“Edi Rama, asnjë investim për njësinë nr. 11, nuk na pyeti as për buxhetin”
INTErVISTA/ Kreu i Minibashkisë nr. 11 Haki Mustafa, fletë për projektet që kërkojnë financim. Në vetëm 35% të infrastrukturës është investuar në 3 mandatet e kryebashkiakut
Procesi i legalizimit të ndërtimeve pa leje po ecën në rrugën e duhur, megjithëse është shfaqur një problem në rastin e qytetarëve që i kanë ndërtuar shtëpitë e tyre para viteve ’90. Ata kanë neglizhuar për të bërë dokumentacionin dhe nuk janë pak, por rreth 500-600 familje, që nuk përfitojnë
Investimet e Bashkisë në Njësinë nr. 11, lënë me të vërtetë për të dëshiruar. Për infrastrukturën e kësaj njësie është bërë me të vërtetë shumë pak gjatë këtyre viteve. Ndërkohë, problematikat që presin një zgjidhje të shpejtë janë të mëdha, ndërsa për zgjidhjen e tyre nuk janë hartuar ende projektet e nevojshme. Kështu është shprehur për gazetën “55” kryetari i Minibashkisë nr. 11, Haki Mustafa, duke theksuar gjithashtu se, projektbuxheti i paraqitur në Bashki nga Minibashkia e tij, nuk është marrë fare parasysh. Sipas Mustafas, konceptimi nga ana e kryetarit të Bashkisë së Tiranës, është shumë i gabuar në lidhje me njësitë. Të gjitha investimet, të gjitha fillimet e punimeve dhe të gjitha përurimet, bëhen nga Edi Rama dhe Bashkia e Tiranës pa qenë prezent fare as kryetari i Njësisë, qoftë edhe njerëzit e këshillit të Njësive Bashkiake.
Buxheti i Tiranës ka qenë objekt debatesh kohët e fundit, ndërsa ende këshilli bashkiak nuk e ka miratuar atë. A është marrë nga kryebashkiaku Rama mendimi i minibashkive për buxhetin e vitit 2009?
Çdo vit, para se të miratohet projektbuxheti në Bashkinë e Tiranës, kuptohet që në fillim diskutohet në njësitë bashkiake. Neve vetë si njësi bashkiake, kemi bërë të gjitha përpjekjet që projektbuxheti për vitin që vjen, të jetë sa më i përshtatshëm për territorin, sa më në të mirë të njerëzve dhe banorëve të lagjes dhe ku janë nevojat më të domosdoshme. Kështu që, pasi e menduam, se zakonisht projektbuxhetin në Bashki e paraqet ekzekutivi, ose edhe në njësitë bashkiake, ne pamë ku është më e domosdoshme të investohet në vitin që vjen, pamë prioritetet dhe këto i paraqitëm në Këshillin e Bashkiak. Në Këshillin e Minbashkisë u miratua ky projektbuxhet, duke e votuar atë të gjitha forcat politike, të majta dhe të djathta. Pastaj, sipas procedurave, ky projektbuxhet u paraqit në Bashki. Ne kemi paraqitur projektbuxhetin në Bashki, para se të fillojë studimi ose puna e buxhetit në Bashkinë e Tiranës. Ne e kemi paraqitur projektbuxhetin përpara se Edi Rama të ndërmerrte gjasme takimet me banorët për të diskutuar për projektbuxhetin. Nga të gjitha ato që ju dhe ne kemi parë, shikuar apo dëgjuar, rezulton që këto projektbuxhete nuk janë marrë aspak parasysh, d. m. th., projektbuxheti nuk është parë me të njëjtin sy si njësitë bashkiake. Këtë gjë e tregoi fakti kur doli projektbuxheti për tu miratuar në Këshillin Bashkiak të Tiranës. Para se të miratohej projektbuxheti në Këshillin Bashkiak të Tiranës, ne kemi bërë një takim me kryetarin e Këshillit Bashkiak. Me iniciativën e tij ai mblodhi kryetarët e njësive dhe ne i parashtruam vërejtjet tona në lidhje me projektbuxhetin. Por, edhe pse forcat e ndryshme politike u munduan ta interpretonin punën dhe përpjekjet tona dhe të merrej në konsideratë ajo çka ne kishim bërë, ato nuk u morën parasysh as në mbledhjen e Këshillit Bashkiak. Prandaj, nuk u miratua projektbuxheti në mbledhjen e parë, por, edhe në mbledhjen e dytë nuk u reflektua fare dhe kështu që projektbuxheti ka mbetur për tu analizuar dhe diskutuar në një mbledhje tjetër. Për sa i përket faktit nëse është marrë mendimi ynë si kryetarë njësie apo jo, dua të theksoj që ne as nuk jemi pyetur fare në lidhje me këtë çështje. Theksoj gjithashtu që, Edi Rama gjeti kohë për të takuar nga 30-40 banorë nëpër lagje, dhe nuk ka asgjë të keqe këtu (natyrisht që ka qenë grupimi i tij, i ftuar me emra), por nuk gjeti kohë për tu takuar me 11 kryetarët e Njësive dhe për të diskutuar qoftë edhe një herë për këtë çështje. Në lidhje me projektbuxhetin, jo vetëm që nuk është diskutuar për njësinë time, por ne kemi bërë edhe disa konferenca për shtyp ku kemi sqaruar publikun që ne nuk jemi pyetur, dhe buxheti që kanë çuar njësitë bashkiake, nuk janë diskutuar dhe nuk janë marrë në konsideratë deri më sot. Urojmë të merren tani e tutje.
Cilat janë projektet infrastrukturore që ka Njësia nr. 11 për vitin 2009?
Për vitin 2009, ne kemi pasqyruar një numër projektesh, minimale, jo shumë d. m. th. Unë do të them se cilat janë projektet dhe do të shpjegoj edhe arsyet pse kemi pasqyruar kaq projekte.
Projektet që ne kemi dërguar kanë qenë, rruga “Don Bosko” deri te hekurudha; një rrugë tjetër është ajo nga dera e Spitalit Ushtarak deri te hekurudha; rrugë tjetër, që lidh dy unaza, lidh rrugën e bllokut 45 (ose te Kisha) me rrugën “Gjergj Legisi”, që përfundon me Cooperacionin Italian. Duke qenë se ajo lidhte një pjesë të asfaltuar me pjesën tjetër, si dhe ka shumë lëvizje pasi ka një shkollë me 1200 nxënës, ne e parashikuam edhe këtë rrugë në projektbuxhet. Përveç kësaj, ne patëm kërkuar që të bëhen të gjitha rrugicat dhe lulishtet në Laprakë. Duke qenë se Cooperacioni Italian ka përfunduar të gjitha rrugët kryesore, aty ka edhe rrugica, lulishte apo edhe pjesë të cilat nuk janë parashikuar në buxhetin e Kooperacionit Italian. Sepse, mund të përfundojnë rrugët kryesore, por në qoftë se, dherat dhe materialet e tjera të ndërtimit bien në rrugët që ndërtohen, atëherë ato shkojnë dëm. Atëherë duhen rregulluar edhe rrugicat, të cilat nuk janë parashikuar në projektin e Cooperacionit Italian. Përveç kësaj, ne kemi kërkuar të parashikohet në buxhet, dhe mundësisht në muajt e parë, investim për studimin e infrastrukturës në Njësinë nr. 11. Sepse, ne edhe nëse duam të kërkojmë investime në njësi, qoftë nga qeveria qoftë nga donatorë të tjerë, nuk kemi projekte. Në qoftë se ne do të kishim projektet, atëherë një pjesë të tyre i bën Bashkia, një pjesë qeveria dhe një pjesë donatorë të ndryshëm. Fakti është që ne nuk kemi projekte. Kështu, kemi Kodër Kamzën pa asnjë investim deri më sot e 17 vjet. Gjithashtu, e njëjta gjë vlen edhe për gjysmën e Bregut të Lumit, pa asnjë investim deri më sot e 17 vjet. Kemi një pjesë që quhet Ish-pularia pa asnjë investim e gjithashtu edhe pjesën pas shinave. Pra, rreth 65 % e zonës sime, është edhe pa investim edhe pa studim apo projekte. Ne kërkuam që këtë vit, duke qenë se unë e kam kërkuar edhe vitin që kaloi, lutemi të na bëjnë studim, të paktën të kemi projekte, ne sot jemi edhe pa projekte. Këto kanë qenë kërkesat tona të cilat janë minimale për sa i përket infrastrukturës nëpër lagje. Problemi i dytë për të cilin kam kërkuar zgjidhje ka qenë edhe ai për zyrat e Njësisë. Unë kam 4 zyra me qera sot, të cilat janë zyrat kryesore si Gjendja Civile, Zyra e kartave, si edhe dy zyra të tjera. Paratë për të investuar në Gjendjen Civile erdhën dhe ne ia rikthyem sërish qeverisë pasi Gjendja civile është me qera, kështu që nuk mund të investoheshin ato para që të jep qeveria. Kështu që unë theksoj se ne vuajmë për zyra dhe gjëja e parë që duhet të kishte çdo shtet, çdo bashki, komunë apo njësi, janë zyrat. Sepse, edhe qytetari, kur sheh zyrat në një gjendje të tillë do mendojë “kur ky nuk ka rregulluar zyrat e veta, e ç’mund të bëjë për ne!”. Por qytetari nuk e di që këto nuk janë mundësi dhe investime të miat, por janë të Bashkisë. Vjet na u miratua nga Këshilli Bashkiak vendi ku do të ndërtoheshin njësitë, por Bashkia e hoqi këtë vendim. Kështu që ne nuk e dimë edhe sot se ku do të ndërtohen këto zyra. Ne kemi kërkuar që këtë vit të na miratohet buxheti dhe të na ndërtohen zyrat e njësisë. Ky është edhe problemi i dytë që ne kemi shtruar.
Sa prej këtyre projekteve gjejnë mbështetje nga Bashkia e Tiranës?
Nga Bashkia e Tiranës, deri tani, nuk është bërë e ditur se cilat projekte do të ndërtohen. Sipas Bashkisë është thënë se, do të ndërtohet një shkollë në Bregun e Lumit, e cila është investuar nga një projekt i Bankës Botërore dhe, duke qenë se ky vendim ka qenë që vjet, tani duhet të ishte në përfundim. Por, për efekt të konflikteve të pronësisë, ndërtimi i saj nuk ka pas filluar, kështu që ka filluar këtë vit. U tha gjithashtu se do të ndërtohen një kinema, një bibliotekë, të cilat në fakt kanë qenë të përfshira në buxhetin e Cooperacionit Italian, kështu që ne presim të përfundojnë me atë buxhet. Nuk u fol më pas për rrugët, por do të bëhen investime në Laprakë. Kërkesa jonë ka qenë të saktësohet ku do të jenë këto investime, d. m. th., në cilat rrugë, rrugica apo cilat lulishte, që edhe ne të jemi të qartë. Këto nuk janë sqaruar në projektbuxhetin që është paraqitur dy herët e para në mbledhjen e Këshillit Bashkiak të Tiranës.
Konceptimi nga ana e kryetarit të Bashkisë dhe Bashkisë së Tiranës, është shumë i gabuar në lidhje me njësitë. Të gjitha investimet, të gjitha fillimet e punimeve dhe të gjitha përurimet, bëhen nga Edi Rama dhe Bashkia e Tiranës pa qenë prezent fare as kryetari i Njësisë, qoftë edhe njerëzit e këshillit të Njësive Bashkiake. Në radhë të parë, ky nuk është buxheti i Bashkisë, por i të gjithë Tiranës, ku kanë pjesë edhe njësitë dhe banorët e lagjes time. Së dyti, nuk mund të pyeten vetëm banorët, më shumë se një strukturë e ngritur për këtë punë, qoftë ligjore qoftë edhe e zgjedhur. Unë jam person i zgjedhur dhe kam votat e 62 mijë banorëve. Për zonën time, për votën dhe për të gjitha mangësitë e lagjes apo të mirat e saj, unë i kam më shumë parasysh se vetë banorët apo kryetari i Bashkisë. Kështu që të mos pyesësh për projektbuxhetin, nuk është aspak normale. Mbi të gjitha, unë e kam thënë dhe po e them edhe sot: në qoftë se do të bëhen sondazhe, kush mendoni se mund t’i zgjidhë hallet dhe problematikat më shumë, kryetari i Bashkisë apo kryetari i Njësisë? Sigurisht që të gjithë do të thonë se, po të ketë para, më shumë problemet gjejnë zgjidhje nga kryetari i Njësisë se kryetari i Bashkisë. Sepse, unë kam bindjen që banorët janë të vetëdijshëm se hallet e tyre i di shumë më mirë kryetari i Njësisë se ai i Bashkisë. Kush është ai që mund të dëgjojë, të respektojë, të presë apo të marrë më shumë në konsideratë shqetësimet e banorëve?! Unë them që edhe në këtë sondazh, do të dilte kryetari i Njësisë. Atëherë, si është e mundur që të mos pyeten fare këta kryetarë njësie, por të pyeten 10 banorë?! Si ka mundësi të sjellësh një projektbuxhet në njësinë time, pa më pyetur mua fare, në një kohë që unë i di shumë më mirë problematikat jo vetëm se kryetari i Bashkisë, por i di më mirë edhe se vetë banorët. Dhe së fundi, në çdo projektbuxhet duhet të ketë një proporcionalitet. Njësia bashkiake nr. 11 nuk është investuar sot e 17 vjet, veç dy viteve të fundit! Atëherë, ta kompensojmë njësinë bashkiake nr. 11, meqenëse investimet kanë shkuar deri në Sauk e përtej Saukut. Të mendojmë edhe për këtë njësi ku nuk ka pasur fare investime. Pra, t’ia shtojmë diçka në buxhet në mënyrë që të kompensojmë. Ndërkohë, këtu nuk bëhet fjalë të shtosh diçka në buxhet, por këtu bëhet fjalë të investosh më pak se të takon me investuar! Kjo nuk është aspak e pranueshme, për mua si kryetar, për këshillin bashkiak dhe për vetë banorët e njësisë. Sot, pas 18 vitesh, njësia bashkiake nr.11 ka infrastrukturë të kryer vetëm 35%, në një kohë që në 65% nuk është prekur fare dhe nuk ka as projekte. Ndërkohë, ka lagje në njësi të tjera që e kanë 100% të kryer infrastrukturën, më e keqja është në masën 50%. Atëherë, unë kam plotësisht të drejtë që ta ngre zërin në lidhje me njësinë time bashkiake për sa i përket kësaj çështjeje.
Cilat janë problemet më imediate që kërkojnë një zgjidhje në njësinë që ju drejtoni?
Shumë probleme kemi me dy brigjet e lumit të Tiranës, për arsye se, të gjitha dherat që dalin nga themelet që bëhen për pallate në Tiranë (e tani po bëhen me thellësi shumë të madhe, me 3-4 kate nën tokë), të gjitha këto dhera hidhen në Lumin e Tiranës. Kjo është bërë shkak për përmbytje, është bërë shkak gjithashtu për zënien e brigjeve të lumit, si dhe për grindje mes banorëve. Ne e kemi shqetësim të jashtëzakonshëm këtë punë. Bashkia e Tiranës dhe ligji për urbanistikën e citon që nuk mund të jepet leja e ndërtimit pa u caktuar vendi ku do të hidhen dherat dhe mbeturinat që dalin nga sheshi i ndërtimit. Ndërkohë, edhe sot e kësaj dite nuk ka një leje për vendin se ku duhen çuar mbeturinat e ndërtimit. Atëherë, të gjitha këto hidhen në Lumin e Tiranës. Ne kemi bërë emisione televizive, kemi shkruar, kemi folur e kemi bërë me dhjetëra shkresa, dhe sot e kësaj dite kjo punë nuk ka gjetur zgjidhje. Problem tjetër në Bregun e Lumit (ose siç quhet, te Treshi), janë edhe rreth 150 familje, të cilat nuk arriti t’i kapë asnjëri nga projektet e kanalizimeve, as ai i bërë nga Bashkia para disa kohësh dhe as nga projekti që bëri qeveria, rreth 6 km kanal vitin e kaluar. Me kalimin e kohës, Bashkia duhet të mendojë patjetër se si mund të zgjidhet problemi i këtyre kanalizimeve. Zona e Don Boskos është një tjetër problem i njësisë time, në të cilën, sa herë bie shi përmbytet rruga dhe të gjitha shtëpitë dhe banorët e asaj lagje. Shpresojmë që gjatë këtij viti të marrin zgjidhje këto probleme. Gjithashtu, një problem tjetër shqetësues janë banorët e Institutit Bujqësor, të cilët banojnë në godina. Atyre u është premtuar vazhdimisht që do të ndërtohen banesa për to, kuptohet që me kredi të zbutura apo forma të tjera sociale dhe deri sot akoma nuk është bërë e mundur kjo gjë. Duhet pasur parasysh që janë mbi 400 familje, të cilat banojnë si në geto. Po Kështu kemi shumë shqetësues edhe banorët e Shkollës së Partisë. Aty janë sistemuar në vitet e para të demokracisë, ish-të përndjekurit, pavarësisht që gjatë kësaj kohe kanë lëvizur. Vetë qeveria i ka futur të gjitha këto familje në këto godina. Tani, sipas disa të dhënave rezulton që këto godina i kanë blerë privat. Banorët kanë aplikuar për procedurën e legalizimit dhe ligji e thotë që të gjithë ato që kanë aplikuar për legalizim, u njihet dhe pronari kompensohet. Me këtë rast i bëj thirrje edhe qeverisë ta marrë në konsideratë, edhe ALUIZNI-t, që në të gjitha godina ku banojnë familje të ish-të përndjekurve dhe familje të tjera, të kalojnë në proces legalizimi dhe të mos merren në konsideratë disa blerje të cilat janë bërë në kohë të papërshtatshme, jo në përputhje me legjislacionin, janë bërë me shkelje procedurale dhe sot banorët e Shkollës së Partisë jetojnë me ankthin nëse do tu bëhet legalizimi. Unë vlerësoj që ato duhet të përfitojnë nga ligji për legalizimin dhe pastaj, me kalimin e kohës, të gjejnë gjuhën e komunikimit, kompromisin, qoftë me pronarët ose me njëri-tjetrin, për të bërë ndërtime, qoftë edhe shumëkatëshe.
Ndërkohë, një problem tjetër mjaft i madh për njësinë time, është edhe mungesa e ambienteve për të rinjtë, fusha sportive apo kënde sportive. Ka ardhur koha dhe është e domosdoshme që Bashkia të gjejë në pronat e veta ose të insistojë në pronat që po privatizohen nga shteti, ose të blejë ambiente për dëfrimin e rinisë. Në qoftë se nuk gjejnë dhe sigurojnë hapësira të tilla, natyrisht që rinia mbetet nëpër klube, rrugë apo vende në të cilat, jo vetëm që nuk marrin një edukim por mbi të gjitha marrin një rrugë që nuk është normale. Kështu që, në njësinë time mungojnë të gjitha këto ambiente çlodhëse për të rinjtë dhe të rejat.
Si po ecën procedura e legalizimeve dhe, si po bashkëpunoni me ALUIZNI-n?
Unë vlerësoj që ALUIZNI po punon. Ky është një proces dhe fenomen shumë i vështirë. Kanë dalë dhe shumë e shumë probleme të tjera të cilat nuk janë parashikuar gjatë miratimit të ligjit. Gjithsesi, ky ligj ka ardhur duke u përmirësuar dhe është rishikuar edhe dy herë të tjera, duke u përmirësuar edhe në thellësi edhe në problemin e shitjes dhe blerjes së trojeve e tokave. Kështu që, përshpejtimi i punës ka qenë disi i pamundur, por njëkohësisht ka krijuar dhe mundësi për zvarritje. Unë mendoj që në njësinë time janë rreth 578 banesa gati për legalizim. Një fenomen që ka influencuar shumë negativisht, është çmimi i lartë i tokës, sepse sot, në afërsi të Kodër Kamzës, çmimi i tokës është caktuar 208 mijë lek metri. D. m. th., në qoftë se një banor ka 50 metra më tepër, ai duhet të paguajë rreth 10 milion lekë vetëm për këtë, në një kohë kur 300 metërshi bashkë me pjesën tjetër dhe banesën i shkon te 4 milionëshi. Pjesa që tepron mund të jetë e papërdorshme për shtetin, këtij personi nuk i bëhet legalizimi pa bërë pagesën e plotë, kështu që ka njëfarë pengese. Megjithatë, ALUIZNI po punon jashtëzakonisht shumë në mënyrë që të mbyllë punën që i takon. Pastaj qytetarët duhet të përpiqen që të bëjnë pagesën sipas ligjeve në fuqi. Ndërkohë, janë përgatitur në përgjithësi dosjet për legalizimet e banesave që janë shtesa pallatesh. Në këtë drejtim po punohet në mënyrë intensive nga ALUIZNI dhe unë kam përshtypjen se është mbyllur rreth 80 % e punës, pra e matjeve në lagje. Shpresoj që ato do të kalojnë së shpejti për miratim nga qeveria dhe besoj që ky proces do të vazhdojë mirë. Gjithsesi, një problem i madh në rastin e legalizimeve, është që shumica e qytetarëve i kanë ndërtuar shtëpitë e tyre para viteve ’90, kanë neglizhuar për të bërë dokumentacionin për legalizimin. Dhe këtu nuk janë pak, por rreth 500-600 familje, që nuk përfitojnë nga procesi i legalizimit. Po kështu kemi edhe shumë familje të tjera, persona të cilët kanë qenë jashtë shtetit. Ky është një problem i jashtëzakonshëm. Në të ardhmen, qeveria duhet ta marrë në konsideratë edhe këtë rast. Po të pyetem unë, them që çfarë ka kapur fotografia ajrore duhet të legalizohet.