E Hënë, 2 Nëntor 2026

Edit Mihali, karrierën e artistit s'e përcaktojnë premierat

11/05/2005  Vetëm pak ditë më parë, TKOB-ja realizoi shfaqjen finale të kreveprës së muzikës operistike botërore "Turandot". Një finale, ku roli e princeshës Turandot, për të tretën herë, në 7 shfaqjet e dhëna u interpretua nga sopranoja e mirënjohur Edit Mihali. Përveç aspektit vokal, që, sipas Zhani Cikos "zëri i saj ka arritur pjekurinë maksimale, me një teknikë të jashtëzakonshme, që nuk lejon as mëdyshjen më të vogël, për saktësinë e ekzekutimit të partit muzikor", u vu re një zbërthim i lartë artistik, duke krijuar një figurë monumentale në skenë. Duke folur për "Metropol", Mihali tregon gjithë vështirësitë që ndeshi për realizimin e këtij roli, por edhe për të ardhmen e karrierës së saj. Pa anashkaluar aspak problemet me të cilat përballen artistët shqiptarë, ajo me ndjeshmëri dhe përgjegjësi të lartë nënvizon faktin se, "arti është lënë pas dore nga titullarët, kështu që duhet ne vetë të përpiqemi të kompensojmë ato që mundemi, pasi është një situatë shumë e dhimbshme, ku artistët vuajnë për bukën e gojës. Eshtë shumë pozitive që ngrihen rrogat për punonjësit shkencorë, por është shumë e dhimbshme për artistët që marrin 16, 20, apo 270 mijë lekë në muaj..."

Një karrierë e gjatë dhe me shumë role të spikatura. Ç'rol ze në këtë rrugëtim të gjatë roli i Turandot?

Roli i Turandot është i lidhur shumë ngushtë me kontekstin e moshës dhe të gjeneratës që unë i përkas. Eshtë shumë e lehtë të thuash që kam luajtur role në vepra të përmasave kaq të mëdha, por të mos harrojmë se kam qenë e re, 25, 27, apo edhe 30-vjeçare etj. Madje, edhe kur interpretova te "Toska", në moshën 45-vjeçare, kritika u shpreh se isha në kulm, një moshë kur shumë kolege të mia tërhiqen nga skena. Rreth dhjetë vjet më vonë, unë ndërmora iniciativën të interpretoj një rol shumë të vështirë, në një kohë që teknicienët e konsiderojnë të pamundur një fakt të tillë. Ka patur raste të rralla, ku mund të përmend Mirela Frenin apo Raina Kavaivaskaja, që janë larguar në moshë të madhe nga skena. Eshtë një fakt që më bën të ndjehem mirë në lidhje me realizimin e këtij roli, pasi munda të paraqes forcën e akumulimit prej vitesh të freskisë së zërit, që arrihet me një teknikë domosdoshmërisht të lartë, falë pedagoges Marije Kraja, thënive të së cilsë u referohem gjithmonë në punën time artistike, por pa neglizhuar as punën dhe përkushtimin. Eshtë një domosdoshmëri të ushtrohesh çdo ditë në piano, njëlloj sikur sapo ke filluar të këndosh për herë të parë, me kujdesin më të madh që zëri të mos rrëshqasë, që fryma të mos lëkundet dhe timbrika dhe kordat të punojnë pa vështirësi e sforcim dhe të nxjerrin tingullin e pastër dhe të freskët.

Përveç realizimit teknik të rolit, ra në sy edhe një zbërthim i detajur i figurës artistike të Turandot...

Besoj se kjo është pak më e lehtë. Kur vokalisht ke siguri dhe teknikisht e njeh mirë veprën, nga eksperienca, njohja e gjuhës apo edhe elementë të tjerë, ke mundësi ta kuptosh më mirë rolin. Fakti që kam studiuar edhe për kritikë, më detyron që të filloj studimin e veprës jo në momentin që shfaqet personazhi që interpretoj, por të gjithë veprën, në tërësinë e saj, në mënyrë që të kuptoj të gjithë veprën dhe më pas personazhin që interpretoj. Një studim i mirë, në thellësi të libretit dhe kur je e përgatitur muzikalisht, arrin atë që kërkon. Sakrificat dhe përkushtimi janë të domosdoshme për të ecur përpara. Mund të sjell shembullin e Marjana Lekës, e cila në sajë të përkushtimit dhe punës së vazhdueshme, pavarësisht se ka studiuar vetëm katër vjet për kanto, ka ditur të rikuperojë të gjitha mangësitë dhe të arrijë në këto parametra kaq të lartë. Eshtë e pamundur që në momentin që nuk kam pjesë apo luan vetëm orkestra, ta le veten "bosh", pasi edhe pjesët orkestrale janë një përgatitje, ngarkesë emocionale dhe shpirtërore e caktuar për atë që pason, fakt që, e them me keqardhje, por ndodh rëndom në skenë. Përveç punës me regjisorin, me syrin e mendjes punoj individualisht për ecjen, mënyrën e qëndrimit, çdo detaj, në mënyrë që kur të jem në skenë të kem gjithçka nën kontroll dhe të di me saktësi atë që do të bëj në çdo skenë, madje të reflektoj edhe për çdo të papritur që mund të ndodhë gjatë shfaqjes. Turandot të ofron shumë mundësi për zbërthimin e figurës së saj, mundësi që unë u përpoqa t'i shfrytëzoj maksimalisht, sajë edhe eksperiencës së gjatë në skenë, duke krijuar një harmoni të qëndrimit, lëvizjeve me muzikën.

Përveç rolit të princeshës Turandot, ju keni patur edhe një "rol" administrativ, si drejtoreshë muzikore e TKOB-së. A ju ka krijuar vështirësi ky rol i dyfishtë në këtë vepër?

Sinqerisht ju them që vështirësia është e paimagjinueshme. Në fakt, detyra ime parësore është pozicioni i drejtoreshës artistike. Të tjerat janë çështje pasioni dhe përkushtimi, pasi jam e "dashuruar" me zanatin tim dhe (me të qeshur) e konsideroj veten të "vdekur" jashtë skene. Eshtë një punë e stërlodhshme të ngjitësh me dhjetëra herë shkallët, të kontaktosh me artistët. Ka raste që gjërat nuk ecin mirë dhe artistë që mund të tërhiqen në momentin e fundit, apo të bindësh artistë të tjerë, që roli, sado që mund të duket "sekondar" në vepra të tilla si "Turandot", ka rëndësi shumë të madhe. Në përgjithësi, për të mos neglizhuar asapk rolin administrativ, u përpoqa që për veten time të shfrytëzoja orët e mëngjesit, por jo gjithmonë me "sukses", për arsye nga më të ndryshmet. Ka qenë shumë e lodhshme, ku mund t'ju them se deri më 26 mars, vetëm një muaj para premierës kam qenë shumë e ngarkuar me premierat e Çimarozës apo edhe parapërgatitjet e "Turandot", duke patur kështu vetëm një muaj kohë për veten time, në të gjitha aspektet.

Në karrierën tuaj artistike keni realizuar mbi 20 role kryesore, por, megjithatë keni vetëm 6 premira. Përse kjo "indiferencë" ndaj premierave?

Në jetën time artistike, edhe kur kam qenë e re, kam patur një avantazh: logjika ma ka dominuar gjithmonë si ambicien ashtu edhe egoizmin. Ndoshta, kjo pjekuri ka të bëjë edhe me faktin që jeta nuk ka qenë shumë e lehtë për mua. Një jetë me shumë peripeci që më bëri të fortë, por edhe të piqem, ndoshta para kohe. Nuk më ka interesuar shumë fakti premierë. Në përgjithësi i jam lutur Zotit të më jepte forcën që të këndoja bukur, pasi për mua, si nata e parë, si ajo e fundit e një shfaqje, kanë të njëjtën peshë. Respekti im ndaj publikut është konstant, nuk mund ta diferencoj në publik të premierës apo të natës së fundit. E rëndësishme është të bësh shfaqje, pa i dhënë rëndësi ditës së saj. Nuk janë premierat ato që bëjnë karrierën e një artisti, por është cilësia dhe përkushtimi ndaj asaj që bën.

A besoni se roli i Turandot do të jetë roli juaj i fundit madhor në skenë?

Eshtë një pyetje që ia bëj vazhdimisht vetes, madje edhe temë e diskutuar shpesh në familjen time. Fundi i karrierës është i trishtueshëm, i dhimbshëm, pasi koncerte mund të realizosh shumë, por role të mëdha është e vështirë edhe për vetë moshën që kam. Zakonisht jam shumë objektive për veten dhe forcat e mia. Por, dyshoj se kam mundësinë për të realizuar edhe një rol, atë të konteshës te vepra e Moxartit "Dasma e Figaros", si vokalisht, ashtu edhe fizikisht, pasi është një rol që nuk kërkon ndonjë sforcim të madh. Sinqerisht, nuk e di. Ndoshta si rol potencial, i përmasave të mëdha, mund të jetë edhe roli i fundit. Por, unë nuk do të resht së përpjekuri të realizoj atë që do të mund.

Po në aspektin administrative, cilat janë përpjekjet tuaja dhe të stafit drejtues të TKOB-së për të përmirësuar ecurinë e mëtejshme të institucionit?

Në përgjithësi një vendim apo një ide e re merret në bashkëpunim me drejtorin Ciko, një vendim kolegjial. Me ardhjen e Zhani Cikos në drejtimin e TKOB-së, ka filluar të aplikohen disa politika të reja, ku një prej tyre është edhe hapja ndaj të rinjve. Në përgjithësi, të rinjtë që dalin nga Akademia nuk janë në gjendje të realizojnë role të mëdha, kjo jo pasi nuk ka talente, por, ndoshta pasi nuk ka interes për këtë profil. Jemi të detyruar që të aplikojmë me këta të rinj vepra "kualifikuese", pra që shkalla e vështirësisë nuk është shumë e lartë, në aspektin e kërkesave tekniko-profesionale. Jemi të detyruar që krahas veprave të mëdha të aplikojmë edhe vepra të tilla, që do të ndimojnë në ecjen profesionale të të rinjve. Ky është synimi kryesor, një element që nuk ka qenë shqetësues vite më parë, pasi, duke iu referuar gjeneratës sime, ne hynim direkt në role kryesore, si rezultat edhe i nivelit të lartë të shkollës. Ne kemi një Marjana Leka, por nuk mund të vazhdojmë të mbetemi vetëm me të...

Sot kemi vetëm 8 solistë, ndërkohë që para viteve '90 kishte rreth 30. Mbetet detyrë e këtij teatri që të respektojë ata pak solistë që kemi në skenë në të gjithë parametrat, si artistikë, ashtu edhe financiarë. Arti është lënë pas dore nga titullarët, kështu që duhet ne vetë të përpiqemi të kompensojmë ato që mundemi, pasi është një situatë shumë e dhimbshme, ku artistët vuajnë për bukën e gojës. Eshtë shumë pozitive që ngrihen rrogat për punonjësit shkencorë, por është shumë e dhimbshme për artistët që marrin 16, 20, apo 270 mijë lekë në muaj. Edhe artistët me tituj diskrimonohen, pasi sikundër punonjësit shkencorë paguhen në bazë të gradave shkencore, ashtu edhe artistët duhet të paguhen në bazë të titujve të akorduar si "Artist i Merituar" apo "Mjeshtër i Madh", pasi këto janë gradat shkencore të artit. Ka ikur koha e diferencimeve morale.

Zhani Ciko: Edit Mihali, një Turandot monumentale

Edit Mihali është pa dyshim një nga këngëtaret që zë një vend të veçantë në TOKB, për nga aftësitë e saj të jashtëzakonshme muzikore dhe vokale, për një përgatitje të gjithanëshme të kulturës dhe të njohjes së disa specialiteteve muzikore, të cilat i ka studiur dhe zgjeruar më tej në jetë, por edhe për devotshmërinë dhe seriozitetin në të gjitha detyrat që merr përsipër. Me pjekurinë e jashtëzakonshme të karrierës së saj të gjatë artistike, ajo mori përsipër një ngarkesë të pabesueshme për stadin në të cilin ndodhet personaliteti i saj artistik, atë të interpretimit të rolit të princeshës Turandot, duke e realizuar padiskutim në mënyrë të shkëlqyer, si në interpretim, ashtu edhe në konceptin e rolit. Mihali tregoi se zëri i saj ka arritur pjekurinë maksimale, me një teknikë të jashtëzakonshme, që nuk lejon as mëdyshjen më të vogël për saktësinë e ekzekutimit të partit muzikor dhe nga ana tjetër krijoi një figurë monumentale në skenë, duke prezantur në mënyrë krejt origjinale një Turndot sa të ngurtë dhe të akullt, po edhe kaq njerëzore në momentet e reflektimit të saj, ashtu sikundër e kërkon edhe fabula e veprës.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›