E Shtunë, 31 Tetor 2026

KESH-i përgatit blerjen e re të energjisë për 2008-n

KESH-i është duke përgatitur tenderin e radhës për të blejë energji elektrike nga importi. Bëhet fjalë për tenderin e madh që do të zhvillohet më 17 mars, për blerjen e 52 milionë eurove energji. Energjia që korporata kërkon të blejë arrin në 727.200 MW/H, e cila do të përdoret për periudhën prill-qershor 2008. Burime pranë KESH-it thanë për gazetën se, “blerja e kësaj sasie energjie do të sjellë furnizim normal me energji përgjatë muajve të stinës së pranverës”. KESH-i ka përfunduar dhe hartimin e termave të tenderit dhe pranimin e kontratave të operatorëve. Tenderi për blerjen e energjisë do të realizohet në 3 lote dhe rryma do të transmetohet në vend nëpërmjet njërës nga linjat e interkonjeksionit që kemi me Greqinë, Malin e Zi ose Kosovën. Sipas KESH-it, kriteret do të përzgjedhin kompanitë që ofrojnë çmimet më të ulëta të blerjes. Korporata do të pranojë edhe ofertat për sasi më të ulëta energjie se sasia totale e kërkuar në lote dhe për ata që nuk ofrojnë energji elektrike për të gjithë lotet. Në rastet e ofertave të paraqitura nga një bashkim shoqërish, gjatë vlerësimit të plotësimit të kërkesave të përcaktuara nga ana e korporatës, do të merren parasysh kualifikimet, gjendja financiare dhe aftësitë teknike e profesionale të këtij bashkimi, të marra së bashku. Fondet për blerjen e energjisë janë nga të ardhurat që vetë kompania ka siguruar nga fondet e buxhetit të shtetit, që janë planifikuar nga buxheti i këtij viti. Edhe vitin e kaluar, KESH-i shpenzoi shuma të konsiderueshme parash për blerje energjie. Importet e energjisë elektrike për 2007-n, arritën një rekord historik prej 49 për qindësh të konsumit të përgjithshëm vjetor, me një çmim mesatar importi prej 69 eurosh MWË/h. Shpenzimet për blerje energjie kapën shifrën prej 193 milionë eurosh, duke shënuar sasinë më të lartë të energjisë që është blerë nga KESH-i. Këtë vit korporata synon të blejë sasi më të vogla energjie nga importi, ku plani synon që për gjithë vitin 2008 importi të jetë 2.306 GWh.

Të dhëna:
Sasia e energjisë që do të blihet: 727.200 MW/h

Loti I - Blerje energjie në sasi 288.000 MW/h me vlerë limit 20.184.250 euro

Loti II - Blerje energjie në sasi 223.200 MW/h me vlerë limit 15.856.798 euro

Loti III - Blerje energjie në sasi 216.000 MW/h me vlerë limit 16.440.279 euro

10 Mars 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›