E Shtunë, 31 Tetor 2026

Procedurat dhe kriteret për t’u anëtarësuar në NATO

Kushtet që duhet të plotësojnë shtetet që aspirojnë të integrohen në strukturën euro-atlantike. Demokracia funksionale, ekonomia e tregut dhe gatishmëria për të luftuar përkrah NATO-s, kriteret kryesore për aderimin

Bruksel – NATO-ja ka një rend të hollësishëm për vendet që synojnë të anëtarësohen apo shtetet jo anëtare që dëshirojnë të bashkëpunojnë me Aleancën, por pa u anëtarësuar në të. Por cilat janë kushtet që duhen plotësuar dhe procedurat që duhet të ndjekin shtetet për tu anëtarësuar në strukturën e rëndësishme euro-atlantike. Gjithçka nis nga hapi i parë i bashkëpunimit me aderimin në Sistemin e Partneritetit për Paqen, për të vijuar më pas me Planin Individual për Partneritet dhe me dialogun e intensifikuar. Këto tre hapa janë hedhur deri tani nga Shqipëria, e cila është në prag të marrjes së ftesës së anëtarësimit, e cila më pas duhet të pasohet me një sërë procedurash të tjera deri në anëtarësimin e plotë në NATO.
Partneriteti për Paqe
Për shumë shtete hapi i parë i bashkëpunimit me NATO-n është t’i bashkohen Partneritetit për Paqe (PfP), një sistem sipas të cilit NATO-ja punon me shtete të treta për çështje që lidhen që nga reformat e mbrojtjes tek ushtrimet e përbashkëta dhe antiterrorizmi. Shqipëria, Austria, Bjellorusia, Bosnja, Finlanda, Irlanda, Republika e Kirkizit, Mali i Zi, Rusia, Serbia, Suedia, Zvicra, Taxhikistani, Turkmenistani dhe Uzbekistani janë tashmë anëtare të PfP-së. Nga këto vetëm Shqipëria, Bosnja dhe Mali i Zi synojnë t’i bashkohen Aleancës Atlantike. Shtetet e PfP-së, të cilat dëshirojnë marrëdhënie më të afërta me NATO-n, aplikojnë për Planin Individual për Partneritet (IPAP). Plani rinovohet çdo dy vjet, me qëllim përmirësimin e bashkëpunimit me NATO-n rreth çështjeve të politikës, sigurisë, mbrojtjes dhe emergjencave civile. Anëtare të IPAP janë Armenia, Azerbajxhani, Kazakistani dhe Moldavia. Dialogu i intensifikuar: Hapi tjetër është marrja e të ashtuquajturit “dialog i intensifikuar” me NATO-n. Kjo marrëveshje mbulon të njëjtat çështje si IPAP, por në mënyrë më të detajuar dhe gjithashtu përfaqëson hapat e parë konkretë drejt anëtarësimit. Deri në këtë fazë kanë arritur Gjeorgjia dhe Ukraina.
Plan-veprimi i anëtarësimit
Plan-veprimi i anëtarësimit (Membership Action Plan, MAP) është hapi kryesor për shtetet që dëshirojnë të bëhen anëtare të NATO-s. Ky proces përfshin një sërë raportesh vjetore mbi progresin e bërë. Shteti kandidat duhet të vërtetojë që ka një demokraci funksionale, ekonomi tregu dhe është e aftë dhe njëkohësisht ka vullnetin për të luftuar përkrah forcave të NATO-s. Po kështu duhet të vërtetojë që mbron dhe mbështet minoritetet e veta sipas ligjeve në zbatim dhe që i ka zgjidhur në mënyrë paqësore konfliktet me shtetet fqinje. Në këtë fazë janë aktualisht Kroacia, Shqipëria dhe Maqedonia. Zyrtarët e NATO-s këmbëngulin që vendet që janë aktualisht në fazën e Plan-Veprim-Anëtarësimit (MAP) nuk do të thotë automatikisht që do të marrin ftesë për në NATO. Gjithsesi, praktika ka treguar se deri tek anëtarësimi mund të duhen nga dy deri në dhjetë vjet. Ftesa, hapi tjetër, është marrja e ftesës nga vendet anëtare të NATO-s. Kandidatët kryejnë bisedime intensive me NATO-n për t’u siguruar që ata janë në gjendje t’i bashkohen Aleancës. Pas këtij hapi, të dërguarit i shkruajnë gjeneralit të Përgjithshëm të NATO-s duke i konfirmuar pranimin e kushteve. Pastaj NATO-ja përgatit disa amendime në traktatin e saj themelues, duke bërë gati edhe ftesën për to. Pasi NATO-ja dhe shtetet që kanë marrë ftesën ratifikojnë traktatin e amenduar, shteti bëhet anëtar i plotë me të gjitha të drejtat. Tradicionalisht ky proces zgjat dy vjet, por në 6 mars ministrat e Jashtëm të NATO-s vendosën që kjo kohë do të shkurtohej në një vit.
Përgatiti: Shaban Sulçe

1 Prill 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›