Eduard Halimi: Asnjë skenar për shkarkimin e Ina Ramës

Ministri Halimi dhe zëvendëskryeministri i Kosovës, Kuçi nënshkruajnë tre marrëveshje në fushën bashkëpunimit ndërgjyqësor
“Nuk ka asnjë skenar për shkarkimin e kryeprokurores Ina Rama dhe raportet për të cilat shkruan media janë thjesht aludime”.
Kjo ka qenë deklarata e ministrit të drejtësisë Eduard Halimi lidhur përfundimin e mandatit të kryeprokurores. Kreu i Drejtësisë ka hedhur poshtë aludimet se ministria e Drejtësisë ka hartuar një raport mbi Prokurorinë e Përgjithshme i cili do të shërbejë për shkarkimin e Ina Ramës.
Minsitri Halimi ka folur edhe për projektligjin për amnistinë e të dënuarve në kuadër të 100 vjetorit të Pavarësisë. Ai tha se drafti është pothuajse i njëjtë me ato të viteve të kaluara të hartuara nga qeveritë e kohës. Ndërkohë që bëri të ditur që mbikëqyrja elektronike e të dënuarve do të implementohet rreth datës 15 nëntor.
Këto deklarata Halimi i bëri pasi nënshkroi tre marrëveshje me zëvendëskryeministrin dhe ministrin e drejtësisë së Kosovës, Prof. Dr. Hajredin Kuçi. Marrëveshjet bënin fjalë për ndihmë të ndërsjellë juridike në çështjet penale, për ekstradimin dhe transferimin e personave të dënuar.
Sipas këtyre marrëveshjeve, muajin e ardhshëm nis puna për nismën e përbashkët “Një komb, një legjislacion” që parashikon përafrimin e legjislacionit, duke u bazuar në traditën kombëtare, juridike dhe aspiratat e dy vendeve për anëtarësim në BE
Republika e Kosovës dhe ajo e Shqipërisë kanë thëlluar marrëdhëniet në fushën e bashkëpunimit juridik ndërkombëtar.
Në fjalën e tij Ministri i Drejtësisë, Eduard Halimi theksoi se “Finalizimi i këtyre marrveshjeve, të cilat janë hartuar sipas modelit të marrëveshjeve që Shqipëria ka me Italinë dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikëas, dëshmon vullnetin e hekurt të dy palëve që krimi kudo që të ndodh duhet të marrë të njëjtin ndëshkim”.
Tre marrëveshjet të cilat u nënshkruan dje, vetëm pak ditë para nisjes së festimeve për 100 vjetorin e Pavarësisë së kombit shqiptar, ministri Halimi i cilësoi jo vetëm simbolike por edhe një shenjë e vullnetit të hekurt që të dy palët kanë për të bashkëpunuar kundër krimit të organizuar në të dyja anët e kufirit.
Të dy ministrat ranë dakord për krijimin e grupeve punuese për përafrimin e legjislacionit, duke u bazuar në traditën kombëtare, juridike dhe aspiratat e dy vendeve për anëtarësim në BE.
“Ne kemi diskutuar një nismë të përbashkët të ndërmarrë në kuadër të 100 vjetorit të Pavarësisë së kombit shqiptar. Muajin e ardhshëm do të ngremë një grup pune të përbashkët që do të punojë për ndërtimin e legjislacionit sipas standardeve evropiane me nismën ‘Një komb, një legjislacion’ duke ndërtuar dhe përafruar dy legjislacionet sipas standardeve evropiane. Kombi ynë kudo që ndodhet ka një aspiratë dhe kjo është aspirata evropiane”, tha Ministri Halimi për mediat.
Nëpërmjet nënshkrimit të këtyre tre marrëveshjeve, të dy institucionet homologe të drejtësisë shprehin qëndrimin se nënshkrimi i tyre krijon mundësi më të mira për Republikën e Kosovës për njohjen e saj në arenën ndërkombëtare si shtet palë me të drejta e detyrime të plota dhe vlerësimin e saj si një partnere e fuqishme në konsolidimin dhe zhvillimin e bashkëpunimit gjyqësor në luftën kundër fenomeneve të krimit të organizuar ndërkombëtar
Zëvendëskryeministri dhe Ministri të Drejtësisë së Republikës së Kosovës, Prof. Dr. Hajredin Kuçi,ndodhet ne Tiranë prej dy ditësh për marrë pjesë edhe në takimin e ministrave të Brendshëm dhe të Drejtësisë të vendeve të Ballkanit dhe BE-në, që po zhvillohet në Tiranë, në të cilin është theksuar forcimi i bashkëpunimit ndërmjet vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe Bashkimit Europian në luftën kundër trafikut të armëve dhe qenieve njerëzore, si dhe korrupsionit.