Arrestohet, i dehuri qëlloi me kallash në mes të qytetit
DURRËS – Në gjendje të dehur, një 24 vjeçar ka hapur zjarr në ajër me kallashnikov në mes të qytetit, por 24 orë më pas ka rënë në pranga. Burimet zyrtare të policisë së Durrësit bëjnë të ditur se në mesditën e së dielës, rreth orës 13.00, u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit Gazmend Gjoka, lindur e banues në lagjen Nr. 14 Durrës. Sipas njoftimit të policisë vendore, “ndalimi i tij u bë për arsye se rreth orës 23.00, të datës 03.05.2008, në lagjen Nr. 14 në Durrës, duke qenë në gjendje të dehur, ka qëlluar në ajër me armë zjarri, tip automatik kallashnikov, të cilën e mbante pa leje”. Forcat e policisë bllokuan në cilësinë e provës materiale armën e zjarrit. 24-vjeçari Gjoka akuzohet për veprat penale të “prishjes së rendit e qetësisë publike” dhe “mbajtje pa leje të armëve e municioneve luftarake”.
Kontrabanda e viçave, ndalohet 42-vjeçari
MALËSI E MADHE - Një 42 vjeçar nga Malësia e Madhe u ndalua të hënën nga policia kufitare e Hanit të Hotit, pasi dyshohet për ushtrim kontrabande nga Mali i Zi. Burime zyrtare të policisë lokale se "shtetasi Pal Pjetracaj, banues në Koplik, u ndalua nga policia në fshatin Grizhë, pasi me automjetin e tij kamion tip "Benz" me targa MA 2196 B, po transportonte 12 krerë viça. Sipas njoftimit zyrtar të policisë, “vickat mendohet të kenë hyrë kontrabandë nga Mali i Zi". Organi i prokurorisë së Shkodrës ka nisur hetimet ndaj 42-vjeçarit Pjetracaj.
Gjuetia e paligjshme e peshkut, kapen 2 veta
SHKODËR - Dy shtetas nga Shkodra u shoqëruan të hënën nga policia, teksa u kapën duke kryer gjueti të paligjshme peshku në lumin Buna, në hyrje të qytetit verior. Burime nga policia lokale bënë të ditur se "Agron B, 35 vjeç, banues në fshatin Shtoj dhe 20 vjeçari Besmir V, banues në fshatin Dajç, (Bregu i Bunës), u kapën pranë fshatit Luarz në derdhje të lumit Buna të komunës së Velipojës. "Dy shtetasit ishin duke kryer gjueti të paligjshme peshku me një lundër me motor, e cila dispononte dhe një gjenerator", cilësuan burimet . Ndaj tyre ka nisur hetim në gjendje të lirë.
Ndalohet, përplasi me motor 2 të rinj
DURRËS – Teksa ecte me makinë në mes të qytetit të Durrësit, një 29 vjeçar ka aksidentuar dy të rinj që po ecnin me motor, duke i plagosur rëndë, por më pas është ndaluar në kushtet e flagrancës. Burimet zyrtare të policisë bëjnë të ditur se “shoqëruan në komisariatin e Durrësit shtetasin Ilir Kapiti, lindur dhe banues në lagjen Nr. 14 Durrës. Ndaj tij ka nisur procedimi penal për arsye se rreth orës 23.00, të datës 03.05.2008, pranë Mauzoleumit të Dëshmorëve, në kohën kur drejtonte automjetin tip Golf me targa DR 5997 D, është përplasur me motoçikletën me targe DR 054 B, 250 ç e për pasojë, janë aksidentuar lehtë drejtuesi i motoçikletës, shtetasi R.H., 18 vjeç dhe A.H., 18 vjeç. Pas ndihmës të parë, të aksidentuarit ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
6 Maj 2008