E Diel, 1 Nëntor 2026

Kodheli: “Berisha dhe Bode të bëjnë transparencën mbi situatën ekonomike”



Deputetja e Partisë Socialiste, Mimi Kodheli, duke shprehur shqetësimin për gjendjen ekonomike, i ka bërë thirrje qeverisë që të bëjë transparencën mbi këtë situatë. Në kushtet kur qeveria nuk dëgjon thirrjet e opozitës dhe të ndërkombëtarëve për krizën ekonomike, sipas Kodhelit, transparenca e situatës ekonomike nuk mund të bëhet kurrsesi nga institucione kryekëput shërbëtore të qeverisë si INSTAT-i.
Deklarata
“Të njëjtët njerëz, përgjegjës të rrënimit më të madh të ekonomisë shqiptare 14 vjet më parë, janë angazhuar në një tjetër përpjekje të dëshpëruar që rrezikon të kolapsojë plotësisht ekonominë tonë. Dyshja Berisha-Bode është po ajo, ndërsa sot ekonomia shqiptare ndodhet përpara një realiteti të errët. Qeveria i ka hyrë një rruge të rrezikshme dhe i ka hyrë kësaj rruge vetëm. Kjo qeveri nuk dëgjon as faktorin ndërkombëtar dhe as opozitën, e cila prej mëse 6 muajsh ka paralajmëruar të gjitha fazat e rrënimit financiar dhe ekonomik që po kalon Shqipëria dhe shqiptarët”, - u shpreh Kodheli.
Deputetja socialiste kujtoi se Banka Botërore dhe FMN-ja së fundi kanë kritikuar kredibilitetin e performancës dhe të shifrave të dyshes Berisha-Bode, si dhe investimet e dështuara elektorale të kësaj qeverie. Sipas saj, të gjithë faktorët kryesorë, brenda dhe jashtë vendit, janë shumë të shqetësuar për situatën makroekonomike në zhvillim, përveç arkitektëve të piramidës së vitit 1996 Berisha-Bode.
Dështimet
Sipas deputetes së Partisë Socialiste, drejtimi i kësaj qeverie i ka sjellë dëme të mëdha ekonomisë së vendit, si rënia drastike e të ardhurave në buxhet, fundosja e investimeve publike, dështimi spektakolar i eurobondit, rritja e frikshme e huamarrjes së brendshme, shumëfishimi i gjobave dhe kërcënimeve ndaj biznesit. “Një qeverie në panik që është gati të mbysë biznesin privat dhe ekonominë familjare të çdo shqiptari për të shpëtuar veten. Sot është qeveria: i mbyturi që të mbyt. Në këto kushte ku ndodhet sot ekonomia shqiptare, shoqëruar dhe nga papërgjegjshmëria e paprecedent e kësaj qeverie në masat dhe hapat e gabuar që po ndërmerr dita-ditës, ekonomia jonë rrezikon seriozisht. Jo si Greqia, por ndoshta më rëndë”, - u shpreh deputetja Kodheli.

Papërgjegjshmëria

Partia Socialiste disa ditë më parë ka zbardhur një manovër tjetër të frikshme të qeverisë së kryeministrit Sali Berisha, që e rrezikon më tepër ekonominë e vendit. Vetë kreu i Partisë Socialiste, Edi Rama, ka deklaruar se qeveria po kërkon të marrë një hua të brendshme nga bankat tregtare për muajin qershor, e cila kap shifrën prej 300 milionë dollarësh. Kjo tentativë e qeverisë, sipas Ramës, kërcënon qëndrueshmërinë e ekonomisë dhe sjell pasoja të pallogaritshme për kreditimin e sipërmarrjes private. Reagimi i liderit të opozitës ka ardhur edhe në kushtet kur qeverisë i është ndaluar të marrë hua në shuma të mëdha parash nga bankat, pasi ndodhemi në një krizë ekonomike globale, e cila nuk është shëruar plotësisht. Qeveria ka shtuar borxhet duke vënë në rrezik ekonominë e vendit. Përpos tentativës për huan prej 300 milionë dollarësh, ajo ka marrë hua nga bankat e huaja 250 milionë dollarë për rrugën Durrës-Kukës dhe 400 milionë dollarë për tregun e eurobondit për të mbushur arkën e shtetit.

15 Qershor 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›