Kopaçe: Mësuam nga humbja në Elbasan, ndaj Tërbunit jemi të përqendruar
Sipas mesfushorit të Naftëtarit, ekipi pësoi humbjen e parë nga mungesa e përqendrimit, e cila tashmë është kthyer në mësim për ndeshjet në vazhdim
Nga Arben Çepani
Naftëtari nuk arriti të konkretizojë në realitet dëshirën e madhe të saj për ta nisur me fitore sezonin e ri, teksa u mund në Elbasan me rezultatin 2-0. Naftëtari pësoi golin e parë shumë shpejt, që në 10 minutat e para, duke pësuar dy gola, kryesisht prej gabimeve në mbrojtje. Pas disavantazhit të shpejtë dhe të dyfishtë, futbollistët kuçovarë kanë reaguar, sidomos në fraksionin e dytë të lojës, ku me pak kujdes mund të rihapnin ndeshjen.
Pakënaqësia nga humbja
Gjithsesi në përfundim erdhi një humbje, e cila normalisht nuk e ka lënë aspak të kënaqur ambientin sportiv në Kuçovë. Ndoshta me të drejtë nga skuadra kërkohej më shumë në startin e kampionatit, të paktën një barazim, që mund të kishte ndikimin e saj pozitiv në ecurinë e mëtejshme në kampionat. Megjithatë, futbollistët kuçovarë kërkojnë ta lënë pas rezultatin e ndeshjes së parë dhe po bëhet përpjekje për të reaguar pozitivisht në ndeshjen e radhës.
Humbje aksidentale
Mesfushori i skuadrës së Naftëtarit, Florian Kopaçe, thekson se humbja me Elbasanin në ndeshjen e parë të kampionatit ishte pothuajse aksidentale, ku pësimi i dy golave ishte krejtësisht i evitueshëm. ”Pavarësisht humbjes, mendoj se u prezantuam mirë në ndeshjen e parë të kampionatit. Ishim përgatitur për një start pozitiv, ku duhej të arrinim të paktën tek barazimi. Por për fat të keq jashtë çdo parashikimi, ne u goditëm shumë shpejt, ku golat e pësuar ishin më shumë për pakujdesinë tonë se për meritë të kundërshtarit. Nuk duam të mohojmë vlerat e kundërshtarit, por duhet të pranojmë dhe rezultatin final. Gjithsesi duhet të merrnim më shumë, pasi ishin të gjitha mundësitë për të arritur tek rezultati pozitiv. Në pjesën e dytë ne ishim më lart, ku me gjithë rastet e mira që krijuam për shënim, gabuam në finalizim, tha Kovaçi.
Episodet
Futbollisti i Naftëtarit theksoi dhe humbjen e përqendrimit e futbollistëve në disa episode të evitueshme. Mendoj se në këtë ndeshje vendosën episodet, ku kundërshtari ndoshta kishte më shumë fat. Normalisht ndihemi të mërzitur për rezultatin e ndeshjes së parë, ku një fillim i suksesshëm do të kishte efekt pozitiv, theksoi mesfushori i Naftëtarit.
Përqendrimi
Duhet ta lëmë pas humbjen me Elbasanin për të menduar për ndeshjen e radhës. Kemi mësuar jo pak nga humbja e ndeshjes së parë, ku tashmë duhet të tregohemi më të përqendruar në ecurinë e mëtejshme të kampionatit. Besoj se ndaj Tërbunit në stadiumin tonë do të rikthehemi te fitorja”, theksoi Kopaçi. Në ndeshjen e radhës, Naftëtari do të presë në shtëpi skuadrën pukjanë të Tërbunit, e cila pritet më mjaft interes nga tifozët kuçovare.
