Ndihmat e Erjon Veliaj për banorët e Gërdecit, 520 paund dhe 17 mijë lekë

Flet drejtuesi i “Mjaft”-it Ervin Qafmiolla
TIRANE - Pas tragjedisë së Gërdecit, në 15 mars të vitit 2008, Lëvizja “Mjaft”, në krye të së cilës ende ishte Erjon Veliaj, filloi një fushatë grumbullimi ndihmash, nëpër komunitete shqiptarësh, brenda dhe jashtë vendit. Në rreth dy muaj që vazhdoi kjo fushatë e drejtuar nga Erjon Veliaj, Lëvizja “Mjaft”, grumbulloi vetëm 520 paund dhe 17 mijë lekë (të reja), për banorët e Gërdecit.
Si pjesë e kësaj fushate, një e-mail, që ka qarkulluar midis shqiptarëve në Londër, në ditët e para posttragjedisë, ku ju kërkohej që të kontribuonin me nga 100 £, nën argumentin, “për t’u ardhur në ndihmë sadopak personave të prekur nga kjo fatkeqësi...”.
Përpos këtij argumenti, i njëjti e-mail jepte edhe “gjeneralitetet”, për bankën dhe numrin e llogarisë, adresat e kontakteve si edhe afatet e mundshme të kontributeve të mundshme.
“Pas mbylljes së këtij afati, transferta do të bëhet në Tirane ku Lëvizja Mjaft! do të merret me logjistikat dhe shpërndarjen në forme veshje, ushqim dhe nevoja bazike të të afektuarve nga kjo ndodhi. Më urgjente është dhe blerja e gjakut që me sa informohemi është mjaft e limituar. Ndërmarrja për shpërndarjen dhe logjistika pas saj do të jetë përgjegjësi e Mjaft! në Tiranë ku do të transferohen dhe fondet e akumuluara”, sqaronte më tej i njëjti e-mail, i nënshkruar nga përfaqësuesi i Lëvizjes “Mjaft” në Londër, Ralf Gjoni.
Lidhur me këtë iniciativë të atëhershme të Lëvizjes “Mjaft”, flet për gazetën “55” Ervin Qafmolla, Drejtori i Medias dhe Komunikimit, te Lëvizja “Mjaft”.
Duke marrë shkas nga kjo iniciativë, do të ishim të interesuar si gazetë që të dinim, në se gjeti mbështetje kjo iniciativë midis shqiptarëve, në Tiranë, Londër, apo edhe gjetkë?
Po, kjo nismë e Lëvizjes “Mjaft”, dhe e Klubit tonë në Londër gjeti përkrahje nga bashkatdhetarët tanë atje.
Sa ishte shuma e të hollave apo sasia e ndihmave të tjera të mundshme që u grumbulluan në total dhe në mënyrë specifike, nga komunitetet të ndryshme shqiptarësh?
Shuma e të hollave të transferuara nga Londra në llogarinë e hapur posaçërisht për këtë nismë ishte 79.765 lekë (me kursin e Bankës se Shqipërisë të datës 15 maj bëjnë rreth 520 pounds)
Si u bë shpërndarja e të hollave dhe e ndihmave të tjera të mundshme, në mënyrë specifike sigurisht?
Duke marrë parasysh ndryshimin e natyrës së ndihmës për të cilën kishin nevojë viktimat dhe familjet e viktimave (s’kishte më nevoje për batanije dhe ushqime) u vendos që të jepej ndihmë psikologjike për fëmijët e zonës. Për këtë arsye u ndërmorën këto veprimtari: gjatë prillit 3 psikologë që kishin punuar me fëmije të traumatizuar në të kaluarën udhëtonin çdo ditë për në Kompleksin “Xixa” (në zonën e Durrësit) dhe punonin atje 3-4 orë në dite me 23 fëmijë; gjatë muajit të dytë u bashkëpunua me “Social Services International” dhe u punua me familjet te konvaleshenca (ajo e Ministrisë së Mbrojtjes dhe e Ministrisë së Brendshme); në qershor dhe në korrik u morr leje nga Drejtoria Rajonale e Arsimit që të përdorej shkolla në Marqinet si një qendër aktivitetesh ditore ku u ofruan shërbime për fëmijët për 6 orë në javë. Gjatë kësaj kohe në shkolle ofroheshin lojëra për fëmijët, kurse anglishteje etj; nga data 21 deri më datë 31 gusht u organizua një kamp veror në Marqinet. Këtu morën pjesë 16 vullnetarë (8 shqiptarë dhe 8 të huaj) dhe fëmijët morën pjesë në aktivitete ditore që zgjasnin 4 deri në 5 orë. Ndër veprimtaritë e ndryshme ishin teatro me kukulla, cirk, shfaqje filmash etj; pas kampit dy psikologë, dy punonjës sociale dhe 12 vullnetarë (shumica nga shkencat sociale) vazhduan të punonin edhe për dy muajt e tjerë çdo të shtunë dhe të diel me 40 fëmijë të zonës.
Sa familje përfituan, specifikisht, nga këto ndihma?
Mbi një qind fëmijë morën pjesë në veprimtaritë e ndryshme gjatë periudhës prill – shtator 2009.
Sa ishte sasia e të hollave dhe ndihmave të tjera, që specifikisht përfitoi secila familje, apo person i mundshëm?
Nuk u shpërndanë ndihma në të holla.
A vazhdon ende kjo iniciativë?
Jo, mbledhja e ndihmave përfundoi me transferimin e tyre në fillim të muajit maj.
Mund të më specifikoni një përgjigje edhe për ndihma të tjera të mundshme, të grumbulluara si pjesë e iniciativës suaj, nga komunitetet të tjera, shqiptarësh a gjetkë, përveç atyre të Londrës?
Përveç shumës simbolike të mbledhur në Londër, është mbledhur edhe një tjetër shumë (edhe më simbolike) në Tiranë. Bëhet fjalë për 17 000 lekë (të reja), nga të cilat 75 mijë i dhuroi një nga punonjësit tanë, ndërsa pjesa tjetër është dhuruar nga një anonim. Edhe kjo shumë pati si destinacion të njëjtat aktivitete për të cilat kemi folur. Nga totali i të hollave të mbledhura dhe duke marrë parasysh se shuma është e vogël, duhet pranuar se angazhimi me fëmijët e traumatizuar ka qenë praktikisht mbi baza vullnetare, ndërsa këto të holla kanë mundur të mbulojnë vetëm një pjesë minimale të kostove të gjithë aktiviteteve.