E Shtunë, 31 Tetor 2026

KQZ miraton tabelat për Tiranën dhe Elbasanin. Opozitarët, kundër

Autori i Lajmit: red.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka miratuar me forcën e numrave tabelën përmbledhëse të rezultateve për zonën zgjedhore të qarkut të Tiranës. Ashtu si edhe me qarkun e Fierit, ndonëse disa nga anëtarët kishin ankesa, KQZ miratoi me katër vota pro dhe tre kundër tabelën për qarkun e Tiranës, duke rrëzuar kërkesat e nënkryetares Dëshira Subashi dhe përfaqësuesit ligjor të Partisë Socialiste, Genc Gjonçaj. Subashi tha se KQZ-ja duhet të kishte vepruar kështu edhe për rastin e Fierit. “KQZ nuk është kompetente për ta miratuar tabelën, sepse i referohet nenit 35, te pika 5 e Kodit Zgjedhor, i cili thotë se mungesa e një vendimmarrje në KZAZ merret në kompetencën e KQZ-së, vetëm në rastet kur KZAZ i jep kompetencën KQZ për të marrë vendimmarrjen e munguar të KZAZ-së. Në këtë fazë të procesit kjo vendimmarrje nuk është në kompetencë të KQZ-së”, - u shpreh nënkryetarja e KQZ, Dëshira Subashi. Ndërkohë anëtari i Partisë Demokratike pranë KQZ-së, Klement Zguri, shtoi se qoftë dje, qoftë sot, nuk po bëjnë asgjë përtej ligjit. “Tabelat që janë me vendim të KZAZ-së po miratojmë, pra ato që kanë kaluar me 7 firma të plotësuar nga KZAZ-ja, kështu që nuk ka asgjë për të dyshuar këtu”,- tha Zguri. Në tabelën përmbledhëse të rezultateve të kryeqytetit, e cila u miratua me shumicë votash nuk ishin të përfshira disa qendra votimi për përfshirjen e të cilave insistuan nënkryetarja Subashi dhe përfaqësuesi i PS-së në KQZ, Genc Gjonçaj. Kështu, në KZAZ nr. 57, 58 dhe 59 mungonin rezultatet e një qendre votimi, e cila ishte konsideruar e parregullt. Ndërkohë që KQZ, duke marrë kompetencat e KZAZ-së, miratoi me 4 vota pro dhe 3 kundër, vendimet për tabelat e KZAZ-ve nr. 46, 51, 54 dhe 60 të cilat nuk kishin vendim. Po në të njëjtën mënyrë kaloi dhe tabela përmbledhëse e Elbasanit. Tashmë Partisë Socialiste i mbetet vetëm rruga e ankimimit në KQZ për përfshirjen e këtyre kutive në tabelën e rezultateve përmbledhëse.
Ky lajm është publikuar: 09/07/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›