E Diel, 1 Nëntor 2026

Presidenti Topi dhe Spahiu i KLD-së këmbëngulin për kryetarin e Gjykatës së Tiranës

E kemi thënë në dy shkrimet e mëparshme se lidhur me kryetarin e Gjykatës së Tiranës u bë një lojë e paprinciptë, për të shmangur ish-kryetarin në detyrë - njeri i nderuar dhe i respektuar, zoti Meçe - dhe për t’i hapur rrugën kandidaturës së Artan Zenelit, të cilin, siç dihet, e morën nga strukturat e avokatisë, e emëruan gjyqtar, për ta çuar në postin e kryetarit. Më parë, presidenti kishte bërë përpjekje për ta emëruar edhe në Gjykatën e Lartë. Me thënë të drejtën, nuk kemi asgjë me zotin Zeneli në këtë rast, i cili ka të drejtën jo vetëm të jetë gjyqtar e kryetar gjykate, por të jetë edhe në vend të Spahiut e të Presidentit. Çështja është pse Spahiu dhe presidenti ngulin këmbë që zoti Zeneli ta marrë patjetër këtë detyrë, sikur kjo të ishte e barabartë me diçka që të kujton kompensimin e pronave.

Natyrisht, ata e kanë ambalazhuar këtë këmbëngulje me disa kandidatura, që të mos kuptohet ndjenja e detyrimit që kanë, lidhur me këtë emërim. Por, kjo e kandidaturave mund të shërbejë teorikisht edhe si mundësi që të shfajësohen para detyrimit të tyre. Anëtarët e KLD-së dhe mekanizmi i votës në këtë rast është i orientuar me biseda private me ca argumente që tani edhe mund të vjetrohen dhe që janë përdorur në ngarkim të Artan Zenelit, duke e paraqitur atë si një kandidaturë që kënaqte edhe të majtën, domethënë ish-kryetarin e PS-së, Edi Ramën. Tani që Rama do të shkojë në mal, sipas parimit “dru me pre”, ky argument nuk mund të qëndrojë më, sepse edhe zotërisë që i ngarkohet, nuk i shkon më ky kostum, sepse nuk i leverdis askujt që ta lidhë fatin e vet me një njeri që po e procedon e gjithë Shqipëria, pale më Partia Socialiste, të cilën ai e qorrollisi në një disfatë historike. Kështu që mbetet vetëm Spahiu i KLD-së dhe presidenti ata që duan patjetër që vendin e kryetarit të Gjykatës së Tiranës ta zërë njeriu në fjalë.

Shpresa se anëtarët e KLD-së nuk do të paraqiten si ushtarët në regjim kazerme dhe nuk do të përpunohen për llogari që s’kanë të bëjnë me drejtësinë, nuk është e vogël, por gjithsesi e vërteta dhe rezultati bashkë me skemën mekanikisht të orientuar do të jenë ato që do të tregojnë haptas motivet e kësaj këmbënguljeje që vë në pozitë edhe vetë protagonistin, i cili duket sikur i ka zënë rob disa persona. 

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›