“Prokurimi i certifikatave të reja, rutinë administrative, jo i ndikuar nga zgjedhjet”
Zëdhënësi i Ministrisë së Brendshme Fatmir Konja hedh poshtë spekulimet mediatike të medieve pranë opozitës
Duke u atashuar a priori me akuzat e opozitës zyrtare për dështimin e procesit të pajisjes së qytetarëve shqiptarë me kartat e reja të identitetit, një e përditshme aludonte se kjo lëvizje e DPGjC është e qëllimshme dhe në funksion të pajisjes së atyre qytetarëve që deri dy ditë para zgjedhjeve nuk do të arrijnë që të pajisen me kartat e reja të identitetit
TIRANE - Ministria e Brendshme ka hedhur dje poshtë spekulimet e disa mediave sipas së cilave qeveria ka kontraktuar qëllimisht për zgjedhjet që po afrojnë prodhimin e 4.6 milionë certifikatave shtesë. Zëdhënësi i kësaj ministrie, Fatmir Konja sqaroi opinionin publik se procesi i prokurimit të certifikatave nga Drejtoria e Përgjithshme e Gjendjes Civile është një proces normal si të gjitha prokurimet që kryhen në fillim të vitit. “Megjithëse qytetarët kanë filluar të pajisen me letërnjoftimet elektronike dhe certifikatomania do të marrë fund përsëri fëmijët e porsalindur do të duhet të pajisen me certifikatën e lindjes, çiftet e reja që martohen do të duhet të marrin certifikatën e martesës, për personat që ndërrojnë jetë familjarët e tyre duhet të pajisen me certifikatën e vdekjes, qytetarët në zgjidhje të konflikteve gjyqësore apo regjistrimet e pronësisë kanë nevojë për çertifikatën e trungut familjar. Pra janë këto shërbime të domosdoshme që e bëjnë të detyrueshëm prokurimin e një numri të caktuar certifikatash. Kështu për shkak të përdorimit tashmë të letërnjoftimeve elektronike numri i certifikatave të prokuruara është 4,6 milion krahasuar me 8 milion të prokuruara vitin e kaluar. Theksojmë se numri i certifikatave për prokurim është përcaktuar mbi kërkesat e paraqitura nga çdo bashki dhe komunë e vendit”, deklaroi Konja.
Në këtë kuadër ai shprehu keqardhjen për spekulimet që bëhen me zgjedhjet pasi tashmë Kodi Zgjedhor e ka përcaktuar se dokumentet e vetme për identifikim nga zgjedhësi janë letërnjoftimi elektronik ose pasaporta për udhëtim jashtë shtetit.
Disa media në numrat e tyre të djeshëm kishin shkruar se Drejtoria e Përgjithshme e Gjendjes Civile kërkon të blejë certifikata në sasinë 4.629.500 copë, për shpërndarjen e tyre në të gjithë vendin “në një kohë kur qeveria apelon shtetasit për domosdoshmërinë e pajisjes me kartat e identitetit”. Duke u atashuar a priori me akuzat e opozitës zyrtare për dështimin e procesit të pajisjes së qytetarëve shqiptarë me kartat e reja të identitetit, një e përditshme aludonte se kjo lëvizje e DPGjC është e qëllimshme dhe në funksion të pajisjes së atyre qytetarëve që deri dy ditë para zgjedhjeve nuk do të arrijnë që të pajisen me kartat e reja të identitetit.
“Ballafaqimi i shifrës totale të shtetasve apo të zgjedhësve, me numrin e aplikantëve për kartat e identitetit tregon se ky proces po ecën me ritme të ngadalta, kur jemi vetëm tre muaj larg ditës së zgjedhjeve parlamentare. Për të zgjidhur ngërçin që është krijuar në këtë rast e për t'u ardhur në ndihmë qytetarëve, qeveria ka vendosur të blejë certifikatat e reja”, pretendonte e përditshmja.