E Shtunë, 31 Tetor 2026

Hidhen 400 kg sardele në plazh

 

VLORE/ QEMAL BIRAKU

Një sasi e konsiderueshme sardelesh, pjesa më e madhe e prishur, është hedhur në anë të detit në zonën e plazhit të Zvërnecit.Persona ende të paidentifikuar i kanë braktisur arkat me peshk buzë detit dhe më pas janë larguar. Por era e keqe që ka nisur në orët e drekës në këtë zonë, ka alarmuar banorët si dhe disa peshkatarë, të cilët bënë dhe njoftimin tek institucionet përkatëse. Në vend mbërritën disa specialistë të Drejtorisë së Bujqësisë dhe Ushqimit, të cilët konstatuan se ishin hedhur rreth 400 kilogramë peshk. Sasia ndodhej në paketimet prej shkume që përdoren për t’i shitur dh për t’u grumbulluar prej peshkatarëve ose nga pronarët e frigoriferëve. Së bashku me peshkun ishte hedhur edhe një sasi mbeturinash të ndryshme, kryesisht plastike. Sipas peshkatarëve, kjo sasi mund të jetë hedhur edhe nga ndonjë prej anijeve të peshkimit, të cilat ankorohen në këtë zonë. Kjo, pasi vendi ku është hedhur masa e sardeleve ndodhej vetëm pak metra larg portit të anijeve të peshkimit. Mësohet se transportimi deri në këtë vend i peshkut është bërë nëpërmjet automjeteve. Nuk dihet ende arsyeja e hedhjes së peshkut apo personat që e kanë lënë në atë zonë, por sipas peshkatarëve rreziku për t’u marrë për konsum nga njerëzit është i madh. Një pjesë e sardeleve rezultonte në gjendje të konsumueshme, por prania me peshkun e prishur dhe të lënë për shumë orë në ambiente të hapura mund të përbënte rrezik për helmim. Kjo është hera e parë që një sasi kaq e madhe peshku hidhet shkujdesur në këtë zonë. Zakonisht ato hidhen prej dyqaneve të peshkut apo anijeve të ndryshme në Pyllin e Dodës ose në vendgrumbullimin e mbeturinave. Specialistët thanë se nëse do të arrihet të identifikohen personat që kanë hedhur peshkun në këtë zonë, atëherë ata rrezikojnë një gjobë të konsiderueshme nga ana e drejtorive përkatëse, siç është edhe ajo e mjedisit. Ekspertët mjedisorë lëshojnë alarmin se nëse sasia e peshkut nuk do të groposet shumë shpejt, atëherë rrezikohet të ndotet gjithë zona. Sot pritet që 400 kilogramë sardele që u gjendën dje të hedhura shkujdesur, të groposen. Dyshohet se personat t’i kenë hedhur arkat e peshkut gjatë natës, me qëllim që t’i shpëtonin edhe përgjegjësisë. Sasia u zbulua dje në mëngjes, kur një pjesë e mirë e peshkut ishte ende i paprishur dhe madje mund të konsumohej. Nuk dihet arsyeja e hedhjes së specieve të detit, por specialistët kanë marrë disa kampionë për të kryer edhe analizat përkatëse. Pas kryerjes së këtyre analizave, ato do të groposen në një vend që do të përcaktohet nga ana e ekspertëve mjedisorë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›