E Diel, 1 Nëntor 2026

Vasili: LSI ka si aleat të natyrshëm vetëm socialistët

Autori i Lajmit: Suela Topi
Lëvizja Socialiste për Integrim hodhi poshtë akuzat e Edi Ramës për bashkëpunim me Berishën pas zgjedhjeve të 28 Qershorit. Sekretari i Përgjithshëm, i LSI-së, Petrit Vasili tha se aleatët e natyrshëm të partisë që ai përfaqëson janë socialistët dhe progresistët. Sipas tij LSI si në zgjedhjet e 28 Qershorit, ashtu dhe në zgjedhjet e vitit 2005, sikurse dhe në ditën kur u ndryshua Kushtetuta, ashtu si dhe në ditën kur ndodhi Gërdeci, ka një kundërshtar politik që quhet Sali Berisha. Sekretari i përgjithshëm i LSI-së ka kërkuar më tej më shumë angazhim nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve lidhur me infrastrukturën zgjedhore. Duke i konsideruar zgjedhjet si një moment delikat, Vasili pohoi se Kodi Zgjedhor dhe udhëzimet e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve përcaktojnë qartë se procesi i numërimit të votave duhet të kryhet në vendet e numërimit të përcaktuara dhe ku instalohet sistemi i kamerave që evidenton çdo votë të numëruar.
Deklarata
“Komenti ynë është një dhe vetëm një; Lëvizja Socialiste për Integrim si në zgjedhjet e 28 Qershorit, ashtu dhe në zgjedhjet e vitit 2005, sikurse dhe në ditën kur u ndryshua Kushtetuta, ashtu si dhe në ditën kur ndodhi Gërdeci, ka një kundërshtar politik që quhet Sali Berisha. Ndërsa në mënyrë të natyrshme si një forcë shumë përparimtare dhe progresiste e së majtës, LSI ka si aleat të saj të natyrshëm socialistët dhe progresistët”, - tha Vasili lidhur me deklaratat e Ramës për bashkëpunim të mundshëm LSI-PD. Ai ka komentuar më tej vendimet e KQZ-së lidhur me instalimin e kamerave të cilat do të monitorojë procesin e numërimit të votave. “LSI kërkon prerë nga KQZ që ajo të marrë situatën në dorë, të aplikojë vendime e qëndrime emergjente për zgjidhjen e procesit të instalimit të kamerave, si dhe të informojë qartë partitë dhe publikun e gjerë mbi ecurinë e procesit, sepse kjo ka të bëjë me standardet e zgjedhjeve dhe vërtetësinë e tyre”, - theksoi Vasili. Gjithashtu ai shtoi se LSI vlerëson shumë shqetësuese deklaratat e Ministrit të Brendshëm për rreth 500 000 karta identiteti të patërhequra ende. “Ky fakt është shumë serioz dhe mbi të duhet të hetohet menjëherë nga drejtësia, por edhe nga partitë politike, sepse është paradoksale dhe e dyshimtë, që këta qindra mijëra qytetarë që kanë shpenzuar paratë dhe kohën e tyre, nuk e gjejnë të udhës të tërheqin karta e tyre”, - ka vlerësuar Vasili. Sekretari i Përgjithshëm i LSI-së tha se situata bëhet edhe më serioze realisht, sepse duke i shtuar këtyre 500 mijë votuesve edhe mijëra qytetarë, të cilët për arsye të keqfunksionimit të sistemit të aplikimit nuk kanë aplikuar ende, do të thotë që më shumë se gjysma e qytetarëve votues të Shqipërisë do t i mungojnë procesit të votimit duke kompromentuar shumë rëndë besueshmërinë e tij. “Ne i kërkojmë misionit të posaçëm vëzhgues të OSBE- ODIHR për zgjedhjet e 28 Qershorit, që të luajë rolin e tij lidhur me këto dy fakte të një rëndësie shumë të madhe për fatin e standardeve të zgjedhjeve të ardhshme në Shqipëri”, - përfundoi ai.

Ky lajm është publikuar: 09/06/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›