E Diel, 1 Nëntor 2026

Si u festua 8 Marsi në Burgun 325

Pesëmbëdhjetë të dënuara lanë dje qelinë. Të dënuarat: “Presidenti na bëri dhuratën më të bukur”
Laureta Rryçi

Tiranë – “15 gra lanë të shtunën qelitë e Burgut 325, në Tiranë, ndërkohë që 15 të tjera përfitojnë një ulje të dënimit nga 1-3 vjet”, - u shpreh për “Albania”-n drejtoresha e këtij burgu, Marinela Sota. Me këtë rast, Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve zhvilloi në Ditën Ndërkombëtare të Gruas një ceremoni festive me të gjitha gratë që vuajnë dënimet në Burgun 325, si dhe në institucionin e Paraburgimit 313 në Tiranë. Drejtori i Burgjeve, Gazmend Dibra, i pranishëm në këto aktivitete, lexoi edhe emrat e secilës prej të dënuarave që përfitojnë ulje dhe falje dënimi nga dekreti më i fundit i Presidentit Bamir Topi. Afërdita Lilaj, njëra prej 15 grave që fitoi lirinë (dënuar nga Gjykata e Rrethit Vlorë më datë 11.10.2004), u shpreh: “Ndihem e lumtur që më në fund do të jem e lirë dhe dua të falënderoj në mënyrë të veçantë Presidentin Topi”. “Dua t’u uroj të gjitha shoqeve të mia gëzuar 8 Marsin dhe një lirim sa më të shpejtë”, - tha Lilaj.
Falja
Festa e 8 Marsit ka sjellë dhuratën më të bukur për 31 gra të dënuara, të cilat kanë përfituar lirimin falë dekretit të firmosur dje nga Presidenti i Republikës. Mes femrave që kanë lënë qelitë është edhe Mimoza Shota, gruaja që vrau të dashurin e saj. Burimet zyrtare të Presidencës bëjnë të ditur se kreu i shtetit, Bamir Topi, dekretoi faljen e dënimit për 31 gra me Vendimin Nr. 5651. Ky hap është ndërmarrë një ditë përpara festës së gruas nga Presidenti i Republikës. Në listë janë përfshirë shumë prej femrave të kthyera tashmë në personazhe të njohura mediatike. Mes tyre është edhe Mimoza Shota, dënuar nga Gjykata e Rrethit Krujë me Vendimin Nr. 124, datë 08.12.2003. Tashmë ajo do t’i bashkohet djalit të saj, Eneas, të cilin e lindi dhe e ushqeu me gji në mjediset e Burgut 325 në Tiranë. Ishte pikërisht ky fëmijë shkak për të cilin Mimoza kreu krimin e rëndë, pasi i dashuri i saj i vuri në dyshim atësinë në kohën kur çifti ishte gati të ndërmerrte hapin për t’u martuar. E prekur në dinjitetin e saj, Mimoza e ka ndëshkuar Shkëlqim Shimën në qershorin e vitit 2003, në kushtet e tronditjes së rëndë, pasi ai i kishte kërkuar që të abortonte krijesën që kishte në bark. Mimoza atëherë ishte vetëm 17 vjeçe, ndërsa qe dje ajo është pranë djalit të saj, i cili, sipas saj, mbetet gjëja më e shtrenjtë e jetës së saj”.
Kërkesa
Disa muaj më parë, kryetarja e Kuvendit dhe deputetë të opozitës dhe maxhorancës morën një fushatë për ndalimin e dhunës. Ndërsa ministrja e Integrimit, në prag të festave të nëntorit, i kërkoi Presidentit të Republikës që sipas të drejtës kushtetuese të dekretonte lirimin e shumë prej femrave që vuajnë në qeli. Përgjigjja ka ardhur pas më shumë se katër muajsh, pikërisht në ditën e kremtimit të festës së 8 Marsit. Falë faljes së presidentit, 15 gra lanë dje qelitë duke uruar që të njëjtin fat të kishin vitin tjetër edhe bashkëvuajtëset e tjera. Ndërkohë, kishte dhe nga ato që megjithëse nuk e fituan lirinë sërish uljen e një apo dy viteve e cilësuan si dhuratën më të bukur që u ishte bërë deri dje nga ndonjë zyrtar i shtetit.

Box
LISTA E TË DËNUARAVE QË U LIRUAN NGA FALJA

1- Afërdita Zeqo Lilaj, i falet dënimi i mbetur
2- Bedrie Veiz Veizati, i falet dënimi i mbetur.
3- Dallëndyshe Islam Dollani, i falet dënimi i mbetur
4- Diana Demir Luli, i falet dënimi i mbetur
5- Flora Maliq Greku, i falet dënimi i mbetur
6- Hyrie Osmen Greku, i falet dënimi i mbetur
7- Jonida Prokop Kajana, i falet dënimi i mbetur
8- Leko Pelivan Greku, i falet dënimi i mbetur
9- Liri Bajram Çepele, i falet dënimi i mbetur
10-Mimoza Mustafa Shota, i falet dënimi i mbetur
11-Naslie Xheladin Veizi, i falet dënimi i mbetur
12-Nafije Bece Shquti, i falet dënimi i mbetur
13-Oskeola Mazllem Qosja, i falet dënimi i mbetur
14-Qazime Qani Ferro, i falet dënimi i mbetur
15-Zyra Kurt Kamberi, i falet dënimi i mbetur

10 Mars 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›