E Shtunë, 31 Tetor 2026

Incidenti në Budva, asnjë problem për shtetaset shqiptare

TIRANË - Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit reagoi dje në lidhje me incidentin me autobusin e “Albanian Interlain”, në Budva të Malit të Zi, duke konfirmuar se shtetaset shqiptare që kanë qenë me këtë autobus nuk kanë pasur asnjë problem. Në një komunikim me mediat, zëdhënësi i kësaj drejtorie sqaroi se policia e shtetit menjëherë ka marrë kontakte me autoritetet policore të Malit të Zi, të cilat konfirmojnë se në parkingun e autobusëve në Budva gjatë natës nga persona ende të paidentifikuar është dëmtuar feneri dhe pasqyra e autobusit. Shërbimi policor malazez ka filluar veprimet procedurale për këtë çështje. Zëdhënësi sqaroi se shtetaset shqiptare, që kanë qenë me këtë autobus, kanë vazhduar normalisht aktivitetet në këtë vend. Gjithashtu, ai informoi opinionin publik se nuk ka asnjë problem për personat që kanë udhëtuar me këtë autobus apo me autobusë të tjerë në drejtim të Malit të Zi.

Trajnim për një grup oficerësh të Policisë Gjyqësore

TIRANË - Një grup oficerësh të policisë gjyqësore pranë Policisë së Shtetit do të marrin pjesë në një kurs 1-javor në Turqi, i cili ka për qëllim rritjen profesionale të tyre në hetimet rreth veprimtarive kriminale, kryesisht luftës kundër krimit ekonomiko- financiar. Burime pranë Policisë së Shtetit bënë të ditur se pjesë e këtij kursi 1-javor, i cili do të fillojë të hënën e ardhshme, do të jenë 10 efektivë të policisë. Sipas këtyre burimeve, trajnimi i punonjësve të policisë ka qenë dhe mbetet prioritet për Policinë e Shtetit. Gjatë trajnimeve të vazhdueshme, të cilat janë organizuar brenda dhe jashtë vendit, oficerët e policisë janë njohur me praktikat bashkëkohore të hetimit dhe goditjes së çdo lloj veprimtarie kriminale dhe veçanërisht për luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Ndërkohë që shkëmbimi i eksperiencave në këto kurse dhe trajnime ka ndikuar në rritjen e performancës së trupës policore në vendin tonë. Rezultatet e arritura nga Policia e Shtetit në luftën kundër krimit të organizuar, trafiqeve ilegale dhe korrupsionit, sidomos vitet e fundit, kanë rritur besimin e publikut dhe partnerëve ndërkombëtarë.

Në një javë, Antikrimi ka arrestuar 35 persona

Tiranë - Mbi 35 persona janë arrestuar nga forcat e policisë së kryeqytetit në harkun kohor të një jave. Njëri prej tyre ka qenë person i shpallur në kërkim ndërkombëtar. Arrestimi më i bujshëm i kësaj jave rezulton të jetë ai i 35-vjeçarit Ilir Paja, nga Kuçova. Gjatë operacionit për kapjen e tij u plagos edhe një agjent policie. I dënuar nga autoritetet gjyqësore italiane për veprat penale “vrasje në rrethana cilësuese”, “vrasje e mbetur në tentativë”, “sekuestrim personi”, “plagosje dhe përdhunim”, ai u kap nga agjentët e policisë në Tiranë, pranë “Farmacisë 10”. Ndërsa personi i dytë, edhe ky i shpallur në kërkim, është Armando Hasani, akuzuar për vrasjen e një shtetasi në vitin 2005 në qytetin e Elbasanit. Mbi 40 për qind e të arrestuarve nga policia në harkun kohor të një jave rezultojnë të kenë konsumuar veprën penale të vjedhjes. Në kohë dhe zona të ndryshme të kryeqytetit, ata rezultojnë të jenë autorët e vjedhjeve, kryesisht të automjeteve, banesave, lokaleve, sendeve personale, etj. Ndërsa pjesa tjetër e personave të arrestuar në këtë hark kohor akuzohen për vepra të tilla penale si: “prodhim dhe shitje të narkotikëve”, “shkelje e rregullave të qarkullimit rrugor”, “armëmbajtje pa leje” si “falsifikim i dokumenteve”. Për veprat e sipërpërmendura është vendosur hetim në gjendje të lirë për 5 shtetas të tjerë.

10 Mars 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›