E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bundesliga e lënduar

Sezoni i ri në Bundesligë fillon sonte, por klubet gjermane janë goditur fuqishëm nga numri i madh i futbollistëve të lënduar. Rreth 50 lojtarë nga 18 skuadra nuk do të jenë gati për edicionin e ri. Probleme me dëmtime të futbollistëve kryesorë kanë edhe kampioni aktual Borussia Dortmund dhe gjiganti bavarez Bayern Munich. Nga Express më 05 gusht 2011 në ora 10:20

Klubet e Bundesligës janë duke numëruar të lënduarit, pas një serie të dëmtimeve pak para fillimit të sezonit të ri. Miqësoret, ndeshjet e rrethit të parë të Kupës së Gjermanisë dhe Copa America kanë bërë ndikimin e tyre duke ngritur edhe më tepër dyshimet rreth kalendarit të ngarkuar ndërkombëtar.

Rreth 50 futbollistë nga 18 klubet e Bundesligës nuk do të jenë të gatshëm për xhiron e parë të Bundesligës, që fillon të premten me ndeshjen e kampionit Borussia Dortmund në shtëpi kundër Hamburgut. Dortmund reagoi ashpër këtë javë, kur kontrollimet mjekësore treguan se sulmuesi i tyre paraguaian Lucas Barrios do të mungojë në pesë – gjashtë javët e para të sezonit pas lëndimit që pësoi në finale të Copa Americas kundër Uruguait muajin e kaluar.

“Çarja e muskulit është shumë më e rëndë se që kemi menduar”, tha trajneri Jurgen Klopp, duke u ankuar se Paraguai nuk e kishte njoftuar klubin për shkallën ë lëndimit.

“Është tregim i padëshiruar. Është shumë, shumë brengosëse dhe kjo do të hedhë hije mbi marrëdhëniet tona me Federatën paraguaiane”, shtoi ai.

Sulmuesit peruan Jefferson Farfan dhe Claudio Pizarro, që luajnë për Schalke 04, respektivisht Werder Bremen, janë po ashtu jashtë fushës pas dëmtimeve në prag të Copa Americas, që u pamundësoi atyre të paraqiten në garë.

Para këtyre dëmtimeve, klubet gjermane ishin të zemëruara me lëndimet e futbollistëve gjatë detyrave ndërkombëtare. Rasti më i famshëm ishte ai i Arjen Robbenit, i cili përkeqësoi lëndimin muskulor duke u paraqitur me Holandën në Kampionatin botëror 2010. Klubi i Robbenit, Bayern Munich, ka kritikuar ashpër Federatën holandeze, ndërsa drejtori ekzekutiv i klubit, Karl-Heinz Rummenigge, i cili është edhe president i Asociacionit të Klubeve Evropiane (ECA), ka kërkuar nga FIFA të shërbejë kompensim për raste të tilla. Edhe klubet nuk janë të pafaj.

Bastian Schweinsteiger u paraqit në tre ndeshjet e fundit të edicionit të kaluar në Bundesligë për Bayernin me një gisht të thyer të këmbës e më pas u tërhoq nga dy ndeshjet e ardhshme të Gjermanisë. Bayern përfundoi në pozitën e tretë pas lëndimit të yjeve Robben dhe Franck Ribery dhe sërish mund të fillojë sezonin në mungesë të tyre. Robben lëndoi nyjën e këmbës gjatë ndeshjes kundër Milanit në Audi Cup, ndërsa Ribery do të mungojë në takimin në shtëpi kundër Borussia Moenchengladbach të dielën për shkak të një dëmtimi në nyje që pësoi në stërvitje.

Në mesin e të lënduarve të tjerë të njohur është edhe portieri i Bayer Leverkusenit, Rene Adler, i cili u desh t’i nënshtrohet një operacioni të gjurit, pas dëmtimit në ndeshjen përgatitore kundër Salzburgut më 3 korrik. Stuttgart - që mezi siguroi qëndrimin në Bundesligë sezonin e kaluar - do të jetë pa qendërmbrojtësin Georg Niedermeier, i cili do të qëndrojë jashtë fushës për së paku gjashtë javë pas lëndimit në kofshë. Ekipi i Bruno Labbadias pret Schalke 04 të shtunën, ndërsa ka edhe Matthieu Delpierre jashtë fushës për shkak të një dëmtimi në ijë.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›