E Shtunë, 31 Tetor 2026

Del Piero zyrtarisht ne Australi

Pas 19 vjetësh të kaluar te Juventusi, Alesandro Del Piero zgjedh Australinë. Ish-kapiteni legjendar i Juventusit është zyrtarisht një lojtar i Sydney FC. Ai ka gjetur akordin me klubin australian dhe firmosi kontratën e propozuar.

Për të luajtur në kontinentin e largët, “Pinturikio” refuzoi oferta të rëndësishme nga skuadra të ndryshme europiane si Liverpul, Sion, Sëlltik, Braga, Sauthhempton apo Olimpiakos. Sipas asaj që u mësua fillimisht, marrëveshja parashikon kontratë 2-vjeçare, me rrogë 2 milionë euro në sezon.

“është një ditë speciale. Jam i lumtur të konfirmoj se pak orë më parë firmosa kontratën me Sydney dhe për dy vitet e ardhshme do të luaj në Australi”, deklaroi Del Piero, që do të mbajë numrin 10 në fanellë gjatë një konference për shtyp.

“Do të jetë një aventurë e shkëlqyer dhe pas aventurës së gjatë me Juventusin nuk mendoj se kishte zgjedhje më të mirë. Klubi më ka garantuar që do të jetë konkurrues për të fituar, ndërsa për Syndeyn kam refuzuar disa oferta, madje edhe nga Italia”, shtoi sulmuesi.

Por, pavarësisht blerjes së Del Piero, kompanitë e basteve nuk besojnë se skuadra e Sydney-t do të arrijë të fitojë titullin në “A-League”-n australiane. Për sezonin e ri që nis më 5 tetor, favorite mbetet skuadra e sulmuesit shqiptar, Besart Berisha, Brisbane Roar.

Koeficienti që kampionët në fuqi të triumfojnë sërish është 4,5, pas tyre vjen skuadra e Melbourne me 5,5, ndërsa Sydney, klub të cilit titulli i mungon prej vitit 2010 kuotohet me koeficientin 6.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›