E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pronat në Kashar, verifikim kadastrës për 10 vjetët e fundit

Deponime nga banorët për tjetërsimin e pronave, shtatë veta në pranga. Përfituan tokë të afërm, familjarë dhe miq të të arrestuarve
TIRANË – Edhe disa persona të tjerë nën hetim për abuzimet me tokat në Komunën e Kasharit, në Tiranë. Burime pranë Prokurorisë së Tiranës thanë për gazetën se objekt hetimi janë bërë të gjitha procedurat e ndjekura nga ish-punonjës të kësaj komune në 10-vjeçarin e fundit.
Verifikimet
Sipas të njëjtave burime, grupi hetimor po verifikon praktikën e ndjekur nga zyrtarët vendorë për pronat e Kasharit, të cilat mendohet se janë tjetërsuar përmes falsifikimit të akteve të pronësisë për qëllime përfitimi. Po ashtu, hetimet janë shtrirë edhe në Zyrën e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme dhe Kadastër, ku prokurorët po marrin informacion në lidhje me regjistrimin e këtyre tokave. Nga të njëjtat burime mësohet se prokurorët e Tiranës kanë administruar edhe shumë deponime nga banorë të kësaj komune, të cilët pretendojnë se u janë tjetërsuar pronat. Deponimet e tyre, sipas burimeve nga prokuroria, i janë bashkëngjitur dosjes “Kashari” dhe aktualisht janë në shqyrtim.
Operacionet
Hetimet për abuzimet me tokat në Komunën e Kasharit kanë çuar në pranga shtatë persona, mes tyre kryekomunarë dhe ish-funksionarë të kësaj komune. Kështu, gjatë operacionit të koduar “Kashari 2”, i cili u organizua më 1 dhjetor të vitit të kaluar nga Policia e Shtetit, në bashkëpunim me njësinë Task Force në Prokurorinë e Tiranës, u arrestuan shtetasit: Alfred Sulaj, 33 vjeç, kryetari i Komunës Kashar, Naim Karaj, 45 vjeç dhe Faik Fejza, 56 vjeç, ish- kryetarët e kësaj komune, përkatësisht për periudhën 2000-2003 dhe 2003-2007, Islam Shera, 65 vjeç, ish-kryeplaku i kësaj komune, Shefqet Alikaj, 51 vjeç, ish-përgjegjësi i Zyrës së Kadastrës, Ismail Sulaj, 42 vjeç dhe Xhevahir Hyka, 43 vjeç, banues në Kashar. Këta persona po hetohen për veprat penale “korrupsion pasiv nga të zgjedhurit vendorë”, “shpërdorim detyre”, “falsifikim të dokumenteve zyrtare”.
Hetimet
Nga hetimet e deritanishme të kryera me metoda speciale të hetimit, shtetasit e mësipërm dyshohet se në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë falsifikuar dokumentet e ndarjes së tokës, kanë pajisur me vërtetim pronësie persona të ndryshëm, jo banorë të komunës Kashar, kundrejt përfitimeve të paligjshme. Madje, dyshohet se personat që kanë përfituar padrejtësisht tokë rezultojnë të afërm, familjarë ose miq të të arrestuarve. Gjatë kontrolleve të ushtruara në banesat e tyre, policia bllokoi dhe sekuestroi me cilësinë e provës materiale shumë dokumente dhe formularë, që komprometojnë veprimtarinë e tyre në ushtrimin e funksioneve dhe detyrave që kryenin si përfaqësues vendorë në komunën e Kasharit. Ndërkohë, nuk përjashtohet mundësia që në këtë çështje të jenë përfshirë edhe të tjerë persona.

U arrestuan

Alfred Sulaj, 33 vjeç, kryetari i Komunës Kashar
Naim Karaj, 45 vjeç, ish-kryetar i kësaj komune, 2000-2003
Faik Fejza, 56 vjeç, ish-kryetar i kësaj Komune, 2003-2007
Islam Shera, 65 vjeç, ish-kryeplaku i kësaj komune
Shefqet Alikaj, 51 vjeç, ish-përgjegjësi i Zyrës së Kadastrës Ismail Sulaj, 42 vjeç, banues në Kashar
Xhevahir Hyka, 43 vjeç, banues në Kashar

10 Mars 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›