Eduard Selami: ”Shtypi më i përparuar se politika në Shqipëri”
Ish-kryetari i Partisë Demokratike në vitet ‘92-’94, Eduard Selami, ka deklaruar se ngjarja e rëndë e ndodhur në fshatin Gërdec ka pasur një mbulim tepër të mirë nga ana e medias në Shqipëri, çka tregoi një avancim para të saj në krahasim me klasën politike. Në një intervistë për Zërin e Amerikës, Selami ka folur edhe për anëtarësimin e vendit në NATO si dhe rolin e maxhorancës dhe opozitës në këtë proces. “Unë dua të shpreh komplimentet e mia për shtypin shqiptar. Për mendimin tim personal, shtypi mbase është parcela më e avancuar e jetës politike në Shqipëri dhe vërtet po bëhet garanci për forcimin e shtetit ligjor, për forcimin e institucioneve, për përshpejtimin e procesit të anëtarësimit të Shqipërisë në NATO. Të mos harrojmë se pas NATO-s do të vijë procesi i Bashkimit Europian. Këto janë procese që marrin kohë. Mos më keqkuptoni. Unë nuk dua të fsheh realitetin. Kam qenë atje dhe kam pasur raste. E vetmja gjë që unë dua të them është që me të drejtë ne kemi vuajtur shumë. Çështja shqiptare ka pasur ditë mjaft të vështira. Është sot një rast për të parë se shqiptarët po shpërblehen për shkak të qëndrimit të tyre paqësor, për shkak se inspirojnë për vlera demokratike dhe për padrejtësitë e dhunës që u janë krijuar dhe nuk po u përgjigjen me të njëjtin çmim, por u përgjigjen me tolerancë, bashkëpunim”, - është shprehur Selami. Më tej ai ka komentuar edhe situatën politike më të fundit në Shqipëri, kur vendi pret që për pak ditë të marrë ftesën për në NATO. Ai është shprehur se ngjarja në fshatin Gërdec nuk ka për të ndikuar në vendimin e vendeve anëtare. “Njëkohësisht është një vlerësim për angazhimin e saj në drejtim të reformës. Nga ana tjetër, mendoj se kjo ftesë do të jetë një vlerësim edhe për rolin e opozitës, e cila duhet përshëndetur. Megjithatë, një ngjarje kaq tragjike i ka ndarë disa gjëra dhe po mban qëndrim konstruktiv. Pra, nga njëra anë kërkon me të drejtë që t’i shkohet deri në fund, të forcohet shtetit ligjor, por ka shprehur në mënyrë të qartë angazhimin e saj për këtë anëtarësim, dhe ky është një fakt që nuk ndodh shpesh”, - tha Selami.
1 Prill 2008