“Ulja e taksave nga të zgjedhurit vendorë, politikë ekonomike rezultative në Tiranë”
Kryetari i bashkisë së Tiranës, bashkëbisedon me studentët. Në fokus debati mazhorancë-opozitë për taksat
Kryetari i Bashkisë së Tiranës Lulzim Basha ka deklaruar dje se Bashkia mund të bëjë shumëçka për zhvillimin ekonomik dhe punësimin.
I ftuar nga studentët e “Tirana Business University”, në bashkëbisedimin "Roli i bashkisë për zhvillimin ekonomik dhe sipërmarrjen", kryebashkiaku Basha theksoi se çdo kryetar bashkie ka pasur dhe ka mundësi të ulë deri në 30 për qind nivelin e taksave të biznesit të vogël. Një nismë e tillë, jo vetëm që nuk u ndërmor nga administrata e mëparshme e Bashkisë por u kundërshtua fort edhe vendimi i qeverisë, për të mos lejuar rritjen e taksave, më shumë se 10 për qind të taksës së biznesit të vogël, nga 30 për qind para vitit 2009.
“Çdo pretendim se Kryetari i Bashkisë, sot apo para dy vitesh, apo para 5 vitesh nuk mund të ulte taksat deri në 30 për qind, është një e pavërtetë e madhe që i thuhet publikut dhe një justifikim për apatinë e pushtetit vendor, në raport me zhvillimin ekonomik. Bashkitë kanë pasur prej kohësh një marzh autoriteti për të ulur apo rritur taksat e dekretuara me ligj deri në 30 për qind. Qeveria vendosi edhe një masë tjetër, që mund ta ulësh deri në 30 për qind, por nuk mund ta ngresh më shumë se 10 për qind, taksën e biznesit të vogël të përcaktuar nga Parlamenti i vendit. Natyrisht, unë kam qenë entuziast për këtë masë dhe e kam mbështetur si në Kabinet, si kur e votuam në Parlament. Mbaj mend se përfaqësuesit e atëhershëm të pushtetit vendor kanë protestuar dhe e kanë konsideruar si një cenim të autonomisë vendore. Edhe nëse sot marzhet për të rritur taksën e dekretuar me ligj Parlamenti deri në 30 për qind do të ekzistonin, unë personalisht do të merrja të njëjtat masa që kam marrë në shtator të vitit 2011, do u rekomandoja fuqishëm kolegëve të mi, nga Shkodra në Sarandë, nga Durrësi në Korçë të bënin të njëjtën gjë. Kjo është politika ekonomike, që sot është një instrument edhe në duart tona dhe unë kam filluar pikërisht duke bërë këtë, duke përdorur marzhet maksimalë që më lejon ligji për të ulur kufirin e taksave dhe tarifave, për të eliminuar sa më shumë tarifa dhe për të eliminuar atë që njihet në terminologjinë anglo-sanksione si “shiriti i kuq”, atë që ne e njohim si burokracia apo zvarritjet”, u shpreh Kryebashkiaku Basha.
Vendimi për heqjen dhe uljen e 60 taksave dhe tarifave vendore ka dhënë rezultatet e tyre, duke legjitimuar faktin se Bashkia mund të bëjë diçka, në zhvillimin ekonomik dhe punësimin.
“Në dhjetor, ne përfunduam një tjetër hap, me krijimin e Qendrës për licencat dhe lejet në Bashkinë e Tiranës, pikërisht përballë Universitetit tuaj dhe në gusht pamë statistikat e Drejtorisë së Përgjithshme të Tatim-Taksave të Shqipërisë, pra të Ministrisë së Financave dhe Institutit të Statistikave që tregonin se në këto 12 muaj të këtyre masave të marra, në Tiranë ishin regjistruar plot 1500 më shumë biznese se sa në 12 mujorin paraardhës dhe ishin krijuar 6880 vende pune më shumë”, tha Basha.
Bashkia e Tiranës përveçse ka ndërmarrë hapa dhe nisma që ia lejon ligji, për të përmirësuar klimën e biznesit dhe lehtësuar barrën fiskale, ka bërë dhe propozime konkrete për vendimmarrjen nga qeveria dhe Parlamenti. Që në muajin maj, Kryetari i Bashkisë Lulzim Basha i ka propozuar USAID-it, të bëjë pjesë të paketës së rishqyrtimit, të decentralizimit, mbledhjen e taksës së biznesit të vogël nga administrata qendrore tatimore, propozim i cili është marrë në shqyrtim edhe nga Ministria e Financave dhe mbështetur nga ish-Kryetari i Bashkisë Edi Rama.
“Propozimi im ka qenë që të kemi një konsolidim të sistemit të mbledhjes së taksës, në tre kushte; kushti i parë, sistemi i ri të mos jetë asnjë barrë shtesë fiskale jo e jo, por as administrative për subjekte të cilat deri tani janë në juridiksionin tonë, pra për biznesin e vogël, së dyti do të kemi një kompensim të plotë dhe avancues, nëpërmjet një formule të bashkëndarjes së të ardhurave midis pushtetit qendror dhe pushtetit vendor dhe të thyejmë këtu edhe tabu të tjera si taksa e fitimit apo tatimi mbi të ardhurat personale dhe së treti kjo të ndodhë në kushte të një partneriteti dhe bashkëpunimi midis pushtetit vendor dhe pushtetit qendror, ku shërbimet aktuale të të ardhurave tatimore të pushtetit vendor, të ndihmojnë në një luftë më efikase ndaj informalitetit, por njëkohësisht të dedikohen më fuqishëm në ato aspekte, ku puna e pushtetit vendor në këto 20 vjet lë për të dëshiruar. Këtu gjej rastin të shpreh kënaqësinë, që ky propozim në tërësi është mbështetur deri tani si nga Ministria e Financës, ashtu edhe nga kreu i opozitës dhe ndonëse mund të ketë lindur si një motivim për të treguar ndryshime në prag të një fushate elektorale kombëtare, mund të kthehet me pak vullnet në diçka që na bashkon, në drejtim të një imperativi për të cilin shumë është folur më përpara por pak është bërë” - theksoi Kreu i Bashkisë së Tiranës.
Kryebashkiaku Basha ka theksuar gjithashtu se Bashkia po luan një rol të rëndësishëm në shkëmbimin e informacionit në tregun e punës.
“Shkëmbimi me efiçencë i të dhënave, kërkesës dhe ofertës në tregun e punës është një rol që Bashkia e Tiranës ka filluar ta luajë, së pari duke vendosur kontakt me ato organizata që posedojnë sot data-base më të mira, ndonëse jo të plota të kërkesës, siç është Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë të Tiranës apo bashkime të tjera të biznesit në Tiranë, së dyti, duke vendosur një partneritet me universitetet e Tiranës, duke pasur akses në bazën e të dhënave dhe në data-base e të sapo diplomuarve. Së treti, duke marrë një rol aktiv nëpërmjet dedikimit të burimeve tona njerëzore, për shkëmbimin e këtyre të dhënave dhe së katërti hapi që nuk është ekzekutuar akoma por që do të ekzekutohet së shpejti, duke e bërë këtë të mundur on-line”, përfundoi kryebashkiaku Lulzim Basha.