Opozita të zbardhë lidhjet e saj me autorët e tragjedisë së Gërdecit
Reagon Partia Republikane, ndaj përdorimit politik që opozita po u bën banorëve të Gërdecit
TIRANE - Partia Republikane akuzoi dje opozitën se po e përdor tragjedinë e 15 marsit në Gërdec “në mënyrë të turpshme”. Duke iu referuar protestave të planifikuara nga disa forca të ndryshme politike, nënkryetari i kësaj partie, Neritan Alibali tha se liderë të opozitës dhe organizatat e tyre të pionierëve, prej gati një viti, po e shfrytëzojnë tragjedinë e Gërdecit për interesat e tyre politike. “Manipulimi që u kanë bërë në vazhdimësi disa prej banorëve të Gërdecit, duke i futur në greva urie e duke i tërhequr, ashtu të uritur, zvarrë nëpër sheshet e Tiranës, apo duke i vënë fjalimet e përgatitur prej tyre nëpër mitingje politike, është i paprecedent, i pamatë dhe i paskrupull”, tha nënkryetari i Partisë Republikane, Alibali.
Duke kujtuar faktin se opozita po e përdor këtë tragjedi për qëllime të përfitimit politik, PR deklaroi se “prej gati një viti, opozita shqiptare, nëpërmjet kërcënimeve therëse politike, shpifjeve fantastike, apo veprimtarive të zhurmshme populiste, ja ka dalë të krijojë një ndjenjë frike dhe pasigurie tek një pjesë e banorëve të Gërdecit, e mbi të gjitha, të ushtrojë presion, të trembë e madje ta kthejë në vegël qorre prokurorinë shqiptare në hetimin e kësaj ngjarjeje dhe të precedentëve që lidhen me të”.
Nënkryetari i PR-së, tha më tej se mitingjet e përçara të opozitës në përkujtim të Gërdecit “kanë një qëllim të përbashkët që nuk lidhet fare me qytetarët”. “Ai është presioni i radhës që i bëhet drejtësisë shqiptare, tani që dosja e Gërdecit do të shkojë në Gjykatë”, tha ai.
PR ka renditur një sërë faktesh që sipas saj e implikojnë opozitën, dhe dëshmojnë për lidhjet e saj me Deliorgjin. “Të mos harrojnë telefonatat e shumta dhe të gjata që kanë bërë me Delijorgjin, (nga dhjetëra deri qindra të tilla), tabulatet e të cilave disponohen. Të mos harrojnë udhëtimet jashtë shtetit dhe qëndrimet në hotelet luksoze me shpenzimet e Delijorgjit”.