Edvini flet për mosnjohjen e zgjedhjeve, sepse u trembet zgjedhjeve të vërteta në PS

Kryetari ende në detyrë i PS ka folur dje për barrikada e për mosnjohje zgjedhjesh, njëlloj si gjuha e stalinistëve të dikurshëm, pasi për të ka mbetur e vetmja mënyrë që ai të shtyjë sa të mundet përballjen e vërtetë politike, atë me rivalët brenda partisë, të cilët qysh dje i kanë kërkuar të japë dorëheqjen. Në krah të tij mbetet vetëm fytyra e vrerosur e partisë, Gramoz Ruçi, i cili tek Edvini gjen mbështetjen e fundit para përzënies nga partia
Megjithë përpjekjet e tij, për të shmangur sulmet ndaj tij, nga anëtarësia dhe drejtuesit e PS-së, duke “ngelur peng” i kontestimit të rezultateve të votimet për 9 kuti në Qarkun e Fierit, Edi Rama nuk po arrin të realizojë këtë zhvendosje të vëmendjes.
Jo më larg se dje, numri i zërave që bëjnë përgjegjës Edi Ramën në radhët e PS-së, është shtuar, bashkë edhe rritjen e sipërfaqes gjeografike që përfaqësojnë këta zëra kundërshtues të politikave humbëse të Edi Ramës.
Brenda qëllimit të vet, për “manipulimin” e anëtarësisë dhe drejtuesve të PS-së, që të mos merren me atë (Edi Ramën), por të merren me 9 kutitë e zgjedhjeve në Fier, kryesocialisti ka mbledhur në një takim mbrëmë te hotel “Tirana International”, 140 kandidatët e PS për këto zgjedhje. Në takim kanë qenë edhe drejtues të strukturave të kësaj partie, si edhe të zgjedhur vendorë.
Por, përkundër qëllimeve të Edi Ramës, interesat dhe qëllimet e shprehura nga më se gjysma e pjesëmarrësve në takim, kulmonin në fajësimin e Edi Ramës, si përgjegjësi i humbjeve të zgjedhjeve nga ana e PS-ës.
Zërave akuzues, që sërish nuk munguan dje të Ben Blushit dhe Arben Malajt, i janë shtuar edhe zërat e Andis Harasanit, Shpëtim Idrizit, si edhe të kandidatëve të tjerë nga qarqe të ndryshme të vendit.
Të gjitha akuzat e tyre, bashkoheshin në një pikë. “Ti je shkaktar i humbjes, jo vetëm të PS-ës, por edhe i humbjeve tona për shkak të shpenzimeve të mëdha në të holla, apo edhe shpenzimeve energjike. Ti na çove drejt humbjes”, ka qenë “mesazhi”, i përbashkët që kanë shprehur njëri pas tjetrit në fjalën e tyre, kandidatë e drejtues të PS-së në takimin e mbrëmshëm me Edi Ramën.
Duke parë se takimi i thirrur nga vetë Edi Rama, ka degjeneruar në akuza ndaj tij, ai e ka mbyllur atë dhe është larguar pa bërë asnjë deklaratë për takimin.
Në këtë braktisje në rritje të Edi Ramës, nga anëtarësia dhe drejtuesit e PS-së, i vetmi “trim në luftë”, ka mbetur Gramoz Ruçi.
Më herët se takimi i djeshëm dhe për më tepër për të paralajmëruar pjesëmarrësit në këtë takim, Gramoz Ruçi tha ca gjëra para gazetarëve, që nuk merrej vesh nëse do e njohin apo jo rezultatin e zgjedhjeve, pavarësisht “fatit” të 9 kutive në Qarkun e Fierit.
Në takimin e radhës, në daljen e radhës para gazetarëve, Gramoz Ruçi nuk harroi që sulmeve ndaj Kryeministrit Sali Berisha, t’u shtojë edhe sulmet ndaj Ilir Metës, kreut të LSI-së që ka konfirmuar bashkëqeverisjen për 4 vitet e ardhshme me PD-në.
Zërat “kundër” Edi Ramës, i cili shihet si shkaktari kryesor i humbjes së zgjedhjeve nga ana e PS-së, e kanë zanafillën e tyre dy ditë më parë, në mbledhjen e kryesisë së kësaj partie. Kjo mbledhje e cila përpos mungesës së kundërshtarëve të deklaruar më herët Edlira Haxhiymeri apo Eva Allushi, ka pasur si zhvillim tjetër edhe akuzat që anëtarët e kryesisë së kësaj partie Ben Blushi dhe Arben Malaj, kanë adresuar ndaj kryetarit në detyrë të PS-së. Në thelb këto akuza përqendroheshin në veshjen me përgjegjësinë e humbjes së zgjedhjeve të Edi Ramës.
Ben Blushi mësohet t’i kishte kërkuar Edi Ramës në mbledhjen e kryesisë së para dy ditëve, që të pranojë humbjen dhe që kryesia, por edhe partia të ndalet në një analizë të përgjegjshme të rezultatit të humbjes së PS-së, në këto zgjedhje.
Nga ana tjetër, në akuzën e tij ndaj Edi Ramës, si shkaktari i vetëm i humbjes, anëtari tjetër i kryesisë Arben Malaj, ka kujtuar se në fushatën elektorale, PS-ja nuk pati asnjë strategji elektorale, nuk pati as asetet njerëzore që të mund të promovonin vlerat dhe premtimet e mundshme të kësaj partie.
...