Edvin Murati: “Dua të jem ndaj Sllovenisë!”

Nga Mikel Bizhyti
Edvin Murati nuk dorëzohet. Mesfushori shqiptar i Panseraikosit e ka lënë pas dëmtimin e rëndë të pësuar në 30 dhjetor të vitit të kaluar (në miqësoren kundër PAOK-ut të Selanikut) dhe tashmë ka rinisur stërvitjet. Ndërhyrja kirurgjikale në fytyrë kaloi me sukses (mjekët i kanë vendosur një protezë metalike e cila mban ngjitur kockat), por ende mbetet rreziku i përsëritjes së dëmtimit, i cili do të ishte fatal për të. Për këtë arsye, 31-vjecari do të zbresë në fushat e lojës vetëm kur të ndihet 100% i sigurtë për formën e tij. Megjithatë rikthimi është vetëm cështje javësh. Ai kërkon të japë ndihmën për klubin bardhekuq (ka shënuar 3 gola në këtë sezon), i cili ndodhet në një pozitë mjaft të vështirë në klasifikim, por qëllimi kryesor është pjesëmarrja në ndeshjet e ardhshme të kombëtares, me Slloveninë dhe Bullgarinë për eliminatoret e EURO 2008 në muajin mars.
Edvin, tashmë e keni lënë pas dëmtimin dhe i jeni rikthyer stërvitjeve. Po rikthimi në fushat e lojës?
Për fatin tim të mirë kaloi pa ndonjë pasojë edhe pse dëmtimi nuk ishte aspak i lehtë. Më është dashur t'i nënshtrohem një ndërhyrjeje kirurgjikale të ndërlikuar poshtë syrit tim, por tani ndihemm mirë. Është e vështirë të rikthehesh menjëherë në fushë, pasi në rast përsëritje të atij dëmtimi pasojat do të ishin mjaft të rënda. Kam ditë që kam filluar stërvitjet dhe mendoj që shumë shpejt të jem në fushë në rradhët e skuadrës time, Panseraikos.
Si e përjetuan dëmtimin tuaj drejtuesit e klubit e për më tepër tifozët, për të cilët ju jeni kthyer në një idhull?
Të them të drejtën dëmtimi im është përjetuar shumë keq në skuadër dhe një gjë të tillë e kam parë me sytë e mi. Të gjithë më kanë qendruar pranë dhe për asnjë moment nuk më kanë lënë vetëm. Interesimi për shëndetin tim ka qenë i jashtëzakonshëm dhe për këtë dua t'i falenderoj të gjithë, drejtues edhe futbollistë. Një falenderim të vecantë kam edhe për tifozët ultras, të cilët kanë qenë gjithnjë pranë meje si në momentin e vështirë të dëmtimit edhe gjatë gjithë kësaj periudhe. Janë vërtetë të jashtëzakonshëm.
Ndeshja juaj e fundit me Kombëtaren ka qenë ndaj Hollandës në "Amsterdam Arena", më 11 tetor 2006, ndërkohë që është folur edhe për një largim të mundshëm nga kuqezinjtë. Si është e vërteta?
Ndeshja e fundit për mua ka qenë pikërisht ndaj Hollandës kur zëvëndësova Aliajn. Ka qenë një aktivizim i pjesshëm, pasi vija nga një dëmtim në këmbë që vijoi edhe më pas. Përsa i përket vazhdimësisë ose jo në kombëtare të them të drejtën unë nuk jam shprehur asnjëherë për një gjë të tillë edhe pse kam dëgjuar zëra për këtë. Ende nuk e kam vendosur largimin tim nga kombëtarja shqiptare, pasi e ndiej kam ende për të dhënë për të. Ruaj shumë kujtime, por edhe fitore të rëndësishme, të cilat do të mbeten gjithnjë të freskëta në mendjen time.
Do të jeni i gatshëm për Slloveninë?
Padyshim që e pres me padurim këtë ndeshje, e cila është dhe një nga qëllimet e mia kryesore për t'u rikthyer sa më shpejt në nivelet e mëparshme. Ndaj Sllovenisë dua të jem në fushën e lojës dhe të jap kontributin tim. Kam besim se do ta arrij një gjë të tillë.
C'mendim keni afrimin e lojtarëve të rinj në rradhët e kombëtares?
Është një gjë shumë pozitive dhe mendoj se të gjithë ata që janë afruar momentalisht janë të talentuar dhe do të bëjnë shumë punë në skuadrën kuqezi. Brezi ynë është në perëndimet e karrierës me kombëtaren dhe natyrshëm që duhet zëvëndësuar me elementë të rinj dhe të vlefshëm. Po bëhet një punë e mirë që shpresoj të japë frytet në të ardhmen. Atë që nuk mundëm ta bënim dot ne për të marrë pjesë në kompeticione të tilla si Evropiane apo Botërorë i mbetet detyrë pikërisht këtyre futbollistëve të rinj.