E Hënë, 2 Nëntor 2026

Konsiderohej i zhdukur prej pesë vjetësh,gjendet i groposur në oborrin e shtëpisë!

11/05/2005  Policia shoqëron bashkëshorten e të humburit

SHKODER – Një person, i cili prej pesë vjetësh është zhdukur nga shtëpia, dyshohet të ketë qenë i groposur në oborrin e shtëpisë. Ndërsa policia e Shkodrës, po punon për identifikimin e kufomës, ka shoqëruar bashkëshorten e të zhdukurit.

Burime nga Drejtoria e Policisë së Qarkut të Shkodrës, bënë të ditur se gjatë orëve të vona të ditës së djeshme është gjetur kufoma e një shtetasi. Kufoma e dekompozuar është gjetur në oborrin e shtëpisë së Prekë Vukajt, në fshatin Broj, të komunës së Kelmendit, në rrethin e Malësisë së Madhe. Të njëjtat burime shprehen se kufoma është gjetur nga vetë Preka, i cili kishte qenë duke kryer gërmime në oborrin e shtëpisë së tij.

Pas nxjerrjes së plotë të trupit nga toka, në bazë të disa shenjave, ka dyshuar se ka gjetur të birin e tij 35-vjeçar Nikolinin.

Burimet e policisë, e cila shkoi në vendin e ngjarjes, saktësuan se për shtetasin, Nikolin Vukaj, familja e tij kishte bërë denoncim në polici, pasi kishte kohë që ishte zhdukur. Sipas policisë, meqenëse 35-vjeçari kishte pesë vjet që nuk ishte paraqitur në shtëpi dhe askush nuk kishte dijeni për atë, atëherë ai ishte shpallur person i zhdukur.

Pas kësaj, mësohet se policia ka rihapur çështjen e kërkimit të shtetasit të humbur dhe ka rinisur procedurën normale të hetimit, duke marrë në pyetje fillimisht familjarët dhe të afërmit e tjerë të 35-vjeçarit të zhdukur që në vitin 2000.

Hetimet paraprake, bëjnë të ditur burimet, janë përqëndruar në dyshimin se eshtrat e gjetura janë të shtetasit Nikolin Vukaj dhe po hetohet se mos ky shtetas është viktimë e krimit në familje. Për këtë arsye është shoqëruar në polici bashkëshortja e të zhdukurit, për të cilën dyshimet e para të policisë bëjnë të ditur se kufoma e tij është gjetur dje.

Eshtrat e gjetura u janë dërguar mjekëve ekspertë, për të saktësuar dyshimet e krijuara në lidhje me identitetin e personit të gjetur.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›