E Shtunë, 31 Tetor 2026

Një vit pas tragjedisë, Gërdeci është rindërtuar plotësisht

Financimi në Gërdecit nga qeveria, mbi 25 miliard lekë

Një vit nga aksidenti teknologjik në Gërdec! Qeveria ia doli të financojë 100% të gjithë koston e dëmit të shkaktuar në zonën përreth kraterit të shpërthimit.
Në bazë të fakteve dhe të dhënave të sakta, vendime të Këshillit të Ministrave, tregojnë qartë se për rindërtimin e zonës së Gërdecit, qeveria financoi mbi 25 miliard lekë: Vendimi Këshillit të Ministrave datë 18. 06. 2008. Këshilli i Ministrave vendosi miratimin e burimeve e procedurave të financimit të dëmeve pasurore. Sipas këtij vendimi, mësohet se burimet financiare arrinin në 2 507 900 412 lekë (të reja). Nga këto, shuma prej 469 000 000 lekë (të reja) është siguruar nga dhurimet, 800 000 000 lekë (të reja) është siguruar nga fond rezervë i Këshillit të Ministrave dhe shuma prej 1 238 900 412 lekë (të reja), është siguruar nga fondi i Kontingjencës.
Aktualisht, sot kur edhe shënohet 1 vjetori i tragjedisë së rëndë, Gërdeci është pothuajse i ndërtuar dhe në disa pjesë në tij, puna për rindërtimin e shtëpive apo bizneseve, të dëmtuara gjatë aksidentit teknologjik, thuajse ka mbaruar dhe vetëm vende-vende, ende punohet.
Sot shënohet 1 vit, nga ajo ngjarje e rëndë, e ndodhur më 15 mars 2008, si pasojë e shpërthimit të një depoje demontimi të municioneve ushtarake, nga pakujdesia e punonjësve të atjeshëm dhe neglizhencës së kontraktorëve që kishin marrë përsipër realizimin e këtij procesi, tronditi mbarë vendin, pasi shënoi 26 të vdekur dhe njëherazi dëme të konsiderueshme ekonomike, të cilat realisht u përballuan më së miri dhe nëpërmjet një politike sociale të studiuar mirë nga qeveria e djathtë demokratike.
Në një kohë rekord, menjëherë pas ndodhjes së aksidentit, ekipi qeveritar angazhoi të gjitha forcat e shpëtimit, duke bërë të mundur kështu asgjësimin e banorëve dhe ardhjen në ndihmë të të prekurve. Nuk munguan donacionet nga individë apo biznese që operojnë brenda dhe jashtë vendit. Por ajo që mbetet për t’u shënuar është se qeveria mori përsipër që në momentin e parë, rimbursimin financiar të banorëve, për dëmet e pësuara, pasi të bëhej procesi i vlerësimit, ku operuan afro 40 grupe. Kryeministri Sali Berisha u zotua publikisht se qeveria do të marrë të gjitha masat, për t’u gjendur pranë banorëve, në ato momente tepër të vështira dhe se do të marrë përsipër të gjithë kompensimin e dëmeve materiale, por edhe ndjekjen e politikave të caktuara për familjet që humbën anëtarët e tyre në atë tragjedi. “Ne do t’i rimbursojmë kryefamiljarët e familjeve të dëmtuara për të gjitha dëmet. Sapo të përfundojë vlerësimi, Ministria e Financave po bën gati vendimin dhe skemën e disbursimit të shumave për çdo familje, në përputhje me dëmin që ka pësuar”, tha kryeministri vetëm dy ditë pas tragjedisë.
Qeveria veproi që në ditën e ndodhjes së ngjarjes ku vendimi i Këshillit të Ministrave
Nr. 275, datë 15. 03. 2008: Shpalli gjendjen e emergjencës civile, pas aksidentit teknologjik, për bashkinë e Vorës, komunat Prezë, Kashar të qarkut të Tiranës, si edhe për komunat Mamina, Manëz, dhe Bubeq, të qarkut të Durrësit. Në këtë mbledhje u vendos edhe marrja e masave të para urgjente si edhe ngritja e grupit ndërministror, të përbërë nga MPJ, MB, MM, MF, MPPTT, MSH, MPÇSSHB dhe MBUMK.
Në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, pas kapërcimit të gjendjes së emergjencës, në bazë të vendimit Nr. 277, datë 18. 03. 2008, qeveria vendos dhënien e ndihmës financiare për familjet e viktimave, në masën e 2 milionë lekë (të reja) për çdo person që humbi jetën. Me një ndryshim që ju bë këtij vendimi, në datën 1 maj 2008, Këshilli i Ministrave vendosi që fondi për dëmshpërblimin e kësaj kategorie të ishte 32 milionë lekë (të reja).
Vetëm dy ditë më vonë, Këshilli i Ministrave, i kryesuar nga Kryeministri Sali Berisha, me anë të vendimit Nr. 306, datë 20. 03. 2008, vendoset shpërndarja e ndihmës financiare nga 50 mijë lekë (të reja), por jo më shumë se 200 mijë lekë (të reja) për familje, për çdo person banor i Gërdecit, banesa e të cilit ishte e shndërruar në të pabanueshme
Një ditë më vonë, Qeveria, në bazë të vendimit Nr. 315, datë 21. 03. 2008, vendos që të shpërndahet ndihma financiare për çdo person me 200 mijë lekë (të reja), por jo më pak se 500 mijë lekë (të reja) për familje, për pajisjet elektro-shtëpiake të dëmtuara.
Një muaj më vonë, Këshilli i Ministrave në bazë të vendimit Nr. 393, datë 11. 04. 2008, vendos dhënien e ndihmës financiare nga 50 mijë lekë (të reja), për çdo person, punëtor i fabrikës së shpërthimit, që ditën e tragjedisë ndodhej në punë.
Ndërkohë, që në një mbledhje tjetër të Këshillit të Ministrave, pikërisht më 21. 05. 2008, qeveria vendos dhënien e ndihmës financiare, 25 mijë lekë (të reja), në muaj për pagesën e qerasë për një vit, për çdo familje që banesën e dëmtuar e kishte brenda perimetrit 300 metra nga krateri. Ndërsa për familjet, që kishin banesat jashtë këtij perimetri, ndihma ishte e njëjtë por për gjashtë muaj.
Ndërsa më 11 qershor 2008, në mbledhjen e radhës të Këshillit të Ministrave, pasi ishin miratuar nga ekzekutivit dhe ministria e Financave fondet paraprake në ndihmë të të prekurve të tragjedisë së Gërdecit, dhe pas riverifikimeve, ku rezultoi se vlerësimi në tërësi qëndronte, Këshilli i Ministrave, miratoi vendimin për kompensimin përfundimtar të dëmeve të shkaktuara nga aksidenti teknologjik në Gërdec, fond i cili arrinte në vlerën rreth 900 milionë lekë të reja. Kryeministri Berisha u shpreh se me këtë fond kompensohen edhe banorët e fshatrave të Manzës, Marikajt si dhe bizneset e gjithë zonës së prekur.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›