E Shtunë, 31 Tetor 2026

Edip Ohri: Nëna ime u martua me të birin e Ismail Qemalit

Edip Ohrin, gjithkush e njeh si ish-komandantin historik të Aviacionit Shqiptar, i cili ka dhënë një kontribut 20- vjeçar në krijimin dhe modernizimin e këtij reparti specifik të ushtrisë komuniste. Gjithashtu, Edip Ohri njihet nga opinioni i gjerë si ushtaraku i lartë që u arrestua me akuzën ogurzezë se donte të bombardonte Bllokun e banimit të udhëheqjes komuniste. Rastësia e bëri që t'i shpëtonte vdekjes dhe kështu, ushtaraku që kishte takuar Hrushovin, Mao Ce Dunin, që kishte qenë në disa takime të rëndësisë së veçantë të seancave të Traktatit të Varshavës, arriti të bënte plot 10 vite burg në qelitë speciale të Burrelit. E ndërsa sot, - kur jemi në valën e jubileut të madh të 100-vjetorit të shtetit tonë autonom, - lexuesi i gjerë do ta njohë Edip Ohrin në një këndvështrim tjetër. Ai ka qenë pikërisht djali i birësuar i të birit të Ismail Qemalit. Pra, rritja, edukimi dhe shkollimi i Edip Ohrit, e kanë zanafillën te njerku i tij, Qazim bej Vlora. Në këtë intervistë të veçantë, Edip Ohri tregon pikërisht situatat se si u detyrua e ëma e tij, Behija, të martohej pikërisht me të birin e Ismail Qemalit. Kush ishte jeta që ata bënin, duke pasur këtë kryefamiljar të ri, pas vdekjes së të atit. Historia e luftës dhe pozicioni i familjes së tyre krah lëvizjes, si dhe situata e krijuar kur, pas ardhjes së qeverisë komuniste në pushtet, Qazim bej Vlorës iu pre pensioni patriotik që merrte si i biri i patriotit të madh, gjë që e detyroi të përplaset me Enver Hoxhën dhe të largohet përfundimisht nga Shqipëria deri sa ndërroi jetë, në vitin 1953, në Strugë. Për më tepër, ndjekim intervistën e vetë Edip Ohrit.

Zoti Ohri, ju keni qenë djali i birësuar i të birit të Ismail Qemalit, Qazim bej Vlorës. Si ka qenë e kaluara e familjes suaj deri në momentin që nëna juaj u martua me Qazim bej Vlorën, i cili ishte ndërkohë edhe një nga këshilltarët dhe sekretarët personalë të burrit të madh të pavarësisë, Ismail Qemalit?
Familja ime, - babai, nëna dhe ne katër fëmijët, - kemi emigruar që nga Struga dhe u vendosëm këtu në Shqipëri. Pra, nga trevat shqiptare të Maqedonisë erdhëm në Tiranë dhe u vendosëm fillimisht në Rrugën e Kavajës. Por më vonë, babai im vdiq. Pas vdekjes së babait, nëna ime u martua me djalin e Ismail Qemalit, Qazim bej Vlorën.
Juve erdhët në Shqipëri nga Struga, kur babai juaj ishte gjallë?
Gjallë ishte dhe këtu ai vdiq.
Dhe u vendosët në...?
U vendosëm në Tiranë fillimisht.
Dhe në çfarë viti vdiq babai juaj?
Babai im vdiq në vitin 1936. Ka qenë kryetar komune në Shën Vlash të Durrësit. Pas vdekjes së tij, ne ramë në një gjendje ekonomike shumë të rëndë. Pas kësaj situate, miqtë e familjes, farefisi dhe të gjithë dashamirësit i sugjeruan nënës sime të martohej, se fëmijët donin burrë në shtëpi të rriteshin, se përndryshe askush nuk mund të dilte i gjallë nga ai fukarallëk i skajshëm. Ne ishim katër fëmijë, që kishim rënë nën kthetrat e urisë. Kështu, nëna ime vendosi të martohej dhe u martua pikërisht me djalin e Ismail Qemalit. Ky ishte djali i pestë i Ismail Qemalit. Siç dihet, Ismail Qemali ka pasur nëntë fëmijë, tre vajza e gjashtë djem, se një vajzë i ka vdekur që në lindje. E shoqja e Ismail Qemalit ka qenë Kleoniqi, e cila ishte me origjinë greke. Pra në këtë familje, djali i pestë i Ismail Qemalit, i cili në vitin 1936 u bë njerku im, ka qenë Qazim Beu.
Ai ka qenë edhe sekretari i tij, mos gabohem?
Djemtë e Ismail Qemalit, jo vetëm që e ndihmonin babanë e tyre në të gjitha udhëtimet që bënte në të gjitha vendet ku ai shkonte, por ata ishin edhe bodiguardë të Ismail Qemalit, edhe sekretarët e tij personalë. Kështu që, Qazim Beu, njerku im, ashtu siç thatë është e vërtetë që ka qenë sekretari personal i Ismail Qemalit. Siç më ka treguar personalisht ai, kudo që shkonte Ismail Qemali, atë e merrte me vete. Kështu, siç më thoshte, ai ishte takuar personalisht me Dedë Gjo Lulin dhe me shumë udhëheqës të kryengritjeve të viteve 1910 në Veri, si dhe me malësorët e atyre trevave. Por ai më ka treguar edhe për momentin historik, për vetë episodin që u luajt nga Isa Boletini, kur janë takuar me ministrin e Jashtëm të Anglisë, Eduart Grey, në zyrën e tij në Angli, ku është i njohur fakti i kobures rezervë që mbante në brez Isa. Qazim Beu ka qenë prezent dhe ma tregonte me hollësi atë moment, që i ngriti shumë shqiptarët në sytë e gjithë botës. Duhet ta ketë të njohur lexuesi, por gjithsesi po kujtoj vetëm telegrafisht si episod dhe një kuriozitet, ku, në udhëtimin që ka bërë për të takuar ministrin e Jashtëm të Anglisë, Eduart Grey, ishte edhe Isa Boletini: Para se të futeshin për t'u takuar me Eduart Greyn, pra në paradhomën e ministrit të Jashtëm të Anglisë, në qoftë se kishe armatime me vete ato duhej të dorëzoheshin, dhe Isa Boletini dorëzoi pistoletën që mbante me vete. Aty ka qenë edhe Qazim Beu; ka qenë bashkë me Ismail Qemalin, se siç ju përmenda saktësisht, ai e shoqëronte kudo babën e tij.
Është histori e njohur...
Po tashti, kur hynë brenda, Eduart Grey bëri një shaka me Isa Boletinin. "Ty, - i tha, - që nuk të kanë çarmatosur asnjëherë deri më sot, ja, ministri i Jashtëm i Anglisë po të çarmatos". "Qe besa jo, - i tha Isa, - ja ku e kam dhe patllaken tjetër". Kaloi pastaj në një humor dhe më pas vazhdoi normalisht biseda.
Më falni, i biri i Ismail Qemalit, domethënë Qazim Beu, ishte prezent në këtë bisedë?
Ishte prezent në këtë bisedë.
Merrte pjesë pranë të atit?
Po, bashkë me të atin, se ishte sekretari i tij personal.
Juve thatë se u martua me nënën tuaj pas vdekjes së babait, në vitin 1936. Nuk kishte fëmijë ai?
Qazim beu nuk ishte martuar më parë. Jeta e vrullshme dhe e pastabilizuar kishte bërë që t'i kalonin vitet në beqari. Kur u martua me nënën time, ai bëri një jetë normale familjare me ne. Ishte njeri i shkolluar dhe me kulturë mjaft të gjerë.
Fëmijë, ju kishte vetëm juve?
Ne ishim katër fëmijë.
Ç'marrëdhënie kishte me Ahmet Zogun ai, se ishte periudha qe ishte mbreti Zog në fuqi?!
Po, në atë kohë ishte mbreti Zog në fuqi, por ata me mbretin Zog nuk para afroheshin. Edhe mbreti Zog nuk i ka trajtuar ashtu siç e meritonin, me përjashtim të disa anëtarëve të familjes. Ai personalisht, pra Qazim Beu nuk kishte asnjë lloj lirie me ata.
Pensionin, ia njihte?!
Po, njihej. Në kohën e Ahmet Zogut ai merrte një pension patriotik dhe këtë pension e ka filluar qysh në fillimet e ardhjes në fuqi të mbretërisë dhe deri në vitin 1944. Pastaj në vitin 1945, kur në pushtet erdhi qeveria komuniste, ky pension iu ndërpre. Për këtë arsye bëri përpjekje të mëdha që të takonte Enver Hoxhën.
Si kryetar i partisë në pushtet?
Në atë kohë Enver Hoxha ishte edhe kryeministër, edhe ministër i Mbrojtjes, edhe ministër i Jashtëm.
Pra, deri në vitin 1945, juve si familje dhe vetë Qazim Beu keni qenë përfshirë në Lëvizjen Nacional-Çlirimtare, domethënë në lëvizjen kundër pushtuesit të huaj ta konsiderojmë më qartë. E vërtetë?
Neve, dy vëllezër dhe dy motra, morëm pjesë aktivisht në Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare. Unë, përfshirjen në lëvizjen çlirimtare e kam filluar që në shkollën Normale të Elbasanit. Atje mbaj mend që, së bashku me gjithë studentët e tjerë aktivë, na arrestuan, na futën në burg. Kur dola nga burgu, u përjashtova nga shkolla dhe nuk e ndoqa deri në vitin 1945. Vetëm mbas çlirimit e vijova shkollën, ndërsa atëherë iu përkushtuam me gjithë energjitë luftës. Paralelisht ishte përfshirë e gjithë familja jonë dhe shtëpinë e kishim kthyer në një bazë të fortë të luftës.
Po çfarë qëndrimi mbante Qazim Beu për pjesëmarrjen tuaj në luftë?
Qazim Beu asnjëherë nuk e ka penguar pjesëmarrjen tonë në Lëvizjen Antifashiste.
Çfarë bindjeje kishte?
Ai kishte bindje properëndimore, ishte demokrat i mirëfilltë, me tendenca properëndimore anglo-franceze. Por në pjesëmarrjen tonë në Lëvizjen Antifashiste nuk na pengonte, përkundrazi, thoshte që jam dakord me ju. Pra, ai kishte pikëpamjet e tija properëndimore, por neve nuk na pengonte që të merrnim pjesë në luftë. Përkundrazi, siç ju thashë, shtëpia jonë ka qenë bazë e rëndësishme e Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare.
Kush strehohej në shtëpinë tuaj nga eksponentët e njohur të luftës?
Në shtëpinë tonë strehohej Nako Spiro, Ramize Gjebrea, Kristo Themelko dhe shumë e shumë heronj nga komunistët që vinin që nga Mali i Zi. Domethënë, ajo shtëpi ishte një bazë e rëndësishme. Në atë kohë, neve banonim në një oborr me Esat Dishnicën dhe Ibrahim Biçakun në fabrikën e cigareve "Flora". Pra, ne ishim përfshirë aktivisht në Lëvizjen Antifashiste. Qazim Beu, asnjëherë nuk e ka penguar pjesëmarrjen tonë, bile gjatë luftës, kur doli nga burgu e shoqja e Mehmet Shehut, Fiqerete Shehu, erdhi në shtëpinë tonë, u vesh, u transformua dhe që nga shtëpia jonë pastaj doli jashtë në ilegalitet.
Kush ka ardhur tjetër nga eksponentët e njohur të lëvizjes në shtëpinë tuaj?
Po ne ishim në një oborr me shtëpinë e Esat Dishnicës dhe Ibrahim Biçakçiut, që më vonë u bë edhe kryeministër. Pra, shtëpia jonë siç po jua përsëris, ishte një qendër ilegale e rëndësishme e lëvizjes e asaj kohe dhe Qazim Beu asnjëherë nuk na ka penguar që të marrim pjesë në Luftën Antifashiste, përkundrazi, ai na inkurajonte.
Pensionin, vazhdonte ta merrte gjatë luftës?
Po, po, gjatë gjithë kohës gjatë okupacionit, ai e merrte pensionin si i biri i Ismail Qemalit. Sigurisht, një pension patriotik, një pension modest merrte. Po ja, me atë pension neve jetonim, se Qazim Beu nuk merrej me asnjë punë tjetër por ishte në pension, për arsye se kur u helmua Ismail Qemali në Peruxhia të Italisë, edhe ky u helmua, por mori një dozë të vogël, një dozë që e përballoi falë moshës së re që kishte në atë kohë dhe u shërua. Ndërsa Ismail Qemali vdiq i helmuar në Peruxhia, në rrethina krejtësisht të paqarta.
Domethënë ky vazhdoi ta marrë pensionin që atëherë?
Pas kësaj ai merrte pensionin patriotik dhe me këtë pension jetonim edhe neve. Unë isha në konvikt në shkollën Normale të Elbasanit, motra ishte në shkollën "Nëna Mbretëreshë", vëllai ishte në shtëpi, kurse motra tjetër ishte në Strehën Vorfnore. Me një fjalë, ne ishim sistemuar me ndihmën e shtetit që jetonim. Por jetonim edhe me pensionin e Qazim Beut. Mirëpo siç jua bëra të qartë, në '45-ën ai pension iu ndërpre. Pikërisht për këtë arsye, siç edhe jua përmenda më lart, ai kërkoi me ngulm që të takohej me Enver Hoxhën.
Përse kërkoi ta takonte Enver Hoxhën?
E kërkonte për t'i kërkuar pensionin patriotik.
Kur iu ndërpre pensioni?
U ndërpre diku me çlirimin e Shqipërisë.
Menjëherë?
Menjëherë, ndaj edhe kërkoi me ngulm që të takohej me Enver Hoxhën si kryeministër e u paraqit në zyrën e kërkesave për ta takuar.
Në çfarë muaji e ka bërë këtë kërkesë për takim me Enver Hoxhën?
Po ka qenë menjëherë mbas çlirimit. Çlirimi u bë më 28 Nëntor, po diku nga fillimi i vitit 1945. Në kërkesën e parë që bëri për t'u takuar me Enver Hoxhën si i biri i Ismail Qemalit, Enver Hoxha nuk e pranoi. Tha me siguri që, 'ky ka ardh për të kërkuar pensionin', kështu që i tha adjutantit të tij, 'i thuaj që nuk jam'.
Po nga e mësuat juve se çfarë tha Enver Hoxha në zyrë para se ta takonte?
Po unë këtë e kam marrë vesh nga shoku im me të cilin ishim edhe oficerë bashkë. Moisi Elezi quhej. Ai në atë kohë ishte edhe adjutanti i Enver Hoxhës. Ai më ka treguar se Enver Hoxha i kishte thënë, që 'i thuaj që nuk jam këtu'.
Kur jua tregoi Moisi Elezi këtë fakt?
Ne ishim bashkë në kursin e shtabit të përgjithshëm. Ai tregonte disa hollësira të tilla për kuriozitet, duke thënë që, "ja, unë e kam njohur djalin e Ismail Qemalit dhe e kam njohur në këto rrethana...". Por këto i tregonte me neve, duke qenë edhe unë i pranishëm në këto biseda, pa e ditur se çfarë e kisha unë Qazim Beun. Mbaj mend që atë situatë peripecish për të takuar Enver Hoxhën ai e tregonte fill e për pe. Herën e parë nuk e priti Enver Hoxha, pastaj herën e dytë, kur pa se e kërkoi me ngulm, ai reagoi duke thënë: Le të vijë.
Dhe çfarë i tha kur e takoi?
Hyri atje dhe i tha "Shoku Komandant, jam i biri i Ismail Qemalit. Për kontributin e babait dhe timin së bashku unë rregullisht kam marrë një pension patriotik të akorduar që në 1920-ën. Por tani më është ndërprerë. Ju lutem shumë, unë kam një familje që ka marrë pjesë aktivisht në Lëvizjen Antifashiste Nacionalçlirimtare, kam marrë dhe unë pjesë. Shtëpia ime ka qenë bazë e luftës. Kam kontribuar edhe unë aq sa kam mundur. Por përveç kësaj, jam edhe i biri i Ismail Qemalit. Të ardhura të tjera nuk kam. Me punë nuk jam i punësuar. Ju lutemi shumë të më rilidhet pensioni që u ndërpre". Enveri iu përgjigj se, po qe se i ishte ndërprerë, do të thoshte se nuk i takonte. "Nuk ju takon pensioni", - i tha. "Por jam djali i Ismail Qemalit", - i tha Qazim Beu. "Kushdo që të jesh, - ia ktheu sërish Enveri, - nuk të takon". Atëherë ky u nervozua. Enver Hoxha në zyrën e tij mbante Skënderbeun dhe Ismail Qemalin. Atëherë i tha "Ty nuk të takon të mbash në zyrën tënde babait tim", dhe doli në mënyrë demonstrative. Që të nesërmen i tha nënës sime "largohemi nga Shqipëria" dhe shkuan në Strugë e aty u vendosën.
Juve, çfarë porosie ju la kur iku?
Po s'kishte çfarë të thoshte, ai iku shumë i revoltuar.
Çfarë ju tha për Enver Hoxhën kur iku, për komunizmin? D.m.th., çfarë bisede ka bërë atë natë para se të ikte?
Ai iku shumë i dëshpëruar. Nuk e priste që Enver Hoxha do ta takonte në këtë mënyrë. Qëndroi në Strugë deri në vitin 1953. Në '53-shin vdiq. sot e kësaj dite varri i tij është në Strugë, sepse nuk erdhi më as i vdekur në Shqipëri.
Vdiq vetëm? Po nëna tuaj, nuk ishte pranë?
Nëna ime, në vitin 1949 erdhi në Shqipëri për të na takuar neve, se nuk na kishte takuar gjatë gjithë kohës së luftës. Ajo ishte në Strugë, neve ishim partizanë. Në vitin 1949 erdhi në shtëpi, por në atë kohë u prishën marrëdhëniet me ish-Jugosllavinë dhe ajo nuk mundi të kthehej më në Strugë. Kështu që nuk e pa më Qazim Beun, i cili vdiq në rrethana të paqarta, nën kujdestarinë e struganëve, të cilët e deshën shumë, si djalin e Ismail Qemalit.
Pra Shqipëria këtu nuk e respektoi, ndërsa patriotët shqiptarë aty po?!
Ne kishim shtëpinë tonë aty dhe ai banonte atje. Bile daja jonë ka qenë një nga shokët e Ataturkut dhe e kishte shumë mik Qazim Beun. Madje flisnin bashkë turqisht.
Çfarë gjuhe dinte Qazim Beu?
Qazim beu fliste shumë mirë shqipen, frëngjishten, italishten, turqishten, etj. Pra ishte njeri me elokuencë mjaft të madhe. Kishte mbaruar shkollën në Bruksel, në Belgjikë kishte mbaruar.
Çfarë profesioni kishte?
Ishte inxhinier ndërtimi, por s'e kishte mbaruar plotësisht shkollën.
Nëna juaj, deri në çfarë viti jetoi?
Jetoi deri në vitin 1985. Në vitin 1985 vdiq, në kohën kur unë isha në burg, dhe unë s'e pashë.
Juve, në ç'vit hytë në burg?
Unë hyra në burg në vitin 1980 dhe ndenja deri në 1989-ën.
Me çfarë akuzash?
Me akuzat për "agjitacion e propagandë" dhe "shpërdorim detyre". Më dënuan me 14 vjet burg e nga këta bëra 10 vjet.
Çfarë detyre keni pasur juve?
Unë kam qenë për 20 vjet Komandant i Forcave Ushtarake Ajrore të Ushtrisë Shqiptare, që ndryshe quhet Aviacioni Shqiptar. Që nga formimi i aviacionit deri në vitin 1975.
Nëna juaj, vdiq pas vdekjes së Enver Hoxhës?
Po, pas vdekjes së Enver Hoxhës vdiq.
Në çfarë viti?
Vdiq në '85-ën.
Gjatë kohës që nëna juaj jetonte në Shqipëri, pati ndonjë privilegj si gruaja e djalit të Ismail Qemalit ose nusja e familjes së Ismail Qemalit? Pati ndonjë vizitë, e respektuan ndonjëherë?
Jo, jo asnjëherë.
Fëmijët e Ismail Qemalit, djemtë dhe vajzat e Ismail Qemalit nuk janë respektuar nga Pushteti Popullor i asaj kohe?
Asnjëherë, asnjëherë nuk është përkrahur për asgjë. Përkundrazi, djemtë e djalit të Ismail Qemalit, Qamil beut, nuk janë trajtuar mirë. Për ata bile mund të flitet në një emision të veçantë. Enver Hoxha nuk pati asnjë lloj respekti për Ismail Qemalin. Madje, siç po shohim rastin e Qazim Beut, edhe fëmijët e Qamil Beut, që ishin nipat dhe stërnipat e Ismail Qemalit, nuk janë trajtuar mirë në kohën e Enver Hoxhës.
Juve vetë, kishit marrëdhënie me fëmijët e Ismail Qemalit apo me nipat dhe stërnipat?
Shumë pak. Më shumë kemi pasur para çlirimit, kur jetonte me ne Qamil Beu. Në atë kohë kishim lidhje të forta.
P.sh kishim marrëdhënie me motrën e Qazim Beut, vajza e Ismail Qemalit. Me nënën e Nermin Vlorës ose Nermin Falaskit kishim hyrje-dalje, respektoheshim. Se në atë kohë unë kam njohur djalin e Ismail Qemalit, Qamil Beun, kupton? Gjithë farefisin e asaj kohe të Qazim Beut. Mbas çlirimit pastaj nuk kemi pasur asnjë lloj lidhjeje.
Faleminderit!
Faleminderit juve!
(er.nu/GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›