Shuhet kardiologu i famshëm, Beniamin Çeta
DURRES - Ndërron jetën pas një lëngimi të gjatë "ikona" e kardiologjisë durrsake Beniamin Çeta, i shpallur "Qytetar Nderi" një vit më parë. Ditën e djeshme pushoi së rrahuri zemra e njeriut që me përkushtimin e tij në dekada, shpëtoi nga vdekja mijëra zemra pacientësh. Ai u nda nga jeta në moshën 72-vjeçare pas një sëmundje të pashërueshme. Rezultoi e kotë tentativa për ta kuruar Çetën në një spital të njohur të Italisë, pasi ai u rikthye sërish në Durrës në një gjendje terminale të sëmundjes. Nga i burgosur politik, në një patriot të madh, Beniamin Çeta ishte njeriu që kuronte zemrat e sëmura të durrsakëve. Ai ishte vëllai i Anton Çetës, nismëtarit kosovar të pajtimit të gjaqeve në Kosovë dhe Mirditë. Për ta përcjellë Çetën në banesën e fundit ka mbërritur në Durrës nga Kosova e veja e të vëllait, së bashku me dy mbesat e tij. Doktor Beniamin Çeta ka lindur më 21 mars 1937 në Tiranë. Dy vëllezërit nuk u rritën kurrë së bashku, pas vdekjes së babait. Ishin vitet e fundit të Luftës së Dytë Botërore. Nga pamundësia ekonomike fëmijët ndahen në dysh mes familjarëve të fisit. Beni rritet në Shqipëri, ndërsa i vëllai nga të afërmit e tjerë në Kosovë. Familja e Benit vendoset në Durrës që kur ai ishte 3 vjeç dhe që nga ajo kohë nuk lëviz nga qyteti. Ai u diplomua për mjekësi në Tiranë e më pas kreu specializimin për kardiologji, duke punuar me qindra pacientë në vite. Në vitin 1981 arrestohet dhe dënohet me 10 vjet heqje lirie për "agjitacion e propagandë". Gjatë kohës së diktaturës takimet me të vëllanë ishin të supersurvejuara nga sigurimi i shtetit shqiptar dhe shërbimi i fshehtë jugosllav. Vetëm pas viteve '90 kur ishin në moshën e tretë dy vëllezërit e rritur jetimë mundën të çmalleshin lirshëm me njëri-tjetrin. o.u