E Hënë, 2 Nëntor 2026

Ujërat e bardha sërish rrezik për përmbytje

11/05/2005  Flet numri dy i bashkisë së Shkodrës Rudolf Rasha

SHKODËR - Ka përfunduar plotësisht ndërhyrja e bërë për rikonstruksionin e kolektorëve të qytetit të Shkodrës, por, me sa duket, rreziku i përmbytjeve të këtij qyteti do të jetë ende i pranishëm. Ky ka qenë edhe mendimi i specialistëve të Bashkisë Shkodër, pas përfundimit të këtyre punimeve, si dhe i vetë nënkryetarit të kësaj bashkie, Rudof Rasha. Kësaj radhe problemi nuk vjen nga shiu, por nga rrjeti shumë i amortizuar i kanalizimeve të ujërave të bardha.

Bashkia Shkodër, me ndihmën edhe të specialistëve austriakë, është përgatitur për të marrë masat e duhura dhe ka hartuar një projekt të plotë për rregullimin dhe sistemimin e kanalizimeve të ujërave të bardha, projekt ky që kërkon investimin e 10 milionë eurove, ku është parashikuar të ndërtohet medoemos 30 km rrjet kanalizimesh të ujërave të bardha, ku përfshihen 8 kanale kryesore, që do të derdhen në liqenin e Shkodrës, lumin Buna dhe lumin Kir, si dhe një rrjet dytësor.

Problemi i bllokimit të një pjese të kolektorëve dhe mosfunksionimi i një pjese tjetër, u bë serioz në fund të vitit 2004, pas përmbytjeve që përfshinë qytetin e Shkodrës nga reshjet e shumta dhe të pandërprera.

Pas përmbytjes në qytetin e Shkodrës, dëmtimet ishin të mëdha dhe Bashkia e këtij qyteti i kërkoi qeverisë një fond emergjence prej 16 milionë lekësh që do të shpenzohej për zhbllokimin e kolektorëve.

Në lidhje me punën e bërë për zhbllokimin e këtyre kolektorëve dhe me nevojat e tjera që ka ky qytet, për të mos pësuar më përmbytje, nënkryetari i Bashkisë Shkodër, Rudolf Rasha, shprehet se, në bazë të një studimi të bërë nga specialistët e Bashkisë, u arrit në përfundimin se, për të rikonstruktuar dhe rivënë në punë kolektorët e dalë jashtë funksionimit, duheshin bërë ndërhyrje në disa zona me ndërtime, qofshin këto me leje, apo pa leje. Me ardhjen e fondit të kërkuar, menjëherë u fillua puna, një punë kjo mjaft voluminoze që u krye me ritme mjaft të shpejta, brenda të gjitha afateve të përcaktuara.

Ndërsa në lidhje me reagimet e qytetarëve, që kishin ndërtuar pranë këtyre kolektorëve, Rasha shprehet se, falë punës bindëse të stafit, por edhe bashkëpunimit dhe ndërgjegjësimit të komunitetit në zonat e kolektorëve, të cilët nuk krijuan asnjë pengesë, u arrit një mirëkuptim i përsosur midis dy palëve, gjë që ishte një faktor ndikues në përfundimin brenda kohës së parashikuar të rikonstruksionit të kolektorëve të dëmtuar.

Një faktor ndikues në ndërgjegjësimin e këtyre banorëve kishte qenë edhe përmbytja e fundvitit të kaluar, ku ata i kishin parë me sytë e tyre dëmet që shkaktuan kolektorët e bllokuar. Por ndërsa puna për rivënien në punë të kolektorëve ka mbaruar me sukses dhe kolektorët tashmë janë në gjendje optimale pune, përsëri qyteti i Shkodrës, në rast të përsëritjes së reshjeve të vitit të kaluar, rrezikohet nga përmbytjet, shprehet Rasha. Dhe ky rrezik nuk vjen më nga kolektorët, por nga rrjeti tejet i amortizuar i kanalizimeve të ujërave të bardha, ku në bazë të llogaritjeve, të bëra këto edhe me ndihmën e specialistëve austriakë, në ditët e sotme funksionov rreth një për qind e këtij rrjeti kanalizimesh.

Tashmë, dihet nga të gjithë, vazhdon Rasha, se qyteti i Shkodrës ka nevoja të mëdha për investime, arsyet e mosardhjes së të cilave janë bërë të ditura disa herë, por problemi i kanalizimeve të ujërave të bardha është me të vërtetë serioz dhe duhet patjetër që të vihet dorë dhe të investohet sa më shpejt në këtë rrjet kanalizimesh, në mënyrë që vjeshta e ardhshme të mos ta gjejë këtë rrjet në këtë gjendje që është, pasi pasojat dihet se si kanë ngelur ende të freskëta nga viti i kaluar.

Fundi i kanalizimeve 75-vjeçare

Rrjeti i kanalizimeve të ujërave të bardha në qytetin e Shkodrës është ndërtuar që në vitin 1930.

Që në atë kohë nuk është vënë asnjëherë dorë seriozisht në të. Përkundrazi, në vitin 1950, bumi i ndërtimeve të reja nga sistemi, dëmtoi një pjesë të tyre, ndërsa ndërtimet e viteve 1970-1978 nuk morën parasysh në asnjë projekt ndërtimesh, përshtatjen me këtë rrjet dhe as u hartua një projekt i ri kanalizimesh të ujërave të bardha që do të përshtatej me ndërtimet e bëra.

Më pas, me ardhjen e viteve ‘90, dëmtimet u shtuan në masë, duke dëmtuar ndjeshëm këtë rrjet dhjetëra vjeçar.

Shtimi i dëmtimeve rriti ndjeshëm përmbytjet e përvitshme nga rreshjet e tepërta, duke e bërë gjithnjë e më serioz problemin.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›