Eduard Halimi: “Bojkoti i opozitës nuk ka penguar asnjë reformë”
Në mbyllje të punimeve të Kuvendit të Shqipërisë për vitin 2009, përfaqësuesit e maxhorancës vazhdojnë të mos i japin rëndësi mungesës së opozitës në Kuvend. Deputeti i Partisë Demokratike, Eduard Halimi, i cili bën pjesë në një prej komisioneve më të rëndësishme parlamentare që është ai i Ligjeve, është shprehur dje për mediat se mungesa e kartonëve të opozitës nuk ka penguar asnjë reformë, madje as atë në Drejtësi, pasi në komisione, por dhe në seancë plenare, kanë kaluar ato ligje, të cilat nuk kanë pasur nevojë për shumicë votash. “Ka pasur një intensitet të jashtëzakonshëm të punës së komisionit. Çdo ditë të javës, me përjashtim të ditës të enjte dhe ditës së premte, ka pasur mbledhje ku janë diskutuar me profesionalizëm të lartë një numër i madh projektligjesh, ku unë do të veçoja projektligjin e antimafies”, - tha Halimi.
Ndonëse për 3 muaj Partia Socialiste ka lënë bosh karriget, sipas Halimit, kjo situatë nuk duhet të vazhdojë më. Ligjet e mbetura nga reforma në Drejtësi nuk duhen lënë më në sirtarët e Kuvendit. “Mungesa e opozitës e dëmton procesin pasi ne bëjmë vërejtje nga këndvështrimi i maxhorancës, ndërkohë që mungon këndvështrimi i opozitës, që është i nevojshëm për një demokraci normale në një shtet. Pra ka munguar elementi kritik i syrit të opozitës. Reforma në Drejtësi ka vijuar me elementet e tjera të atyre ligjeve që kanë kërkuar një shumicë të thjeshtë për të kaluar, por sigurisht prania e opozitës është e domosdoshme”,- tha Halimi. Opozita ka braktisur çdo seancë të Parlamentit të dalë nga zgjedhjet e qershorit. Për këtë arsye është reduktuar dhe numri i seancave plenare duke bërë që pothuajse gjatë tërë sesionit deputetët të mblidhen vetëm një herë në javë.
23 Dhjetor 2009