Rama, 3 javë celebrime, divorce e fshesa në PS
Deri me 10 korrik, kreu i PS tenton të divorcohet nga të gjithë krerët aktualë të bashkive që zotëron si dhe nga deputetët e pakënaqur, duke i mënjanuar nëpërmjet një procesi zgjedhor, që synon - siç thotë vetë Rama - “të largojë muzhikët e partisë”. Paralelisht, pritet edhe celebrimi i martesës politike me Erion Veliajn, edhe pse ky bashkim nuk shihet me sy të mirë nga baza e partisë
Armëpushimin politik që po shfaqet gjatë ditëve të Kampionatit Botëror, Edi Rama po përpiqet ta shfrytëzojë që të kryejë procesin spastrues që ka paranjoftuar prej kohësh në qarqet e ngushta, por edhe tek strukturat e partisë. Kështu në javën e fundit të qershorit, pritet të përfundojë procesi i përzgjedhjes së kryetarëve të palostrukturave partiake të rretheve, një artificë e shpikur për të emëruar partiakët e dëshiruar, në dëm të përzgjedhjeve të vjetshme, të cilat në shumicë i kishin dalë Edvinit jashtë kontrollit, për shkak të ndikimit financiar që treguan bashkiakët e qyteteve të mëdha. Tani ka ardhur koha për t’u treguar vendin këtyre “muzhikëve”, siç shprehen djelmoshat e rinj që kanë uzurpuar selinë qendrore, prandaj edhe divorci ndaj kryebashkiakëve, pritet të shoqërohet me celebrimin e partiakëve të vegjël, sipas midesë së Kullës së Pezës, por edhe me rinovimin e një të tretës së Asamblesë së PS-së. Ky rinovim do të shfaktorizojë krejt grupin e LMN-së, të cilët me ekuilibrat e reja, do të humbisnin vendet në kryesinë ekzistuese e po ashtu edhe në sekretariat, duke mbetur thjesht deputetë të parlamentit, një funksion i parëndësishëm për një parti në opozitë, e cila s’ka ndërmend fare që të bëjë opozitë parlamentare. Kjo fshesë e mirëfilltë politike do të kulmojë në fakt me një celebrim “par excellence”, bashkimin e Erion Velisë dhe të erionkave të tjerë të “G 99”-s me Partinë Socialiste. Kjo martesë politike natyrisht do të marrë edhe veshje institucionale përmes kooptimit të Velisë në strukturat drejtuese, çka do ta bënte edhe më të thjeshtë negociatën për Kodin e ardhshëm Zgjedhor, një përpjekje finale kjo për likuidimin e aleatëve të padëshirueshëm në radhët e së majtës.
3-javëshi i ardhshëm i Partisë Socialiste do të jetë një periodë e mbushur me celebrime brendagjinore, por në radhë të parë, do të regjistrojë divorce të klasit të parë, por edhe një fshesë të fortë ndaj disidentëve të fundit në strukturat drejtuese. Kjo fazë mund të vlerësohet si përplasja finale mes bolshevikëve dhe menshevikëve të së majtës, në një betejë që i sheh ylberistët e Edvinit të rreshtuar në pozicionin e forcës, edhe pse duket se analiza e kostove elektorale nuk po bëhet siç duhet. Afrimi i zgjedhjeve vendore mund ta gjejë PS-në një parti më kompakte dhe pa debate të brendshme, por dukshëm më të dobësuar, në nivelet e 20 përqindëshit, pa partiakët e vjetër, pa bashkiakët e raundit të kaluar dhe pa asnjë politikan të profilit të lartë në karrierën 20 vjeçare që PS ka çuar në pluralizëm.