Leskaj, përfaqësuesja e opozitës në Bukuresht
Kryetarja e Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Valentina Leskaj, do të përfaqësojë opozitën në delegacionin shqiptar që do të marrë pjesë në Samitin e Bukureshtit. Leskaj do të jetë pjesë e delegacionit shqiptar së bashku me Presidentin e Republikës Bamir Topi, kryeministrin Berisha, kryeparlamentaren Topalli, ministrin e Jashtëm Lulzim Basha, ministrin e Brendshëm Gazmend Oketa dhe kryetarin e Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike Astrit Patozi. Delegacioni shqiptar do të marrë pjesë në ceremoninë e hapjes së këtij samiti, ku do të marrin pjesë të gjithë presidentët e vendeve anëtare të Aleancës, përfshi këtu presidentin e SHBA-së Xhorxh Bush dhe atë të Rusisë, Vladimir Putin. Vendimi për të marrë ftesën për tre vendet kandidate, Shqipërinë, Maqedoninë dhe Kroacinë, do të bëhet i ditur vetëm të enjten në drekë, kur sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Shefer, do të mbajë një fjalim para të gjitha delegacioneve. Deri të enjten, pra pak para se të bëhet publik vendimi, delegacionet e vendeve që aspirojnë të marrin ftesën e NATO-s do të kenë një seancë dëgjimore me pyetje-përgjigje me krerët e 26 delegacioneve, nga e cila do të dalë vendimi me konsensusin e të gjithë delegacioneve.
1 Prill 2008