dhe ideologjive radikale. Ndaj sot, në këtë ditë ne të gjithë nderojmë punën e tyre të madhe në edukimin dhe ecurinë për përgatitjen e një brezi të ri me virtytet më të mira për të ecur përpara në rrugën e vështirë të jetës. Të kujtojmë sakrificat e tyre. Të tregojmë më shumë respekt për punën dhe veprën e tyre.
Bamir Topi:
“Të nderuara nëna, gra, motra!
Kam kënaqësinë e veçantë sot të përshëndes të gjitha gratë e pranishme në këtë ambjent, përfaqësuese të shoqërisë civile e të sferës publike, i bindur që në krahun tuaj gjenden virtualisht të gjitha gratë e Shqipërisë, të cilat me urtësi, dinjitet dhe përkushtim ditën t’u përgjigjen kërkesave të kohës përgjatë trajektores së historisë. Bashkë me ju përshëndes të gjitha gratë shqiptare kudo që ndodhen. Kjo ditë është simbol i festës dhe i kujtimit për të gjitha ato gra që kanë kontribuar në progresin e shoqërisë shqiptare, në përmirësimin e pozicionit të grave në shoqëri dhe në të gjitha sfidat tona kombëtare. Unë konstatoj me admirim se gruaja shqiptare, me cilësitë dhe meritat e saj, i është imponuar realitetit tonë, duke i tejkaluar pengesat ndaluese që në nisje, ndalesa objektive e subjektive, tradicionale e aktuale”.
Sali Berisha:
“Për një komb si i yni, shpalosja e potencialeve të mëdha të grave dhe vajzave shqiptare, të ndrydhura për shkak të një mentaliteti të vjetër, përbën një nga kushtet më vendimtare për emancipimin tonë shoqëror dhe kombëtar. Unë jam shumë i vendosur dhe e konsideroj jashtëzakonisht të rëndësishëm përcaktimin e një kuote përfaqësimi për gratë jo më pak se 30 për qind në parlament dhe në qeveri dhe kam kënaqësinë të theksoj se po në këtë pozicion qëndron edhe opozita shqiptare. Në rast se ne do t`i shndërrojmë këto parime në vepra konkrete dhe do të vendosim kuota, kjo situatë do të jetë ndryshe”.
Jozefina Topalli:
“Dita e 8 marsit është dita ndërkombëtare e pjesës më delikate të shoqërisë, qenies më të brishtë, që i jep jetë jetës, e gruas, e cila kudo që është sjell vetëm paqe dhe dashuri. Ndaj unë u bëj urimet më të mira të gjitha grave. Atyre që janë në karrierë u uroj suksese në karrierën e tyre. Atyre që kanë marrë përsipër detyrën e kujdesit dhe përkushtimit ndaj fëmijëve, që është gjëja më e bukur dhe që sjell ndjesitë më të veçanta, u bëj urimet më të mira: qofshin nënat më të lumtura! Sigurisht, u bëj gazetareve urimet më të mira. Urimet më të mira të gjitha grave që synojnë në karrierën e tyre, që kanë përkushtim, që kanë profesionalizëm.
Shpreh në të njëjtën kohë edhe një mesazh të veçantë për ato gra që kanë qenë viktima të dhunës, që shpeshherë nuk ua kemi dëgjuar zërin, për faktin se dhuna familjare nganjëherë mbetet e konsumuar brenda mureve të heshtjes si një film pa zë”.
Edi Rama:
“Unë kisha dëshirë që sot të komunikoja urimin për të gjitha gratë edhe vajzat në një ditë që është më shumë se një ditë e zakonshme edhe për ne, edhe për Partinë Socialiste ku çështja e barazisë gjinore dhe e integrimit të grave dhe të vajzave në të gjitha strukturat dhe forumet drejtuese është një çështje në qendër të vëmendjes gjatë 365 ditëve të vitit. Por, 8 Marsi ka një timbër të veçantë dhe për këtë besoj që është e udhës që si partia e cila ka marrë flamurin e përpjekjes strukturore për të krijuar brenda saj dhe në strukturat institucionale të shtetit dhe të shoqërisë një sens të ri emancipues të rolit dhe njëkohësisht të vendit të grave dhe të vajzave, gë që besoj jo vetëm na bën nder, por është e domosdoshme për një Shqipëri të re, për një Shqipëri të ekuilibruar, për një Shqipëri të zhvillimit të qëndrueshëm dhe mirëqenies sociale”.
Kosta Barka:
“Duke qenë një ditë reflektimi e meditimi për një nga detyrimet, dashuritë dhe ndjenjat më të thella njerëzore, kjo ditë është një momentum për një lëvizje të gjerë shoqërore, politike, kulturore e njerëzore, e cila ka nevojë për kontributin e të gjithëve. Dita e gruas është momentum për një rishikim të filozofisë, strategjisë dhe aksioneve tona të veprimit për barazi gjinore, si një ndër aspektet më të rëndësishme të barazisë e drejtësisë sociale. Pabarazia gjinore duhet të zgjidhet anembanë Shqipërisë, jo vetëm në Tiranë, por në të gjitha fshatrat e vendit, atje ku gratë dhe vajzat luftojnë me paragjykimet, varfërinë dhe përjashtimin”.
Filloreta Kodra:
“Lëvizja Socialiste për Integrim përshëndet gratë e vajzat shqiptare sot, në ditën ndërkombëtare të grave. Ne sot përshëndesim nënat, motrat dhe shoqet tona që krijojnë jetën, rrisin dhe edukojnë brezat që sigurojnë vazhdimësinë e shoqërisë e të kombit, vazhdimësinë e vlerave dhe traditave. Kjo ditë përkujton fitoren më të madhe të gjysmës së popullsisë së globit, të drejtën e votës për gratë. Megjithëse gratë shqiptare e gëzojnë këtë të drejtë, përfaqësimi i tyre është shumë i ulët dhe si rjedhim ato ndikojnë shumë pak në jetën politike, ekonomike dhe sociale të vendit. Shqipëria është vendi me numrin më të vogël të grave që marrin pjesë në politikë në Europë”.
Ilir Meta:
“Nuk mund të ketë një Shqipëri europiane pa një raport të ri, pa një balancë gjinore kudo, pa një respekt të veçantë për femrën shqiptare jo vetëm me fjalë, por në radhë të parë të ketë dhënie të mundësive të barabarta për t’u shprehur. 8 Marsi është një ditë ku të gjithë duhet të angazhohemi për të ndërtuar një shoqëri të emancipuar, për të ndërtuar vërtet një shoqëri solidare, një shoqëri pa diskriminim gjinor, një shoqëri vërtet europiane.
Nuk mund të ketë shoqëri të emancipuar pa kohezion social dhe nuk mund të ketë shoqëri të emancipuar po të vazhdohet të diskriminohet gjysma e shoqërisë, të diskriminohet pjesa më vitale e saj. LSI në debatet e fundit që po bëhen për miratimin e sistemit zgjedhor këmbëngul që të miratohet një sistem që të ketë përfaqësim dinjotiz të femrës në parlament. Shprehim bindjen tonë që në grupin parlamentar të ardhshëm LSI do të përfaqësohet me një pjesë vitale të femrës shqiptare”.
10 Mars 2008