Senati i Italisë ratifikon Protokollin e Anëtarësimit të Shqipërisë në NATO
Nga 26 shtete, ratifikimi deri tani nga 17 shtete
TIRANE - Senati i Italisë ratifikoi dje pasdite në unanimitet Protokollin e Anëtarësimit të Shqipërisë në NATO.
Pak ditë pas ratifikimit të këtij protokolli nga Dhoma e Deputetëve, edhe anëtarët e Senatit italian dhanë njëherësh votën e tyre pro anëtarësimit të Shqipërisë në Aleancën e Atlantikut të Veriut.
Në letrën e saj drejtuar Kryetarit të Senatit Italian, Renato Schifani, Kryetarja e Kuvendit e falënderoi zotin Schifani për angazhimin e tij personal, duke bërë të mundur që procesi i ratifikimit të përmbyllej brenda kalendarit të ngjeshur të punimeve të këtij viti.
Në emër të Kuvendit të Shqipërisë, Kryetarja e Kuvendit shprehu mirënjohjen për senatorët italianë, për miqësinë dhe besimin e tyre ndaj përpjekjeve të Shqipërisë për të merituar anëtarësimin në NATO.
Për Kryetaren e Kuvendit fakti që Italia është në grupin e parë të vendeve që ratifikuan këtë protokoll është një tregues i përkrahjes së vazhdueshme që ky vend mik i ka dhënë Shqipërisë në rrugën e saj të integrimit euro-atlantik.
Kjo votë unanime është shenjë e mbështetjes së plotë për Shqipërinë që ajo të rreshtohet si anëtare me të drejta të plota të NATO-s, krah vendeve të tjera të kësaj familjeje, me të cilët ndan të njëjtat vlera të lirisë dhe demokracisë.
Aktualisht, nga 26 vendet anëtare të NATO-s më shumë se gjysma, 17 prej e tyre e kanë ratifikuar Protokollin e Anëtarësimit, ndërkohë që 9 shtetet e tjera pritet ta përfundojnë në ditët në vijim dhe këtu përfshihen Belgjika, Kanadaja, Islanda, Luksemburgu, Holanda, Norvegjia, Portugalia, Greqia dhe Sllovenia.
Ratifikimi i Protokolleve të Anëtarësimit të Shqipërisë në NATO
- 5 shtator 2008 - Ratifikimi nga Parlamenti i Hungarisë
- 18 shtator 2008 - Ratifikimi nga Parlamenti i Letonisë
- 25 shtator 2008 - Ratifikimi nga Senati i SHBA-së
- 06 tetor 2008 - Ratifikimi nga Parlamenti Lituanisë
- 16 tetor 2008 - Ratifikimi nga senati i Polonisë
- 21 tetor 2008 - Ratifikimi nga Senati i Rumanisë
- 23 tetor 2008 - Ratifikimi nga Parlamenti i Bullgarisë
- 24 tetor 2008 - Ratifikimi nga Parlamenti i Sllovakisë
- 26 nëntor 2008 - Ratifikimi nga Parlamenti i Turqisë
- 04 dhjetor 2008 - Ratifikimi nga Senati i Francës
- 09 dhjetor 2008 - Ratifikimi nga Parlamenti i Danimarkës
- 17 dhjetor 2008 - Ratifikimi nga Senati i Spanjës
- 17 dhjetor 2008 - Ratifikimi nga Dhoma e Deputetëve të Çekisë
- 18 dhjetor 2008 - Ratifikimi nga Parlamenti i Mbretërisë së Bashkuar
- 18 dhjetor 2008 - Ratifikimi nga Parlamenti i Estonisë
- 19 dhejtor 2008 - Ratifikimi nga Bundestagu i Gjermanisë
- 22 dhjetor 2008 - Ratifikimi nga Senati i Italisë