E Diel, 1 Nëntor 2026

Edvini, frikë nga klanet në qarqe, degdis deputetët nga veriu në jug

23-01-2012 / Gazeta 55

Rokadë rezultoi dje për ligjvënësit socialistë shpërndarja e anëtarëve të kryesisë në 12 qarqet e vendit në funksion të përgatitjeve për zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Asambleja Kombëtare e PS miratoi në një mbledhje të paralajmëruar zhvendosjen e disa deputetëve të vjetër të PS nga zonat e tyre elektorale tradicionale, në ato të panjohura, duke i vënë kështu përballë përgjegjësisë së madhe atë të rrjedhjes së votave, për shkak të mos ekzistencës së urave të komunikimit mes delegatëve të rinj dhe elektoratit të palëvizshëm.
Nga rreziku i krijimit të klaneve në zonat ku një apo disa deputetë votohen prej 20 vitesh, pasi Rama për këtë qëllim ka zgjedhur rregullin e treshit në shpërndarjen e deputetëve – PS s’ka marrë parasysh një fakt akoma edhe më të rëndësishëm se thjesht një ‘klan-rivalizues’ i klaneve që mbështeten nga kryesocialisti. Kuptohet se për Edi Ramën s’përbën rëndësi fakti i maksimalizimit të rezultatit elektoral përmes rritjes së mbështetjes në vota, por më imediate është që rajonet e Republikës t’i konsiderojë si njësi koloniale, në të cilat ai mund të zbarkojë sa herë të dojë dhe të emërojë “delegatët-pushtues” sipas preferencës së tij si ekspansionist në krye të ngrehinës së marrë peng nga Mjaft-istë dhe 99-sha. Kjo tregon dhe elementin cinik që mbizotëron në psikologjinë e orientimit politik të Edvinit, pasi degdisja nga veriu në jug dhe nga lindja në perëndim i një grupi të caktuar deputetësh, është dhe një lloj ndëshkimi për humbjen e zgjedhjeve parlamentare të 2009-ës, veçanërisht në qarkun e Beratit, Korçës, Vlorës dhe Fierit.
Kësisoj, i shtyrë nga natyra hakmarrëse dhe ndëshkuese Edi Rama detyroi asamblenë dje të miratonte zhvendosjen e paprecedentë të Erjon Braçes nga kryesues i grupit të punës në qarkun e Beratit (vendlindja e tij) në atë të Korçës, në mënyrë të pakuptimtë dhe pa një bazë të mirëfilltë realiteti. Drejt Beratit shkon Namik Dokle i cili do kryesojë grupin e punës. Më e rëndë ka rezultuar për Ditzi Bushatin, i cili nga fushata e rehatshme e 2009-ës në Tiranë, në përgatitjet e 2013-ës duhet të vuajë lartësitë e Pukës dhe Mirditës. Vazhdon me Valentina Leskaj nga Elbasani në Vlorë; Arben Ahmetaj nga Korça në Gjirokastër; Ben Blushi nga Korça në Elbasan; Mimi Kodheli nga Korça në Shkodër; Arben Malaj nga Vlorë në Kukës; Pandeli Majko nga Korça në Dibër.
Besnikët e partisë konfirmohen së pari vetë Edi Rama i cili i la vetes një vend të rëndësishëm në qarkun e Tiranës, por dhe Sajmir Tahiri provohet si ushtari i parë i urdhrave të kryesocialistit.
Surprizë mbetet përfshirja e Fatos Nanos në grupin e punës që kryesohet nga Edi Rama, në qarkun e Tiranës.
Normalisht kuptohet edhe ideja e kësaj lëvizje, pasi me këtë “lëvizje gurësh”, kryesocialisti po kërkon të tregojë se grupet armiqësore në PS, po shkojnë drejt zhdukjes. Domosdo grupi i të zhvendosurve në qarqe të ndryshme dhe larg zonave elektorale ku kanë punuar dhe janë votuar tradicionalisht, kanë qenë të identifikuar si elementë të ndikuar nga “armiku”, ndërsa përmes “klaneve” të ndërtuara në këto zona-tradicionale, mund të ktheheshin në një bumerang elektoral në parlamentaret e 2013-ës. Sipas vendimit të Asamblesë kreu i saj Gramoz Ruçi dhe Sekretari Organizativ Blendi Klosi nuk do të kenë qarqe më vete, pasi janë caktuar të merren me organizimin në tërësi të zgjedhjeve.
Në mbledhjen e Asamblesë është miratuar edhe plani i veprimit politik për këtë sesion parlamentar. Asambleja Kombëtare ka zgjedhur edhe kryesinë e re të saj. Gramoz Ruçi do të mbetet kryetar. Ndërkohë që Luiza Xhuvani është emëruar nënkryetare dhe Taulant Balla, sekretar.

Asambleja Kombëtare miraton të deleguarit në 12 qarqet

Për qarkun Tiranë:         Edi Rama, Arta Dade, Sajmir Tahiri, Fatos Nano
Për qarkun Elbasan:         Ben Blushi, Damian Gjiknuri
Për qarkun Korçë:         Erjon Braçe, Ilir Beqja
Për qarkun Shkodër:         Mimi Kodheli, Ditmir Bushati
Për qarkun Gjirokastër:     Arben Isaraj, Arben Ahmetaj
Për qarkun Vlorë:         Valentina Leskaj, Fatmir Xhafaj
Për qarkun Fier:         Bashkim Fino, Armando Subashi
Për qarkun Dibër:         Pandeli Majko, Shkëlqim Cani
Për qarkun Kukës:         Arben Malaj, Besnik Bare
Për qarkun Lezhë:         Lindita Nikolli
Për qarkun Berat:         Namik Dokle
Për qarkun Durrës:         Vangjush Dako, Eglantina Gjermeni

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›