Edvini dërgon kabllo protestuese tek ndërkombëtarët, bëhet gazi i diplomatëve
Këshilltarë çoroditës e kanë detyruar Edvinin të mediatizojë një projekt rutinë të administratës për të prodhuar certifikatat që duhen për shërbimin ditor si një apokalips që rrezikon procesin zgjedhor. Përpjekja për të prodhuar një alibi zgjedhore po kalon me injorim, por fare mirë, axhamiut të PS-së mund t’i kthehet përgjigje se ai s’mund të tolerohet vazhdimisht në talljet e tij me diplomacinë ndërkombëtare
Dy ditët e fundit kanë qenë shumë të vështira për Edvin Ramën, i cili i ka çuar minutat dhe orët duke parë makthe se si po i humbiste zgjedhjet e ardhshme para syve të ndërkombëtarëve, që shihnin se asnjë padrejtësi nuk po konsumohej e se thjesht atë nuk e donin zgjedhësit shqiptarë. Analiza e procesit të shpërndarjes së kartave të identitetit ka bërë pluhur e hi shpresat se ndoshta ndonjë manipulim mbresëlënës mund të mbahej tek njësitë zgjedhore të qeverisura nga ylberistët, në mënyrë që një aksion i shpërndarjes së certifikatave të shndërrohej në një bonus për të, në mënyrë që të mbetej ende në krye të PS-së, edhe pas dështimit të pritshëm në testimin zgjedhor. Por vlerësimet e Avokatit të Popullit dhe mbështetja e pakursyer e ambasadorëve të BE-së dhe posaçërisht e ambasadorit të OSBE-së Robert Bosch e ka dërguar çështjen thuajse tek ezaurimenti nervor. Por siç thuhet në ligjërimet folkloristike “kur do Zoti mos me të koritë, Edvin (Isuf) Agës na iu gjet një certifikatë (thikë)”, Edvini shfrytëzoi rastin e tenderimit rutinë për prodhimin e dokumenteve zyrtare që do t’u duhen shqiptarëve për aksionet e tyre administrative gjatë 2009-s - ta zëmë për certifikata martese, certifikata të trungut familjar apo dokumentime të tjera - të cilat nuk mund të zëvendësohen nga “çudibërësja” kartë identiteti, për të nisur një kryqëzatë justifikimesh e alibish, të cilat do të jenë në themel të përpjekjeve për të mos njohur rezultatin e zgjedhjeve të ardhshme, pasojë që ndoshta nuk do të dëmtojë legjitimitetin e zgjedhjeve të ardhshme e as marrëdhëniet e shtetit shqiptar me ndërkombëtarët (ambasadorët e dinë se sa “serioz” është Edvini), por për të legjitimuar një moszbatim të normës statutorë të Partisë Socialiste, atë të lënies së mandatit të kryetarit të partisë, kur forca politike humbet zgjedhjet e përgjithshme. Turi i telefonatave me ambasadorët e akredituar në Shqipëri, ndonjë letër tjetër që pritet të niset në Bruksel apo në Vjenë, tek zyra e ODIHR-it, por mbi të gjitha, keqpërdorimi i këtij frustrimi tek fluksi i mediave, emrat e të cilave tashmë i njohim të gjithë, janë një moment që meritojnë reflektimin e të gjithëve. Edvini është në hall dhe po dërgon një sos në shumë drejtime, me shpresë se dikush do t’i japë një mesazh që mund të përkthehet si spirancë e shpëtimit të karrierës së tij politike. Denoncimi i një tenderi rutinë të shtetit shqiptar për prodhimin e dokumenteve që do të shërbejnë për shërbimet që zyrat u ofrojnë shtetasve shqiptarë gjatë 2009-s (shembujt i thamë më sipër) dhe që në vlerë janë rreth 70 për qind më pak sesa kërkesa që prokurohej vitet e shkuara (vetëm 4,8 milionë certifikata këtë vit, kur rutina është 8 milionë certifikata në vit) është një rast për t’u zyrtarizuar si kandidati kryesor që do të kontestojë zgjedhjet e ardhshme dhe do të dëmtojë krejt procesin në rast se autoritetet nuk i garantojnë një marzh abuzimi, që mund ta mbajë në distancë nga rivalët e tjerë në të majtë. Edi Rama e ka jetike të distancohet nga Ilir Meta dhe kërkesa është zyrtarizuar këto dy ditë, duke çuar mesazhin tek kancelaritë ndërkombëtare se ai është i gatshëm të ngrejë një re nga hiçi, mjaft që të dëmtojë procesin zgjedhor e të shpëtojë vetveten politikisht.
Skema është krejt dëmtuese e disi kamikaze në profilin e vet, por dëmi i saj varet shumë nga serioziteti me të cilën do të trajtohet qurravitja e kreut aktual të PS-së. Sa për ofertën informale, drejtuar mazhorancës, ajo s’ka ndonjë gjasë të hasë bashkëpunime të njimendta, ndërkohë që letrat e telefonatat drejtuar ambasadorëve të akredituar në Tiranë s’mund të interpretohen si surprizë e mirëfilltë. Të gjithë e kuptojnë se administrata ka nevojë për shërbimin e certifikatave, ambasadorët e vendeve perëndimore janë të parët që e certifikojnë këtë realitet. Atëherë, mbetet që për qurravitjen e Edvinit ekzistojnë veç dy alternativa: ose i çohet haber kryetarit në detyrë të PS-së që të jetë më serioz kur të vendosë të vërë kujën për procesin zgjedhor, ose injorohet krejt si protestë e impulseve telefonike, duke i përçuar shpullatisjen se s’mund t’i tolerohet një mungesë respekti ndaj trupit diplomatik.