PDS: Do të jemi në protestë, të largohet Berisha
Partia Demokracia Sociale ka bërë të ditur se do t’i bashkohet protestës së ditës së premte për të shprehur mbështetjen e saj për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO, si dhe për të kërkuar largimin e qeverisë “Berisha”. “Partia Demokracia Sociale në prag të samitit të NATO-s në Bukuresht, në marrjen e Ftesës së Shqipërisë, shpreh optimizmin e saj si një arritje e madhe jo vetëm e mazhorancës, por edhe e opozitës. Ftesa e NATO-s do të jetë e kondicionuar dhe e monitoruar nga ndërkombëtarët për arsye se nuk janë realizuar disa reforma, si në Drejtësi dhe ajo Zgjedhore. PDS shpreh dyshime serioze se kjo qeveri edhe pas ftesës së Bukureshtit do të arrijë të realizojë detyrat që i janë ngarkuar”, - tha Milo. Ai shprehu kërkesën e PDS-së për dorëheqjen e Berishës, ndërkohë që kritikoi partinë më të madhe të opozitës, PS, se po bën opozitë me dy standarde. “PDS do të kërkojë dorëheqjen e kësaj qeverie edhe ditën e premte në Sheshin Skënderbej, në protestën e opozitës. Nuk mund të ketë dy standarde të opozitës, një për të dalë bashkë në sheshin Skënderbej dhe një standard tjetër për reformat, për të cilat PS-ja merret vesh me Berishën”, - u shpreh Milo.
1 Prill 2008