RENEA kap të dehurin, 14 orë luftë me policinë për një dhi
Ardian Shpendi
LEZHË - Pas 14 orësh luftë me forcat e rendit të Lezhës dhe forcat e RENEA-s të mbërritur nga Tirana dhe Shkodra, një i dehur ka arritur që të çarmatoset. I ngujuar në shtëpinë e tij në fshatin Manati të rrethit të Lezhës, pas një konflikti me armë me fqinjin e tij për çështjen e një bagëtie, ai ka marrë peng edhe djalin e tij, në mënyrë që të mos iu dorëzohet forcave të rendit. Madje, ai ka hapur zjarr gjatë gjithë natës me forcat e shumta policore që kishin rrethuar banesën e tij. Megjithë ndërhyrjet e shumta, Përvathi nuk ka pranuar që të çarmatoset, por iu ka bërë rezistencë, derisa më në fund ka kapitulluar në orën 10.15 të ditës së hënë.
Ngjarja
Mbrëmjen e së dielës ka mbërritur një informacion në policinë e Lezhës se në fshatin Manati ka patur një konflikt mes shtetasit Gjon Përvathi dhe fqinjit të tij. Forcat e rendit mbërritën menjëherë në vendngjarje. “Sapo është marrë kontakti me shtetasin Gjon Përvathi, ky i fundit iu është përgjigjur duke qëlluar me breshëri ndaj forcave të policisë”, - thotë zëdhënësja e Policisë së Qarkut. Sipas saj, më pas, patrullës policore i janë bashkuar edhe forcat e tjera të Drejtorisë së Policisë së Qarkut të Lezhës, si dhe forcat speciale të ardhura nga Tirana dhe Shkodra. “Është bërë rrethimi i banesës së autorit dhe është vepruar për kapjen e tij, por ky shtetas nuk ka pranuar të dalë nga shtëpia e tij së bashku me të birin, të cilit, duke i drejtuar armën në kokë, e ka përdorur për presion ndaj policisë”, - thuhet në njoftimin zyrtar. Gjatë gjithë natës banesa e shtetasit Gjon Përvathi është mbajtur e rrethuar, pasi ky shtetas ka qëlluar vazhdimisht me armë zjarri ndaj punonjësve të policisë.
Kapja
Vetëm në orën 10.15 të ditës së hënë, rreth 13 orë pas fillimit të operacionit, është bërë e mundur që të kapej në befasi shtetasi Gjon Përvathi. Ai u kap në banesë në një moment kur nuk e priste nga forcat e rendit. Gjatë gjithë kohës, aksioni është organizuar nga drejtori i Policisë, komisar Mërgim Hoxha dhe nën-komisar Artan Mehmeti. Sipas burimeve policore, Përvathi ka tentuar që të bëjë rezistencë, por çdo veprim i tij është neutralizuar në kohë. Sipas njoftimit zyrtar të policisë së Lezhës, Gjon Përvathi është shoqëruar dje paradite në mjediset e paraburgimit të komisariatit të Lezhës. Ai akuzohet për veprat penale të “vrasjes në rrethana të tjera cilësuese, mbetur në tentativë” , “mbajtje pa leje të municioneve dhe armëve luftarake".
DËSHMIA E FQINJIT
“Konflikti me Përvathin, nuk e dija se ishte i pirë”
Personi që kishte konfliktin me Gjon Përvathin është Alfred Lekgjonaj. Të dy banojnë në fshatin Manati të rrethit të Lezhës. Lekgjonajt thotë: “Nuk e mendova se ishte në atë gjendje të dehur, kur i vajta në banesën e tij për ti thënë se përse ma kishte prerë dhinë”. “Jemi bashkëmoshatarë dhe nuk kishim arsyeje që të shkonin deri në këtë pikë. Më vjen keq për gjithë atë konflikt që ka ndodhur dhe për situatën e krijuar, ku nga çasti në çast mundë të kishte viktima”, - thotë fqinji i Përvathit. “Unë nuk kam patur konflikte me Gjonin asnjëherë”, - thotë fqinji i Përvathit.
Profili i Përvathi
Sapo ishte kthyer nga emigrimi në Greqi
Banorë të fshatit Manati të Lezhës shprehen se Gjon Përevathi që prej 17 vitesh ka qenë në emigracion në Greqi. Ai kishte rreth dy vite që ishte kthyer dhe kishte filluar edhe ngritjen e një banesë dy katëshe. Aktualisht, ai ishte pa unë. Sipas banorëve të zonës, ai nuk ka qenë person konfliktual. Ndërsa kishte kohë që kishte filluar të pinte, por nuk ishte vënë në qendër të konflikteve. Kohët e fundit ai kishte filluar të qëndronte i mbyllur në vetvete dhe të shoqërohej me shumë pak banorë në fshatin Manati. Ai qëndronte kryesisht nëpër kafenetë e qytetit të Lezhë. Burimet e policisë së Lezhës bëjnë të ditur se Gjoni do t’i nënshtrohet edhe një ekspertizës mjekësore, për të shqyrtuar mundësinë nëse ai ka probleme mendore.
6 Maj 2008