E Hënë, 2 Nëntor 2026

Porti i Vlorës, me pajisje kontrolli ndaj automjeteve

11/05/2005  Përurimi dje

VLORE - Përurohet në Portin e Vlorës, pika e kontrollit dhe inspektimit të automjeteve. Në ceremoninë e zhvilluar dje në doganën e portit, mori pjes drejtori i Përgjithshëm i Doganave, Shpëtim Idrizi, i shoqëruar nga ambasadori i Britanis së Madhe në Tiranë, Richard Jones si dhe nga shefi i misionit CAM – Albania, Giulio Planer.

Sipas drejtorit të Përgjithshëm të Doganave, ngritja e pikës së kontrollit dhe inspektimit të automjeteve në doganën e Portit të Vlorës, ka qenë iniciativa e komisionerit Kris Paten, me qëllim shtimin e masave ndaj lufës kundër krimit të organizuar, si dhe në kuadrin e projektit për specializimin e doganave dhe policinë shqiptare, financuar nga komisioni evropian dhe qeveria e Britanisë së Madhe.

Sipas Idrizit, me vendosjen e kësaj pajisje të kontrollit të automjeteve në pikën e kontrollit të doganës së Vlorës, si dhe të portit dhe me bashkëpunim me ekspertët të inteligjencës së Misionit CAM – Albania, priten rezultate në drejtim të zbulimit dhe të bllokimit të trafiqeve të lëndëve narkotike, si dhe rezultate në zbulimin dhe bllokimin e makinave të vjedhura.

Pajisje për kontrollin e automjeteve tashmë janë të instaluar në portin e Vlorës dhe të Durrësit.

Ndihma të tilla do të vazhdojnë dhe në të ardhmen, tha Idrizi, nga Komisioni Evropian dhe qeveria e Britanisë së Madhe. Sipas Idrizit, lufta kundër krimit të organizuar dhe lufta kundër terrorizmit është e gjatë dhe e vështirë, por e rëndësishme është që punonjësit e doganave të jenë të aftë të realizojnë dhe të punojnë me përkushtim për të mbrojtur kufijtë nga trafiqet e ndryshme dhe terrorizmi ndërkombëtar.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›